Unaza e Madhe, zbardhet projekti për segmentin e ri 2 km
Zbardhet projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e segmentit të ri të Unazës së Madhe, që është ai nga Shkolla Teknologjike deri te “Komuna e Parisit”, ku parashikohet të ndërhyhet edhe në dy kryqëzime të rënduara vazhdimisht nga trafiku, në atë të Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit. Iniciativa për këtë projekt që do t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së trafikut në kryeqytet është ndërmarrë nga vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili për këtë qëllim paraqiti në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak edhe projektvendimin “Për miratimin në parim të studim-projektimit të Unazës së Madhe të Tiranës-segmenti nga Shkolla Teknologjike-Komuna e Parisit dhe projektimit në disnivel të dy kryqëzimeve, përkatësisht në Rrugën e Kavajës dhe Rrugën e Durrësit”. Ky vendim ka marrë miratimin edhe nga Këshilli Bashkiak, dhe financimi i Bashkisë së Tiranës për projektin do të jetë për investime në shumën 50.529.180 lekë, efekte financiare këto që do të përballohen nga të ardhurat e veta të këtij institucioni. Në relacionin e projektvendimit për ndërtimin e segmentit të ri të Unazës së Madhe thuhet se aktualisht, trafiku në qytetin e Tiranës është bërë tepër problematik dhe prej shumë kohësh ndihet nevoja e hapjes së akseve të reja rrugore, e sidomos e Unazës së Madhe e cila do bëjë disiplinimin e trafikut në përgjithësi të Tiranës, e sidomos të atij të rëndë e tangencial. Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti nga Shkolla Teknologjike tek Komuna e Parisit, dhe zgjidhja e dy kryqëzimeve me disnivel, përkatësisht atij të Rrugës së Kavajës, dhe atij të Rrugës së Durrësit, do të bëjë të mundur lidhjen midis dy pjesëve aktuale të Unazës së Madhe të Tiranës, asaj të ndërtuar prej vitesh, dhe asaj që është në proces ndërtimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve (segmenti Komuna e Parisit-Sauk). Në relacionin e projektvendimit thuhet se realizimi i këtij projekti do të kompletojë tërësisht me projekt të plotë teknik tërë perimetrin e Unazës së Madhe të Tiranës (segmentet e tjerë janë hartuar ose janë në proces hartimi të projekteve të zbatimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve). Gjatësia e këtij segmenti është rreth 2 km, ndërsa gjerësia e përgjithshme e kurorës së rrugës do të jetë minimalisht 58 metra. Kjo gjerësi do rritet në zonat ku parashikohen rampa apo lidhje me rrugët sekondare. Gjithashtu në kryqëzimet e Unazës, përkatësisht me Rrugën e Durrësit (aktualisht kryqëzimi tek Dogana), dhe ai në Rrugën e Kavajës, (aktualisht tek fabrika e bukës), paraqesin një trafik tejet të rënduar e shpesh kaotik, ndaj ndërhyrja dhe trajtimi i këtyre dy kryqëzimeve në disnivel është bërë tashmë një domosdoshmëri. Duke analizuar këtë situatë, Sektori i Projektimit dhe standardizimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave dhe të Zhvillimit dhe Planifikimit në Bashkinë e Tiranës ka përpiluar detyrën përkatëse të projektimit për realizimin e këtij projekti. Më konkretisht, objektivat kryesore të këtij projekti do të jenë: projektimi i segmentit rrugor të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti nga Shkolla Teknologjike- Komuna e Parisit; ndërtimi i dy rrugëve paralele për lëvizjen e trafikut të zonave përkatëse dhe të lidhjes midis dy anëve të Unazës; projektimi në disnivel i dy kryqëzimeve që formon Unaza, përkatësisht me Rrugën e Kavajës dhe me Rrugën e Durrësit; projektimi i korsive apo rampave për kalimin nga një nivel në tjetrin apo hyrjen në rrugët përkatëse.
Objektivat kryesore të projektit
Projektimi i segmentit rrugor të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti nga Shkolla Teknologjike-Komuna e Parisit.
Ndërtimi i dy rrugëve paralele për lëvizjen e trafikut të zonave përkatëse dhe të lidhjes midis dy anëve të Unazës.
Projektimi në disnivel i dy kryqëzimeve që formon Unaza, përkatësisht me rrugën e Kavajës dhe me Rrugën e Durrësit.
Projektimi i korsive apo rampave për kalimin nga një nivel në tjetrin apo hyrjen në rrugët përkatëse.
Dy pjesët e Unazës së Madhe
Unaza e Madhe e Tiranës do të konceptohet nga dy pjesë. Pjesa kryesore (ajo qendrore) që do të përballojë trafikun kryesor do të jetë e përbërë nga dy karrexhata me gjerësi 12 metër secila. Ato do të jenë të ndara me një brez të gjelbër 2 metër, dhe secila pjesë do të jetë e ndarë në 3 korsi me gjerësi 3.5 metër.
Rrugët paralele
Në dy anët e pjesës kryesore të Unazës do të ndërtohen dy rrugë paralele, të cilat do marrin trafikun parazit e që do të bëjnë të mundur lidhjen midis dy anëve. Rrugët paralele do të jenë me gjerësi 9 metër dhe trotuare në njërën anë me gjerësi 5 metër.
Korsitë
Rrugët paralele do të jenë të parashikuara me 2 korsi 2x3 për lëvizjen e mjeteve dhe një korsi parkimi 2.5 metër. Pjesa kryesore e Unazës dhe rrugët paralele do të jenë të ndara po me brez gjelbërimi. Projekti do të hartohet sipas normave shqiptare të projektimit, në konsultim me normat italiane.
Mbikalimet
Mbikalimet do të projektohen me dy korsi lëvizje (për secilin drejtim) me gjerësi 3.75 metër, bankina 0.75 metër dhe ndarëse sigurie në mes me gjerësi 2 metër.
Në hartimin e këtij projekti do të përfshihen edhe hartimi i projekteve për tërë rrjetet inxhinierike të ujësjellësit, kanalizimeve të ujërave të zeza e të shiut, rrjeteve elektrike, telefonike etj. Këto do të jenë të llogaritura dhe të parashikuara për një periudhë të paktën 20-vjeçare.
Vlera e objektit
Vlera paraprake e objektit është 3.458.970.806 lekë, ku përfshihen ndërtimi i Unazës segmenti nga Shkolla Teknologjike deri tek rruga “Komuna e Parisit”, rrugëve paralele në dy anët e saj si dhe i dy kryqëzimeve, atij të Rrugës së Kavajës dhe atij të Rrugës së Durrësit.
Financimi
Financimi i studim-projektimit për segmentin rrugor të Unazës së Madhe të Tiranës, nga Shkolla Teknologjike deri tek Rruga Komuna e Parisit, si dhe projektimi në disnivel të dy kryqëzimeve që formon Unaza, në Rrugën e Kavajës dhe Rrugën e Durrësit, do të realizohet nga të ardhurat e vetë Bashkisë së Tiranës, të parashikuara në buxhetin e 2012-ës. Vlera për studim-projektimin e këtij segmenti rrugor është 50.529.180 lekë.