E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, pjesë e Bashkimit të Mesdheut

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, mori pjesë në Ministerialin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit për Mesdheun që u zhvillua në Marsejë më datat 3 dhe 4 nëntor. Qëllimi i këtij takimi është ai i konkretizimit të ambicies për një partneritet të konsoliduar mes vendeve të Mesdheut, iniciuar nga samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive që u zhvillua në Paris 13 korrikun e këtij viti. Ministeriali kishte tri tema kryesore: përcaktimin e projekteve të reja konkrete të partneritetit dhe vënien e tyre në zbatim, detajimet mbi qeverisjen e re të iniciuar nga Bashkimi për Mesdheun dhe çuarjen përpara të dialogut politik për situatën në rajon. Ministrja Bregu, në fjalën e saj në këtë samit, shprehu angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në të gjitha projektet e "Bashkimit për Mesdheun". Ajo theksoi se interesi i Shqipërisë për financimin e projekteve të Bashkimit është shprehur në fushën e energjisë dhe mjedisit. Një seancë diskutimi iu kushtua vlerësimit të situatës politike dhe zhvillimeve të fundit në rajon. Në konferencë u ra dakord që sekretariati i Bashkimit për Mesdheun të jetë në Barcelonë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›