E Diel, 1 Nëntor 2026

PBDNJ: Ne nuk duam të shkrihemi me Berishën

Sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, vlerëson rikthimin e ish-figurave të vjetra të politikës te Partia Demokratike. Aleatët që përfaqësojnë minoritetin grek në Parlament janë shprehur "Ok" për bashkimin e partive të vogla me Partinë Demokratike, megjithëse theksojnë se PBDNJ do të dalë në zgjedhje duke bërë aleancë me veten. "Bashkimi i votave dhe dalja me një listë të përbashkët kandidatësh do të pengojë rrjedhjen e votave brenda kampit blu, dhe ne e përgëzojmë këtë vendim, pasi vota nuk do të shkojnë dëm", u shpreh Solis. Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut theksoi se forca që ai përfaqëson do të dalë e vetme në zgjedhje. PBDNJ do të ndjekë edhe në 2009-ën të njëjtin shembull që ka ndjekur për zgjedhje me radhë. Bashkimi i së djathtës shihet si një mundësi e mirë për të lënë ende në pushtet mazhorancën për shkak se nuk do të shkaktojë rrjedhje votash. Nga ana tjetër, një aleat tjetër i PD-së, republikanët, kanë nisur një tur në rrethe për të rregulluar imazhin në elektoratin e saj. Mediu vuri theksin në rregullimin e marrëdhënieve të brendshme partiake dhe bashkëpunimin e të gjithë pjesëmarrësve në mënyrë që t‘i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Ai kërkoi evidentimin e plotë të anëtarëve në qytete dhe komuna, si dhe propozimin e kandidaturave të cilat gëzojnë mbështetjen e grupeve të interesit. Grupet e punës të së djathtës kanë filluar organizimin e fushatës në rrethe, duke pasur takime intensive me bazën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›