“Të mësosh nëpërmjet punës” projekti i BSH-së me studentët praktikantë
Kryerja e praktikës mësimore në Bankën e Shqipërisë është kthyer tashmë në një traditë të rregullt, duke e shndërruar atë në një institucion të hapur për të gjithë studentët shqiptarë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit. Nisur nga kjo guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka zhvilluar dje një takim me studentët që kryejnë praktikën mësimore pranë BSH-së. Në këto 3 vitet e fundit, numri i përgjithshëm i studentëve praktikantë në BSH-ë ka arritur në 70, me një dyfishim krahasuar me vitet e mëparshme. Përveç adoptimit të politikave moderne të punësimit, kryerja e praktikës mësimore pranë BSH-së, është gjithashtu një mjet për të përthithur burime të reja njerëzore. Kjo traditë e BSH-së njëkohësisht nxit studentët për studime dhe përmirësim profesional të mëtejshëm, duke i hapur rrugën e punësimit të tyre si në këtë Bankë, ashtu edhe në sistemin bankar shqiptar. Praktika mësimore pranë BSH-së është vetëm një ndër iniciativat që ka ndërmarrë Banka Qëndrore vitet e fundit për të afruar studentët sa më pranë saj. Leksionet e Guvernatorit në universitete brenda dhe jashtë vendit, Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë, Konkursi midis shkollave të mesme “Vlera e vërtetë e parasë”, janë disa nga aktivitetet që BSH-ë ka zhvilluar vitet e fundit për të nxitur nxënësit dhe studentët për të njohur punën e saj më nga afër.
Ndërtimet e epokës italiane në Tiranë drejt rikonstruksionit
Veprat e arkitekturës italiane që ndodhen në Tiranë e që i përkasin epokës së mbretërisë së Mbretit Zog I-rë dhe më pas edhe kohës së fashizmit, do t’i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë monumental. Janë tre godinat që do të pësojnë një riparime e që i përkasin kësaj periudhe. Ato janë ish Hotel Dajti, Pallati i Brigadave (Pallati Mbretëror), si dhe Selia e Kryeministrisë të cilat janë përshirë në marrëveshjen e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për vlerësimin dhe rikuperimin e trashëgimisë ndërtimore dhe monumentale të kryeqytetit tonë. Dje në praninë e Ministrit të Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, ambasadorit italian në Tiranë, Saba D’Elia dhe drejtuesve të projektit është bërë prezantimi i plotë i studimeve për tre objektet në fjalë. Rikonstruksioni i këtyre objekteve ka kaluar tashmë për miratim edhe në Këshillin e Ministrave dhe së shpejti ai do të marrë nisjen finale të realizimit të tij.
30 Korrik 2008