PS politike mbi fatkeqesite

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka bërë me dije se situata e zjarreve në rang vendi nuk është aspak alarmante. Në një komunikim me gazetarët, ministri Noka tha se në zonat ku ekzistojnë ende vatra zjarri, janë dominuar pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, forcave të ushtrisë, atyre të policisë së shtetit dhe banorëve. Ministri i Brendshëm ka konsideruar si dashakeqe qëndrimet që opozita ka mbajtur në raport me këtë situatë.
“Rama duhet të ndërrojë strategji, pasi një forcë politike që ka qenë në pushtet dhe pretendon të vijë në pushtet, të ndërtojë strategjinë e saj mbi fatkeqësinë që pllakos në zona ët caktuara të vendit. Përpara se ai të ngrohë duart në zjarret që ndodhin, duhet të dënojë zjarrvëniet, të bëjë thirrje të gjithë shoqërisë që të kontribuojë, ti bëjë thirrje deputetëve opozitarë dhe njerëzve të tyre që të kontribuojnë dhe bashkëpunojnë për të shuar zjarret, t’i bëjë thirrje institucioneve të drejtësisë të japin dënimet maksimale për të gjithë zjarrvënësit, pasi policia i ka ndaluar të gjithë zjarrvënësit”, u shpreh ministri Noka.
Shefi i uniformave blu, i pyetur nga mediat mbi situatën e kriminalitetit të vend, është shprehur se ministria dhe të gjitha strukturat e saj, kanë marrë masat për parandalimin e kriminalitetit. Ai ka konsideruar si abuzive, me qëllime politike shifrat e ofruara nga selia rozë.
“PS para se të gëzojë mbi fatkeqësitë, të bashkëpunojë me mazhorancës për ndalimin e kriminalitetit. Forca e ligjit do të bie mbi të gjithë kriminelët dhe ata që guxojnë të thyejnë ligjin. Do dëshironim që në luftë me krimin të kishim mbështetjen e opozitës, por nuk është faji ynë që opozita fërkon duart në çdo rast dhe del e bën politikë vetëm në raste të tilla”, u shpreh ai.
Zoti Noka ka deklaruar se Ministria e Brendshme ka nisur nga puna mbi përgatitjen e listave të zgjedhësve, në funksion të garës së ardhshme elektorale. Noka vlerësoi se ngitja e strukturave nga PS për kontrollin e listave të zgjedhësve, është një akt i turpshëm.
Ai theksoi se për çdo element në përpilimin e listave të zgjedhësve, strukturat shtetërore komunikojnë edhe me forcat politike. Ai bëri me dije se ka pasur komunikim institucional edhe me Partinë Socialiste.
“Nuk dua të bëj komente për struktura të tilla ilegale, sepse është e turpshëm që sot pas 20 vitesh demokraci, forca politike mendojnë të operojnë me forca paramilitare. Sigurisht nuk ë paqëllimtë, bëhet për të njollosur demokracinë në Shqipëri dhe kushtet ku zhvillohen zgjedhjet. Policia e Shtetit, pas vitit 2005 ka marrë konsideratat më të mira për përfshirjen e saj në zgjedhje dhe siguroj që edhe në këtë proces do të marrë vlerësimet maksimale. PS është në dijeni të plotë të çdo gjëje që ndodh, jemi në momentin e një transparence absolute të gjithë procesit. Janë çuar dokumentet pranë PS dhe kemi kërkuar mendimet e tyre, që janë marrë në konsideratë. Shpjegimi i vetëm është paralajmërimi i humbës së radhës, dhe kësisoj mundohet të inskenojë situata të paqena”, deklaroi ministri Noka.