“Koha të fokusohet vëmendja te reformat”

PD: Debati Berisha – Rama, në vitin 2013
Mustafaraj: S’do ishte e përshtatshme për Partinë Demokratike të ndikonte në Kongresin e ardhshëm të Partisë së zotit Rama
Partia Demokratike reagoi dje lidhur me ftesën e Edi Ramës për debat me kryeministrin Sali Berisha. Zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, u shpreh përmes një deklarate për shtyp, se Sali Berisha ka qenë i gatshëm për të debatuar me Ramën që në të shkuar, madje për këtë ka patur qëndrime konkrete në adresë të kryesocialistit, por për momentin nuk është koha dhe momenti për debat televiziv, por për bashkëpunim politik në dobi të reformave dhe integrimit të vendit.
“Gjatë fundjavës, Edi Rama e ftoi kryetarin e PD zotin Berisha në një debat publik. Sali Berisha ka qenë i gatshëm për të debatuar me të në të shkuarën. Ai e ftoi Edi Ramën për të debatuar për zgjedhjet e vitit 2009 dhe është i gatshëm për të debatuar me liderin e opozitës përpara zgjedhjeve të vitit 2013, por Sali Berisha beson se tani nuk është kohë për debate veçanërisht për shkak se nuk do të ishte e përshtatshme për Partinë Demokratike të ndikonte në Kongresin e ardhshëm të Partisë së Edi Ramës. Duke gjykuar nga gjuha e letrës së hapur të Edi Ramës, ai mund të dojë që të bëjë luftë politike dhe të debatojë për të shkuarën, por tani nuk është koha që ne të fokusohemi mbi mosmarrëveshjet tona. Partia Demokratike beson se tani është koha për t’u fokusuar në ato çështje ku ne mund të biem dakord dhe t’i realizojmë ato në të mirën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh zëdhënësja Mustafaraj.
Sipas saj, qytetarët shqiptarë kanë pritur për vepra përgjatë dy viteve të shkuara dhe tani që Partia Socialiste është kthyer në Parlament edhe pse ata ende vazhdojnë të refuzojnë të votojnë është detyrim i të gjithëve të punojmë për të miratuar çështjet për të cilat ne mund të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe konsensus.
“PD beson se qytetarët meritojnë më shumë sesa një Parlament të mbetur pezull në mënyrë të vazhdueshme, në pritje të zgjedhjeve të ardhshme. Kryetari i PD, Sali Berisha e ka bërë të qartë tashmë se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, dy çështje në të cilat dialogu mund të bëjë progres. Nëse Edi Rama është thjesht duke u angazhuar në një betejë tjetër politike dhe retorika e tij është e pasinqertë atëherë, ne, mendojmë se të gjithë mund ta përdorim kohën më mirë. Por nëse Edi Rama është serioz në lidhje me çuarjen përpara të reformave, Partia Demokratike është e gatshme për të vepruar”, tha më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj.