E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nën ngricë, orteqet bllokojnë rrugët



Rikthehet moti i keq në Shqipëri. Reshjet e dëborës të shoqëruara me orteqe kanë bllokuar disa akse rrugore. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se situata është problematike në Veri dhe Veri-Lindje të vendit. Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencave Civile mësohet se Kukësi është përfshirë nga reshje të dendura dëbore, çka ka sjellë vështirësi në lëvizjen e mjeteve në akset kryesore rrugore të tij. Reshjet e dëborës kanë nisur që në mesnatë, ndërsa janë vënë në punë borëpastruese për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në aksin Morinë-Kukës-Qafë Shllak. Vështirësi në lëvizjen e mjeteve ka edhe në akset tjera rrugore; si Kukës-Krumë , Kukës-Shishtavec dhe Kukës -Bushtricë. Në këto zona trashësia e dëborës ka kaluar mbi 20 centimetra, por njoftohet se reshjet e dëborës janë duke vazhduar dhe kjo gjë mund ta përkeqësoj situatën në orët në vazhdim. Situatë më e vështirë paraqitet në zonat rurale, ku veç komunave të Zapodit e Arrnit, që janë të bllokuara prej kohësh, e njëjta situatë është edhe në komunat e Grykë Çajës e Kalisit. Edhe në Tropojë, situata paraqitet e njëjtë. Në aksin rrugor Qafë Morinë -Bajram Curri-Fierzë, që lidh Tropojën me Kosovën, po punojnë dy borëpastruese dhe lëvizja e mjeteve vazhdon të jetë normale. Në aksin rrugor Bajram Curri- Krumë, lëvizja e mjeteve është e detyrueshme të bëhet me zinxhirë. Të bllokuara mbeten ende komunat e Lekbibaj dhe Margegaj, por edhe disa fshatra të tjerë, pasi vetëm dëbora e rënë ka krijuar deri tani në mbi 20 centimetra.

Probleme edhe në Jug
Por situata e rënduar nga reshjet e dëborës nuk ka kursyer as Elbasanin, ku sipas të dhënave, edhe në këtë qytet situata është përkeqësuar ndjeshëm. Reshje të dendura dëborë kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në akse të rëndësishme rrugore. Kështu në Qafën e Kërrabës, pjesë e aksit kombëtar Elbasan-Tiranë qarkullimi i automjeteve është i vështirë por rruga mbetet e kalueshme. E rënduar është situata dhe në Qafën e Thanës, ku qarkullimi i automjeteve është i mundur vetëm me zinxhirë.
Por reshjet e dëborës nuk kanë sjell vetëm bllokimin e akseve rrugore, por edhe rrëshqitje të dherave. Konkretisht, në Gramsh dhe në Librazhd vazhdojnë rrëshqitjet e dherave si rezultat i reshjeve të shiut që vazhdojnë të bien me intensitet në këto zona. Në fshatin Dorës të Librazhdit, rreth 10 familje kanë mbetur në qiell të hapur që prej 2 ditësh për shkak të rrezikut që u kanoset banesave të tyre nga rrëshqitja e dherave.

BOX

Orteku bllokon 40 makina

KUKËS - Rreth 40 automjete janë bllokuar dje në aksin rrugor Qafë Mali-Kukës, si pasojë e ortekëve të borës që ranë në rrugë duke bllokuar qarkullimin. Policia rrugore bën me dije se të paktën 40 automjete janë bllokuar si pasojë e pamundësisë për të kaluar në rrugë. Në vendin e ngjarjes mësohet se është angazhuar vetëm një borëpastruese e cila përballet me vështirësi për shkak të masës së madhe të borës që duhet të largojë. Ndërkohë ngricat dhe reshjet e borës kanë shkaktuar vetëm dje 5 aksidente në këtë aks rrugor të cilat fatmirësisht nuk kanë shkaktuar të lënduar.

Parashikimi i motit

Mëngjesi i të martës parashihet të nisë me vranësira në pjesën më të madhe të territorit. Përjashtim bën Juglindja e vendit ku do të ketë reshje të dobëta shiu e dëbore.
Në orët e mesditës do të kemi shkëputje me kthjellime në të gjithë vendin. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kthjellime dhe vranësira të lehta në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa zonat malore do të mbeten me vranësira të dendura. Mbrëmja dhe nata sjell shtim të vranësirave në të gjithë vendin dhe për pasojë do të kemi reshje të dobëta shiu e dëbore. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie me 2 gradë në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita do të sjellë rritje të temperaturave në vend. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 45 km/h nga drejtim Juglindor. Në mesnatë pritet forcim i saj deri në 60 km/h, duke shkaktuar problem në trafikun detar pasi dallgëzimi në det do të arrijë 5 ballë.

Pranga shitësit të drogës, iu gjetën 12.55 gr Cannabis

DURRËS – Pranga shitësit të drogës, iu gjetën 12.55 gram Cannabis. Policia e qytetit bregdetar njofton se mbrëmjes e së dielës ka vënë në pranga 24-vjeçarin Lusha. Arrestimi i tij u bë pasi në baze të informacioneve te marra, dyshohej se ai merrej me shitjen e lëndëve narkotike në qytetin e Durrësit. Gjatë kontrollit fizik, Lushës iu gjet një sasi prej 13.55 gram lëndë e dyshuar si narkotike e llojit Cannabis Sativa e futur në një paketë, e bërë gati për shitje. Materialet në ngarkim të 24-vjeçarit iu kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Aksidenti, vdes 43-vjeçari në tentativë për të kaluar rrugën

FIER – Humb jetën një 43-vjeçar në tentativë për të kaluar rrugën. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshëm në fshatin Zhupan të Fierit. Policia e këtij qyteti njofton se Qazim Hanaj 50 vjeç me banim në qytetin e Patosit aksidentoi me pasojë vdekjen, 43-vjeçarin Shkëlqim Selimi, banor i Fierit. Nga hetimet e para bëhet e ditur se incidenti ndodhi kur i dyshuari po lëvizte në afërsi të fshatit Zhupan të Fierit, me mjetin e tij një “Audi” me targa FR 7643 A. Policia ka ndaluar autorin e aksidentit dhe tha se po përpiqet të zbardhë rrethanat e aksidentit që i mori jetën në vend kalimtarit të rastësishëm.
I gjendet pistoletë në makinë, pranga 24-vjeçarit
TIRANË – Vihet në pranga 24-vjeçari për “armëmbajtje pa leje”. Policia e kryeqytetit njofton se ka arrestuar në flagrancë Edionis Muratin. Sipas uniformave blu arrestimi i tij u krye, sepse në orën 17:30, në rrugën “Ali Demi”, gjatë kontrollit të mjetit të tij tip “Benz”, me targë TR 4800 L, i është gjetur një armë pistoletë tip TT, model 56, kalibri 7.62 mm, me një krehër me 5 fishekë. Menjëherë pas arrestimit, i riu u dërgua në ambientet e policisë ku është marrë në pyetej, ndërkohë që materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›