“Hapja e dosjeve domosdoshmëri, Shqipëria ka mbetur vendi i fundit që s’ka dënuar krimet e komunizmit”

Reagon Simon Miraka, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë.
“Manjola Bejleri, duke u kthyer në origjinën e saj komuniste, u hodh në sulm kundër projektligjit që pritet të votohet në Kuvend ‘Për pastërtinë ë figurave të zyrtarëve të lartë’. Besoj se zonja Bejleri duhet ta kuptonte që ky ligj nuk merret me statusin e gjyqtarëve të sotëm apo me persona të tjerë, por ai merret me makinën shtetërore komuniste që dhunoi çdo të drejtë elementare të njeriut. Unë e kuptoj se asaj i duhet të mbrojë familjarët e saj që dënuan mizorisht njerëz të pafajshëm, por ajo nuk mund të përdorë një shoqatë për të mbrojtur krimet e komunizmit dhe xhelatët tanë. Është fatkeqësi që këta njerëz kanë marrë statusin e zyrtarit të lartë, prokurorit apo gjyqtarit. Dhunuesit e të drejtave të një populli të tërë nuk mund e nuk duhet të jenë në Parlament, Presidencë apo në Prokurori”
TIRANE – Miratimi i projektligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, është një domosdoshmëri. Shqipëria nuk duhet të ishte vendi i fundit që të dënonte krimet e komunizmit. Ligji shqiptar duhet të ishte shumë me i rreptë se ligji çek apo polak, sepse edhe shkalla e krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri, ishte shumë më e lartë.
Kështu është shprehur dje Simon Miraka, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë.
“Ky ligj duhet të ishte miratuar shumë kohë më parë, sepse ne të përndjekurit politikë të Shqipërisë, sepse shoqëria shqiptare ka vite që e presim, e në mënyrë të veçantë kemi tre vjet e gjysmë që e presim të bëhet nga mazhoranca aktuale, të cilës i besojmë fuqimisht. Ky ligj duhet miratuar për të qetësuar ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare e cila e mirëpret atë. Shqipëria nuk duhet të ishte vendi i fundit që të dënonte krimet e komunizmit, vendi i fundit që të kalonte këtë projektligj”, ka bërë ët ditur Simon Miraka dje nëpërmjet një deklarate për shtyp.
Duke analizuar projektligjin, Miraka vëren se ai është i butë në krahasim me krimet sipas tij, të kryera nga diktatura komuniste.
“Marrjen e ligjit çek si model për ligjin shqiptar ‘Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë’, ish të përndjekurit, vlerësojnë si të papërshtatshëm për vendin tonë për vetë shkallën e lartë të krimeve që diktatura komuniste kreu te ne. Ky është një ligj shumë i butë që nuk vë përfundimisht drejtësinë në vend. Shqipëria ka kaluar një diktaturë komuniste shumë më të egër se çdo vend tjetër i Evropës Lindore që do të thotë që ligji shqiptar duhet të ishte shumë më i rreptë se ligji çek, por edhe më i rreptë se ai polak”, deklaron më tej, Simon Miraka, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë.
Më tej Miraka ndalet edhe në reagimin e djeshëm të kreut të shoqatës së gjyqtarëve të Shqipërisë, Manjola Bejleri, e cila sipas tij “bëri deklaratën e radhës kundër institucionit të Parlamentit të Shqipërisë”.
Për Mirakën, qëndrimi i Bejlerit është një kthim në origjinën e saj komuniste dhe se asaj i duhet të mbrojë njerëzit e saj që dënuan mizorisht njerëz të pafajshëm.
“Duke u kthyer në origjinën e saj komuniste ajo u hodh në sulm kundër projektligjit që pritet të votohet në Kuvend ‘Për pastërtinë ë figurave të zyrtarëve të lartë’. Besoj se zonja Bejleri duhet ta kuptonte që ky ligj nuk merret me statusin e gjyqtarëve të sotëm apo me persona të tjerë, por ai merret me makinën shtetërore komuniste që dhunoi çdo të drejtë elementare të njeriut. Unë e kuptoj se asaj i duhet të mbrojë familjarët e saj që dënuan mizorisht njerëz të pafajshëm, por ajo nuk mund të përdorë një shoqatë për të mbrojtur krimet e komunizmit dhe xhelatët tanë. Është fatkeqësi që këta njerëz kanë marrë statusin e zyrtarit të lartë, prokurorit apo gjyqtarit. Dhunuesit e të drejtave të një populli të tërë nuk mund e nuk duhet të jenë në Parlament, Presidencë apo në Prokurori”, përfundon deklarimin e tij, Simon Miraka, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë.