Zjarret, dy avionë italianë në ndihmë të autoriteteve shqiptare

Departamenti i Mbrojtjes Civile Italiane do të ndihmojë autoritetet shqiptare në shuarjen e zjarreve nëpër pyje të cilët nga muaji gusht kanë prekur, me pasoja të rënda mjedisore, zona të ndryshme të vendit.
Duke filluar nga sot do të veprojnë në Shqipëri dy avione Kanadair, të vënë në dispozicion nga qeveria italiane, të cilët, në koordinim me Mbrojtjen Civile Shqiptare, do të kryejnë disa misione në mënyrë që të vënë nën kontroll zjarret të cilët po prekin Shqipërinë.
Ndërkohë sipas Ministrisë së Brendshme në të gjithë qarqet e vendit, rezultojnë 23 vatra aktive zjarresh. Situata paraqitet problematike në qarkun e Dibrës ku rezultojnë ende 5 vatra zjarri aktive, në qarkun e Kukësit rezultojnë 3 vatra zjarri dhe në Rrethin e Pukës ka ende 5 vatra zjarri aktive.
Sipas informacioneve vazhdon djegia në Parkut Kombëtar të Lurës, në vendin e quajtur "Liqeni i Bruçit" ndërsa zjarri në parkun e Bozdovecit dhe në Malin e Dajtit është shuar.