Agjencia britanike: I vështirë kompromisi final mes Ramës dhe Berishës
Albert Gjoka
LUBJANË – Shqipëria vazhdon të ketë risk të lartë në rejtingun (vlerësimi i riskut) shtetëror për shkak të krizës politike. Prej disa muajsh ka mbetur në të njëjtin nivel, duke vënë në rrezik edhe ecurinë e integrimit në Bashkimin Europian. Konstatimi është bërë nga agjencia e njohur britanike e rejtingut “D&B”, e cila parashikon vështirësi në arritjen e kompromisit përfundimtar mes dy protagonistëve kryesorë të politikës; kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Bonitetna hiša I, d.o.o”, kompania që ka përfaqësinë e “D&B”, publikoi disa ditë më parë rejtingun shtetëror të Shqipërisë për dy muajt e fundit. Sipas raportit, Shqipëria është vendi më i vështirë në Europë për të bërë biznes.
Niveli i riskut
Rejtingu shtetëror i Shqipërisë nuk lëviz as për muajt shkurt-mars, duke mbetur në të njëjtin nivel; i klasifikuar në “rrezik mesatar”. Agjencia e njohur e rejtingut “D&B”, përmes përfaqësuesit të saj në Lubjanë, ”Bonitetna hiša I, d.o.o”, publikoi më 4 mars të dhënat e dymujorit të fundit, duke e lënë vendin tonë në të njëjtën fashë risku, “DB4a”, por ekspertët e saj konstatojnë përmirësime të rejtingut për vendet e tjera që kanë qenë thuajse në të njëjtin nivel me Shqipërinë. Rejtingu për Serbinë, Korenë e Jugut, Xhamajkën dhe Hondurasin është përmirësuar. “Në muajin shkurt 2010 kishte shenja drejt përparimit duke i dhënë fund konfliktit politik në Shqipëri”, - thotë raporti. “Këshilli i Europës (Asambleja që kërkon nxitje të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Europë) më 3 shkurt 2010 miratoi një rezolutë për t’i dhënë fund krizës politike me presidentin shqiptar Bamir Topi si një ndërmjetësues në mes dy palëve”, - konstaton raporti.
Ekspertët e agjencisë së njohur britanike konstatojnë se “tani që politikanët europianë janë duke bërë presion për një zgjidhje të problemit, ne presim që në Shqipëri të shohim një përparim më të shpejtë drejt zgjidhjes së kësaj mosmarrëveshjeje”. Gjithashtu, ata vlerësojnë inkurajues faktin se “dy liderët kanë thënë se janë të gatshëm për të folur dhe, si rezultat i kësaj, pritet ngritja e një komisioni hetues parlamentar për të hetuar akuzat e Partisë Socialiste në lidhje me zgjedhjet e qershorit. “Megjithatë, një kompromis i pranueshëm do të jetë e vështirë për t’u arritur, duke u bazuar në qëndrimet e forta të të dyja palëve. Ndërkohë, bojkoti i 65 deputetëve socialistë ka ngadalësuar reformat, pasi qeveria nuk ka shumicën e nevojshme që të kalojë reformat kryesore kushtetuese”, - thuhet ne argumentet e përdorura për nxjerrjen e nivelit të riskut për Shqipërinë për dy muajt e fundit, janar-shkurt 2010.
Rrezikohet integrimi
Agjencia e rejtingut shqyrton edhe pasojat që ka kriza aktuale në rrugën e integrimit të vendit. “Trazirat aktuale politike kërcënojnë të minojnë progresin dhe përpjekjet për anëtarësimin e vendit në BE, në veçanti në sferën e reformave të nevojshme që duhet të merren në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit”, - konstaton raporti i “D&B”. Sipas Bankës Botërore, në raportin “Doing Business 2010”, Shqipëria renditet e 82-ta nga 183 vende, ndërsa nga Transparency International, në Indeksin e Korrupsionit – 2009, renditet si vendi i 95-të nga 180 vende. Duke iu referuar këtyre parametrave, “D&B” konstaton se “Shqipëria vlerësohet si një vend i vështirë për të drejtuar një biznes (me përjashtim të Greqisë) dhe se është më shumë i korruptuar sesa çdo tjetër i BE-së apo vend kandidat për në BE”.
Në fillimin e janarit, kompania “D&B” nxori rejtingun shtetëror të Shqipërisë për muajt nëntor-dhjetor 2009, sipas të cilit ka shenja jooptimiste përsa u përket zhvillimeve ekonomike. Specialistët e saj konstatojnë se planet ekonomike të qeverisë shqiptare për vitin 2010 janë të bazuara në supozime tepër optimiste, siç është rritja ekonomike 6 për qind. Parametrat e ekonomisë vendase dhe niveli i të ardhurave gjatë vitit të kaluar, por edhe presionet në vazhdim të krizës financiare mbi ekonomitë e rajonit, janë argumente që flasin për optimizëm të pamotivuar. Mbi të gjitha, shqetësimi kryesor është rritja e deficitit buxhetor.
Kush është “D&B”
“Dun & Bradstreet” (D&B) është ndër agjencitë më të mëdha dhe më të vjetra të informacionit tregtar dhe të biznesit në botë, e cila është themeluar 170 vjet më parë. Vlerësimet e saj njihen për cilësinë, shpejtësinë, efektivitetin dhe ndihmojnë në reduktimin e riskut në biznes. Në mënyrë elektronike, përmes internetit, aktualisht ofron 170 milionë raporte nga e gjithë bota. Kjo kompani ka degën e saj në Slloveni, “Bonitetna hiša I, d.o.o”, e cila mbulon mbledhjen e të dhënave dhe përgatitjen e raporteve edhe për Shqipërinë. “Bonitetna hiša I, d.o.o” është krijuar në vitin 1990 dhe prej vitit 2006 mbulon edhe interesat e “D&B” për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
9 Mars 2010