E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria nën “pushtetin e flakëve”, MB: 23 vatra aktive

Edhe gjatë ditës së sotme, forcat e PMNZSH-së, atyre të Armatosura dhe Shërbimit Pyjor, kanë vijuar operacionet për vënien nën kontroll, izolimin dhe fikjen e zjarreve. Mbi 700 efektivë të FA-ve, në të gjithë territorin e vendit, kanë vijuar të mbështesin forcat zjarrëfikëse dhe ato të Shërbimit Pyjor.
 

Avioni i tipit Cander, i dërguar nga Republika Turke, vazhdoi operacionet nga ajri mbi Parkun Kombëtar të Bozdovecit, në rrethin e Korçës, duke mundësuar fikjen e plotë të tij.
Ndërkohë, helikopteri i tipit Cugar, nga Republika Sllovene, kreu gjatë gjithë ditës operacionet në Malin e Dajtit. Edhe gjatë ditës së nesërme operacionet nga ajri do të vijojnë në zonën verilindore, bazuar në planin e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, të miratur nga Ministri Flamur Noka.
 

Nga informacionet e raportuara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të Qeverisjes Vendore, nga strukturat e Shërbimit Pyjor, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata paraqitet si më poshtë vijon:Në të gjithë qarqet e vendit, rezultojnë 23 vatra aktive zjarresh.
 

Qarku Berat. Ka 1 vatra zjarri aktive. Në fshatin Tozhar, komuna Tërpan. Vatra e zjarrit është në majë të malit, në kullotë. Vatra e zjarrit në Therepel, në komunën Bogovë, Skrapari u fik.
Qarku Dibër: Ka 5 vatra zjarri aktive. Vazhdon djegia në Parkut Kombëtar Lurë, në vendin e quajtur "Liqeni i Bruçit". Një vatër e re u shfaq gjatë ditës së sotme në Parkun Kombëtar. Zjarri në Kacni, në vendin e quajtur "Kulemath" dhe ajo në Zallë-Gjoçaj, të komunës Derjan vazhdojnë dhe janë nën kontroll. Zjarri në "Vargmalin e Balgjajt", ka kaluar në drejtim të malit të Bulqizës.
Qarku Elbasan: Ka 1 vatër zjarri aktive. Vatra e zjarrit filloi pasditen e sotme në Shmil, të Elbasanit, pa rrezik. Vatrat në rrethin e Gramshit janë fikur.
Qarku Kukës: Ka 3 vatra zjarri aktive. Në afërsi të fshatit Kok-Dedë, komuna Fierzë, Pukë është shfaqur një vatër e re zjarri me zhvillim intensiv. Janë marrë të gjitha masat nga komuna, forcat pyjore për të mbrojtur zonën. Në ndihmë kanë shkuar edhe 30 efektivë të FA-ve. Vatra në Rrethin e Bardhë, komuna Margegaj mbetet problematike. Vatra në Bjeshkët e Bardhocit, komuna Tërthore është vënë pjesërisht nënkontroll.


Qarku Tiranë. Ka 1 vatër zjarri aktive, atë në Malin e Dajtit, ku situata po mbahet nën kontroll. Helikopteri operoi në afërsi të antenave.
Ndërsa vatra e zjarrit në afërsi të objekteve të rëndësisë së veçantë në fshatin Linxë, komuna Dajt është vënë nën kontroll me ndihmën e helikopterit që operoi nga ajri dhe 1 mjet zjarrfikës të stacionit të Tiranës dhe 1 mjet zjarrfikës i FA dhe në orët e vona të pasdites u shua.

Qarku Shkodër: Ka aktive 8 vatra zjarri. Në Rrethin Pukë kemi 5 vatra zjarri: në afërsi të fshatit Kokdodë, komuna Fierzë, Pukë është shfaqur një vatër e re zjarri me zhvillim intensiv. Vatra të tjera zjarri: në fshatin Iballë, Komuna Iballë; fshati Orosh, Komuna Qafë Mali; fshati Mzi, Komuna Fierzë; fshati Dardhë, Komuna Blerim dhe Fushë Laj, Komuna Gjegjan.
 

Në Rrethin Shkodër: 3 vatra aktive: Rreth orës 11 në zonën e Thethit, komuna Shalë u shfaq një vatër e re. Në rrethin Malësisë së Madhe kemi 2 vatra në terrene të vështira: në komunën Këlmend dhe në fshatin Vukël, të cilat janë nën kontroll.
Zjarri në Fushë të Zezë, komuna Kastrat u fik.
 

Qarku Lezhë. Ka aktive 3 vatra zjarri. Vatra në rrethin e Mirditës në fshatin Arrëz, komuna Kaçinar është izoluar dhe nën kontroll. Vatra në malet e fshatit Arrën, komuna Arrën, Kukës është izoluar, ndërsa ajo në fshatin Gryk Orosh, Lgjin, komuna Orosh, është nën kontroll.
 

Qarku Vlorë. Ka 1 vatër zjarri aktive. Vatra e zjarrit në Karaburun, vijon që prej dy ditësh. Po punohet për izolimin e tij.
 

Qarku Korçë. Nuk ka vatra aktive zjarri. Zjarri në Parkun Kombëtar të Bozdovecit u fik. Vatrat e e zjarrit në malin e Elbit, komuna Hoçisht, në fshatin Stratobërdë, komuna Vithkuq dhe në fshatin Floq, komuna Mollaj, janë të izoluar totalisht.
 

Qarku Durrës. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Fier. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Gjirokastër: Nuk ka vatra zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›