E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosto e vërtetë e Gërdecit: 930 milionë

Drejtoresha e AMF-së, Gjoni, pohon se mjaft kompani të zonës ishin të pasiguruara. Për biznesin pranë autostradës, kompanitë e sigurimeve nisin dëmshpërblimin

Shpërthimi i depos së municioneve në Gërdec ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe tek biznesi. Fatura financiare në dëmet e shkaktuara tek përfaqësitë e biznesit llogaritet në vlerën e 930 milionë lekëve të vjetra. Administrata tatimore ka përfunduar vlerësimin për ata biznese, të cilët janë të pasiguruar, që do të kompensohen nga shteti. Burime pranë administratës tatimore thanë për gazetën “Korrieri”, se nga vlerësimit që i janë bërë deri tani biznesit, dëmet llogariten në vlerën e 450 milionë lekëve të vjetra. Pra, bëhet fjalë për 32 biznese, dëmet e të cilëve do të kompensohen nga shteti. Po ashtu, tatimorët vlerësimet e dëmeve ia kanë paraqitur Ministrisë së Financave, e cila do të nisë së shpejti kompensimin. Por dëmet e shkaktuara tek biznesi nuk përfundojnë këtu. Një tjetër faturë paraqitet edhe nga kompanitë e sigurimeve, sipas të cilave, dëmet e llogaritura deri tani për 20 biznese kapin vlerën e 480 milionë lekëve të vjetra. Drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elisabeta Gjoni, tha për gazetën “Korrieri”, se një pjesë e mirë e firmave të cilat operonin pranë kësaj zone ishin të pasiguruara. Po ashtu, nga ana tjetër, Gjoni pohoi se shumica e bizneseve pranë autostradës ishin të siguruara dhe nga ana e kompanive të sigurimit ka filluar kompensimi i dëmit. Për sa i përket vlerësimit të dëmit të biznesit të siguruar, Gjoni saktësoi se, përveç kësaj shifre që është bërë publike, pritet të ketë edhe vlerësime të reja, pasi këto janë paraprake. “Një pjesë e mirë e firmave që vepronin në këtë zonë figuronin realisht të pasiguruara dhe si të tilla, dëmshpërblimi i tyre do të kompensohet nga qeveria”, shpjegon drejtoresha e Autoritet të Mbikëqyrjes Financiare, Gjoni, duke shtuar se nga ana e kompanive të sigurimeve ka nisur pagimi i dëmeve. Për sa i përket sigurimit të bizneseve në tërësi, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elisabeta Gjoni, shprehet se në këtë kohë prirjen më të madhe për të siguruar aktivitetin e tyre e kanë kryesisht të gjithë bizneset e mëdhenj, të cilët janë kredituar nga bankat dhe si të tillë, e kanë të nevojshëm të sigurohen. Nga një informacion i përgjithshëm, rezulton se bizneset e regjistruar në kompani sigurimi janë pikërisht ata që kanë marrë kredi nga bankat tregtare dhe si të tillë, sigurimi i tyre bën pjesë në kolateralin përkatës në bankë. Gjithashtu, në kategorinë e bizneseve që rezultojnë të siguruar bëjnë pjesë edhe ata biznese të mëdhenj, të cilët kanë një veprimtari po të tillë, siç janë biznesi i naftës etj. Një pjesë e tyre bëjnë edhe sigurim vullnetar”, bëri të ditur kreu i AMF-së, Gjoni. Megjithatë, sipas saj, është ende një grup i konsiderueshëm i bizneseve shqiptare, që neglizhojnë sigurimin e aktivitetit të tyre, duke mos marrë parasysh rreziqet e mundshme që mund të ndodhin në të ardhmen. “Me gjithë prirjen pozitive të një pjese të konsiderueshme të bizneseve shqiptare për të siguruar veprimtarinë e tyre, me qëllim mbulimin e dëmtimeve që mund të ndodhin nga shkaqe të paparashikueshme, ka ende shumë biznese të cilët nuk aplikojnë sigurimin e aktivitetit të tyre”, bëri me dije Gjoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›