E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisi shqyrtimi publik për ndërtimin e parkut në Kleçkë-Divjakë

Nga Express më 15 korrik 2011 në ora 14:31

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga dita e sotme e ka hapur shqyrtimin publik të planit për ndërtimin e një parku historik-kulturor dhe me vlera natyrore në hapësirën Kleçkë - Divjakë. Parku në fjalë do të shtrihet në tri komuna dhe do të jetë vend i përkujtimit të luftës së popullit për çlirim.

Janë bërë më shumë se një vit që kur Qeveria e Kosovës e pati shpallur zonë të interesit të përgjithshëm kombëtar vendbanimin ku ishte i vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Kleçkë dhe Divjakë.

Si propozuese e këtij projekti, tashmë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka bërë përgatitjet e duhura dhe e ka hapur shqyrtimin publik të planit, që do të përfshijë komunën e Drenasit, Malishevës dhe Lipjanit.

Zëvendësministri i MMPH-së, Ilir Mirena tha se duke pasur parasysh rëndësinë e madhe historike që kanë ngjarjet të cilat janë zhvilluar gjatë luftës në Kleçkë dhe Divjakë edhe është marrë vendimi për ndërtimin e parkut prej 4 mijë hektarësh.

Ai tha se qëllimi i ndërtimit të parkut është përkujtimi i luftës së popullit për çlirim, por edhe rritja ekonomike e popullatës së asaj ane.

“Në emër të Ministrisë së Mjedisit, përkatësisht të institutit për planifikim hapësinor si hartues i planit iu sigurojmë se zhvillimet e parapara në këtë plan do të implementohen maksimalisht, duke ndikuar në radhë të parë në ngritjen e kritereve ekonomike të popullatës që jeton në këtë zonë, por edhe ngritjen e përgjithshme ekonomike të vendit”, ka thënë ai.

MMPH ka hartuar planin rregullues për këtë zonë dhe sipas projektit fillestar me ndërtimin e parkut lidhën rrugët Prishtinë-Prizren, Prishtinë-Pejë, si dhe rruga Malishevë-Arllat, e cila lidhet në Tërpezë me rrugën Lipjan-Sllatinë. Qarkullimet e mëdha nëpër këto rrugë mendohet se do të ndikojnë edhe në zhvillimin socio-ekonomik.

Drejtori i Institutit për planifikim Hapësinor në MMPH, Luan Nushi tha se projekt-plani rregullues i kësaj zone për dy muaj me radhë do të mbahet i hapur për shqyrtim publik, pastaj do të kaloj edhe në Kuvend për të marrë pëlqimin e deputetëve.

“Neve patjetër na duhet që në kohën prej dy muajve sa do ta mbajmë këtë dokument të hapur për publikun, e kemi në plan t’i organizojmë disa takime nëpër komunat pjesëmarrëse, ku do t`i marrim komentet e të gjithë atyre që janë të interesuar dhe në fund ky dokument do të përmblidhet edhe me rekomandimet e tyre dhe do të shkon në procedurë të rregullt dhe në fund ky dokument duhet të aprovohet edhe në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Në këtë park si vend i përkujtimit të luftës së popullit për çlirim, përveç tjerash do të ndërtohet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe spitali ushtarak, mandej selia që shfrytëzonte atëbotë Qeveria e Përkohshme. Pjesë e pakut do të jenë edhe Lapidari dhe varrezat e dëshmorëve, Fshati i UÇK-së.

Ndërkaq zyrtarët e MMPH-së kanë deklaruar se ende nuk dihet kostoja e këtij projekti, pasi që fillimisht duhet të bëhen shqyrtimet e mandej të dilet me detaje pas miratimit në Kuvendin e Kosovës./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›