Shqipëria poshtërohet! Na mund Luksemburgu
Synohej vendi i katërt. Synohej një fitore e pastër për të rritur moralin pas humbjes me Francën. Madje, për ta bërë më të rëndësishme këtë tre pikësh kishte menduar Federata Shqiptare e Futbollit me premion prej 3000 eurosh për çdo lojtar (?!). Por luanim vetëm kundër Luksemburgut… kundër asaj skuadre që 4 vjet më parë i kishim shënuar pa u lodhur fare 3 gola në “Josy Barthel”. Por kësaj radhe u takoi këtyre të fundit që ta mundnin pa u lodhur fare pasi përballë kanë pasur skuadrëm më të çorganizuar që tifozët kuqezi mund të kenë parë në këto vitet e fundit. Një ndeshje e tillë e luajtur kaq dobët daton më 22 nëntor të vitit 2007, kur Shqipëria u shpartallua 6-1 në Rumani. Asokohe trajner ka qenë një tjetër kroat, Oto Bariç, që nuk denjoi të zbriste fare në stolin e përfaqësueses…
Dje trajneri Kuzhe ka përjetuar mbi supet e tij një peshë shumë të madhe, dërrmuese. Kombëtarja që ai kishte rreshtuar, duke preferuar lojtarët me përvojë dhe pa skuadër në dëm të të rinjve energjikë, u shthur totalisht. Mungesat në mbrojtje nuk janë justifikim, ndonëse reparti i tërhequr ishte skandalisht dobët. Edhe portieri Ujkani nuk ishte aspak në ditë të mirë, pasi në golin e dytë të vendësve, ishte bashkëpunëtor me atë grushtim të keq që nuk devijoi topin larg portës, por e shtyu në rrjetë.
Tifozët kuqezinj të pranishëm në stadium, janë ndjerë të fyer nga loja e të adhuruarve të tyre, ku me përjashtim të Bogdanit apo edhe të Vangjelit, pjesa tjetër e skuadrës ishte shumë, po shumë e çorituentuar. Nga 212 ndeshjet zyratre që Luksemburgu ka luajtur në historinë e tij, kjo kundër Shqipërisë ishte fitorja e 10-të dhe trajneri Luk Holc kishte përse të gëzonte si i marrë në përfundim të një ndeshje ku ekipi i tij dominoi ndaj një Shqipërie apatike dhe të lodhur. Goli i parë, i shënuar në minutën e 27-të nga Betmer, u kalua me një nënqeshje pasi kuqezinjtë ende nuk po futeshin në lojë. Por kur minutat kalonin dhe lojtarët e kombëtares vijonin me gabimet foshnjarake, u kuptua se diçka nuk po shkonte. Kuzhe kërkon dëshpërimisht të kthejë diçka. Heq Kapllanin dhe Duron e fut Bakajn e Muzakën, por prapë gjithçka stonon. Luksemburgu është i rrezikshëm në çdo dalje, në çdo goditje standarte, a thua se ka ndërruar vendet me Shqipërinë. Shto këtu edhe kartonin e kuq të Agollit, që kishte disa minuta që çonte bërrylat dhe takat ndaj kundërshtarëve. Në një rast të tillë, gjyqtari finalndez e ndëshkon me të kuqe në të 54-ën. Megjithatë, Bogdani do të barazojë kur pas një këmbënguljeje të Bakajt, ky pason për Skelën, që depërton në zonë dhe gjuan, por portieri Jubert grushton. “Bogu” i vëmendshëm ndjek aksionin dhe barazon. Krijohet përshtypja se kuqezinjtë do të rikthehen, por diçka e tillë nuk ndodh. Kuzhe sajon një ndërrim, heq Veliun dhe fut Bulkun, por ata që do të shënojnë janë lojtarët e Luksemburgut. Joakim do të gjuajë rrpetë në hyrje të zonës, i pamarkuar nga asnjë mbrojtës kuqezi dhe mposht Ujkanin, që përsërit një tjetër gafë pas asaj ndaj Benzemas. Më tepër nuk mund të thuash asgjë, pasi në mend të shkojnë vetëm situatat e prag-ndeshjes: deklarata e Dukës që kërkonte fitoren me çdo kusht me trajnerin Kuzhe që nuk e kishte fituar ende rinovimin, thirrjet e kroatit për fitore me çdo kusht, premio e caktuar për një kundërshtar që nuk e meriton, loja skandaloze e kuqezinjve dhe nervozimi i Bogdanit që ndëshkohet me të kuqe në fund të ndeshjes dhe godet me shkelma çfarë i del përpara teksa largohet për në dhomat e zhveshjes. Pyetje ka shumë, sidomos kur mendon se kjo ndeshje ngjan shumë me atë kundër Andorrës, luajtur më 17 prill të vitit 2002, kur kuqezinjtë u mposhtën 2-0 dhe trajneri Demollari me këtë rezultat u detyrua të jepte dorëheqjen.
Grupi D
Skuadra N F B H Gol P
1) Franca 8 5 2 1 11-3 17
2) Bosnja 8 5 1 2 11-7 16
3) Bjellorusia 9 3 3 3 6-5 12
4) Rumania 8 3 3 2 10-6 11
5) Shqipëria 8 2 2 4 6-10 8
6) Luksemburg 9 1 1 7 3-16 4
Ndeshjet
Dje
Luksemburg – Shqipëri 2-1
Bosnje – Bjellorusi 1-0
Rumani – Francë 0-0
7 tetor
Rumani – Bjellorusi 20:00
Bosnje – Luksemburg 20:00
Francë – Shqipëri 20:00
11 tetor
Shqipëri – Rumani 20:00
Francë – Bosnje 21:00