Shqipëria, për herë të parë ligj për rrezatimet jojonizuese
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”. Miratimi i këtij projektligji sjell rregullim të punës me rrezatimin jojonizues, duke marrë në konsideratë të mirat që vijnë nga përdorimi i tyre. Nëpërmjet këtij ligji do të kufizohen ato elemente të rrezatimeve jojonizuese, të cilat përbëjnë rrisk për publikun dhe punonjësit e ekspozuar profesionalisht duke mos penguar përdorimin e tyre. Rrezatimet jojonizuese klasifikohen në dy kategori të mëdha: rrezatime me frekuence të lartë, ku përfshihen rrezatimet që vijnë nga impiantet fikse për telekomunikacionin, impiantet radiotelevizive, stacionet e radios, urat e radios, telefonat celularë. Ekspozimet të pakontrolluara në kohë dhe jashtë normave të caktuara ndaj frekuencave të larta mund të sjellin dëmtim të kristalinës dhe anomali të kornesë në sy, reduktim të prodhimit të spermës, alternime në sistemin muskulor, nervor dhe neuro-muskulor. Rrezatimet jojonizuese me frekuencë të ulët vijnë kryesisht nga linjat e shpërndarjes së tensionit të lartë të mesëm dhe të ulët, elektroshtëpiaket dhe depozitat elektrike në përgjithësi, elektrodotet dhe shpërndarja e energjisë elektrike. Nëse janë të pakontrolluara dhe jashtë parametrave mund të sjellin dëmtime në sistemin viziv, sistemin nervor qendror, dhimbje koke, pagjumësi dhe lodhje.