E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria pretendon medalje në Botëror

Më datë 1 shtator në Itali do të zhvillohet Kampionati Botëror i Boksit, ku do të jetë pjesëmarrës edhe ekipi ynë Kombëtar i boksit. Prej disa ditësh, boksierët më të mirë nga e gjithë Shqipëria janë grumbulluar në qytetin e Shkodrës, ku po zhvillojnë edhe një fazë përgatitore në prag të startit të evenimentit ndërkombëtar. Boksierët e grumbulluar janë kryesisht sportistë, të cilët kanë pasur rezultate pozitive në kompeticione të tjera sportive, ku kanë qenë të impenjuar kohët e fundit. Ekipi i Kombëtares, prej dy javësh është duke bërë një stërvitje intensive, me qëllim prezantimin sa më mirë në këtë kampionat, ku do jenë pjesëmarrës 600 boksierë, që do të përfaqësojnë mbi 100 shtete. Trajneri i Kombëtares, Zef Gjoni, shprehet se "ky kampionat është më i forti ndër vite dhe se ekipi shqiptar do bëjë të pamundurën për të dalë me medalje nga ky aktivitet. Është një pjesëmarrje e gjerë e boksierëve, pasi 600 sportistët garues janë të moshave të ndryshme, ndaj dhe gara do të jetë tepër e fortë". Ndërkohë, pas kampionatit të të rinjve të boksit, të zhvilluar në Poloni pak javë më parë, ku boksieri vlonjat Aleksandër Rama u radhit në 8 më të mirët, duket se ekipi Kombëtar i boksit do shkojë në Milano të Italisë me pretendime për trofe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›