E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në vëmendjen e medieve në botë

01/07/2009  Përballja elektorale në Shqipëri gjen hapësirë në shtypin e shkruar ndërkombëtar

Standardet, vonesat e rezultateve dhe gara PD-PD në qendër të vëmendjes

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit në vendin tonë kanë gjetur një pasqyrim të gjerë në faqet e të përditshmeve ndërkombëtare. Gazetat britanike, italiane, amerikane dhe agjencitë e ndryshme prestigjioze, si “Reuters” dhe “Associated Press”, apo dhe kinezja “Xinhua”, kanë pasur në vëmendjen e tyre përballjen politike në Shqipëri. Të gjitha të përditshmet ndërkombëtare kanë evidentuar faktin se dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, si dhe koalicionet që ato drejtojnë po ecin kokë më kokë pas numërimit të votave. Po ashtu edhe raporti paraprak i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vlerësimet për të gjithë procesin zgjedhor gjen hapësirë në shkrimet përkatëse. Britanikja “The Times” titullon shkrimin e saj: “Shqiptarët votojnë me një rezultat të ngushtë”. Sipas saj, shqiptarët votuan në zgjedhjet e përgjithshme, që shihen me rëndësi kyçe për aspiratat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian. “The Financial Times” evidenton rezultatet e sondazheve pas zgjedhjeve. Ajo ka një shkrim me titullin: “Demokratët udhëheqin në sondazhin pas votimit”. Britanikja tjetër “The Daily Telegraph” në faqen e saj të internetit ka një shkrim me titullin: “Zgjedhjet paqësore ndihmojnë ambiciet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Gazeta u referohet tri vrojtimeve të kryera me zgjedhësit pas votimit (vrojtime që njihen si exit polls), në të cilat kryeson partia e Kryeministrit Sali Berisha. Janë shënuar vonesa në disa qendra votimi dhe ka pasur radhë njerëzish që prisnin të votonin, por kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, tha se zgjedhjet janë zhvilluar pa incidente. Zgjedhjet parlamentare shihen si një test për demokracinë për të provuar se ky vend ballkanik është gati për anëtarësimin në BE. “Shqipëria ishte nën presionin ndërkombëtar për të siguruar që zgjedhjet të ishin të lira e të drejta, ndryshe nga njoftimet për mashtrime që ka pasur në zgjedhjet e mëparshme”, - shkruan “The Daily Telegraph”. Gazeta kujton se Shqipëria u anëtarësua në NATO më 1 prill dhe kërkon ti bashkohet familjes 27-anëtarësh të Bashkimit Europian. Agjencia “Reuters” shkruan se koalicioni i partisë së djathtë qeverisëse ka vetëm një vend më shumë në Parlament se koalicioni i Partisë Socialiste në opozitë, pas mbi gjysmën e votave të numëruara. Agjencia kineze “Xinhua” thotë se rezultati i përfundimtar pas numërimit të votave mund të përfundojë vetëm të martën vonë. Edhe kjo agjenci i referohet raportit paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. Gazeta italiane “La Repubblica” shkruan se rezultatet e para i ka ofruar një organizatë e pavarur amerikane ECA, së cilës i është besuar detyra për të dhënë rezultatet. Sipas saj, ligji elektoral në Shqipëri favorizon Kryeministrin Berisha, i cili mund të marrë 72 deputetë, kundër 65 të kundërshtarit të tij, pasi caktimi i 140 vendeve në Parlamentin shqiptar bëhet në bazë të qarqeve rajonale. Sipas gazetës italiane, e djathta mund të marrë mazhorancën e vendeve në Parlament, edhe pse nuk mund të ketë shumicën e votave. Nga ana e saj turkja “Hurriyet” shkruan se “Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka pasur një kryesim të lehtë pas zgjedhjeve, të cilat shihen si një test për aspiratat për integrim në Bashkimin Europian të vendit me mazhorancë myslimane thonë sondazhet”, - shkruan gazeta turke.

Britanika “The Times”

Gazeta britanike “The Times” ka publikuan një shkrim me titullin: “Shqiptarët votojnë me një rezultat të ngushtë”. “Shqiptarët votuan në zgjedhjet e përgjithshme, që shihen me rëndësi kyçe për aspiratat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian”, - shkruan gazeta. Sipas saj, vrojtimet e para me zgjedhësit pas votimit treguan se dy rivalët kryesorë, Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe Partia Socialiste, janë pranë njëra-tjetrës në rezultat. Zgjedhjet vijnë gati tre muaj pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kërkesës së saj për tiu bashkuar BE-së.

Turkja “Hurriyet”

E përditshmja e njohur turke “Hurriyet” në shkrimin mbi zgjedhjet parlamentare në vendin tonë thotë se zgjedhjet u zhvilluan pa asnjë shenjë përplasjeje, një përmirësim krucial në vendin ballkanas, ku dhuna ka shënuar zgjedhjet e periudhës postkomuniste. Gazeta turke shkruan se Kryeministri Sali Berisha është përpara në vota, por me një diferencë të ngushtë. “Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka pasur një kryesim të lehtë pas zgjedhjeve, të cilat shihen si një test për aspiratat për integrim në Bashkimin Europian të vendit me mazhorancë myslimane thonë sondazhet.”

“The Wall Street Journal”

E përditshmja amerikane “The Wall Street Journal” shkruan se partia qeverisëse në Shqipëri, Partia Demokratrike, gjendet në një garë të ngushtë me Partinë Socialiste në opozitë, ndërkohë që kanë vazhduar në numërohen, pas zgjedhjeve parlamentare, për të cilat Bashkimi Europian tha se do të caktojnë nëse Shqipëria është gati të nisë procesin për tu bërë anëtare e tij. Sipas së përditshmes prestigjioze amerikane, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor ka thënë se votimi dhe procesi i numërimit të votave ka qenë “pa incidente”. Sipas shkrimit të gazetës, vëzhguesit e OSBE-së thanë se me gjithë përmirësimin në dallim me zgjedhjet e mëparshme, dhuna ka vijuar. “The Wall Street Journal” shkruan se një deklaratë e OSBE-së thuhet se vëzhguesit kanë parë dhunim të procedurave që lidhen me procesin e timbrimit të gishtit dhe votimin familjar”. Gazeta citon edhe kreun e misionit të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, duke shkruar se “vendi është maturuar, ka bërë progres dhe një pjesë e madhe e frikës që kishim disa muaj më parë nuk u materializuan”.

“La Repubblica”

Gazeta italiane “La Repubblica” shkruan se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u konsideruan nga Brukseli “një test i vërtetë i demokracisë në vend, pasi vetëm duke treguan se janë lënë pas dhuna dhe parregullsitë e përballjeve të shkuara zgjedhore, republika ballkanike do të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian”. Gazeta italiane shkruan se sipas raportit paraprak të misionit prej 500 vëzhguesve ndërkombëtarë Shqipëria ka bërë hapa përpara, por që u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe të dhunës së verifikuar gjatë fushatës elektorale. Sipas saj, partitë kryesore politike në Shqipëri po shkojnë kokë më kokë, ndërkohë që numërimi i votave vazhdon. Sipas këtij shkrimi, pas 24 orë të mbylljes së votimeve njihen vetëm të dhëna të pjesshme. “La Repubblica” shkruan se rezultatet e para i ka ofruar një organizatë e pavarur amerikane, “ECA”, së cilës i është besuar detyra për të dhënë rezultatet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›