Shqipëria prezantohet me djemtë e rrugës “Egnatia”
Zv.ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, vizitoi Torinon gjatë javës së fundit, me ftesë të Shoqatës Kulturore Italo-Shqiptare “Vatra” dhe të institucioneve vendore të këtij qyteti, për të biseduar mbi mundësinë e përtëritjes dhe konsolidimit të lidhjeve dhe shkëmbimeve kulturore mes Shqipërisë dhe rajonit të Piemontes. Gjatë vizitës se saj, znj. Turku u takua me funksionarë të lartë të departamenteve të kulturës dhe të integrimit në rajonin e Piemontit dhe në Bashkinë e Torinos. Në këto takime ajo theksoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar në projekte të përbashkëta, me qëllim promovimin dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Piemont dhe anasjelltas.
Ajo u takua gjithashtu me drejtuesit e Bibliotekave të Qytetit të Torinos dhe ata të Teatrit të Operës “Teatro Regio”. Me drejtuesit e institucioneve prestigjioze torineze, u bisedua për mundësinë e shkëmbimeve të përvojës mes tyre dhe institucioneve homologe shqiptare. Piemonti është një nga rajonet italiane dhe evropiane, që shënon praninë më të madhe numerike të një bashkësie shqiptare. Plot 45 mijë bashkëkombës me dokumente të rregullta jetojnë tashmë prej shumë vitesh në këtë territor. Sipas znj. Turku, prania e bashkësisë shqiptare është një tjetër faktor, që do të favorizojë nxitjen e shtimit dhe të intensifikimit të shkëmbimeve mes Piemontit dhe Shqipërisë. Gjatë takimeve të saj me përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare, znj. Turku theksoi rëndësinë e rolit të kulturës, si mjet për kapërcimin e paragjykimeve, për promovimin e imazhit të vendit dhe për t’ia bërë të njohur Shqipërinë fëmijëve të emigrantëve, të cilët e njohin atë pak dhe në mënyrë të paplotë.
Ajo shprehu gjithashtu edhe vëmendjen e madhe të qeverisë Berisha, ndaj qytetarëve shqiptare që jetojnë, punojnë apo studiojnë jashtë atdheut dhe gatishmërinë e plotë të saj për t’u ardhur në ndihmë përpjekjeve të emigrantëve në rrugën e tyre drejt integrimit të plotë në shoqëritë pritëse. Znj. Turku mori pjesë edhe në konferencën për shtyp të organizuar nga shoqata “Vatra”, Bashkia e Torinos dhe Fondacioni Bankar Compagnia di San Paolo, për të prezantuar projektin e promovimit turistik të Shqipërisë të titulluar “I Ragazzi della Via Egnatia”.
Me këtë rast u përurua edhe zyra e parë e promovimit turistik të Shqipërisë, jashtë kufijve të vendit. Zyra e hapur në kuadër të projektit “Të rinjtë e rrugës Egnatia”, parashikon gjithashtu edhe realizimin e një dokumentari mbi turizmin shqiptar, një guidë turistike në italisht dhe në anglisht, si edhe të një siti ueb shumëgjuhësh. Një nga objektivat e saj është edhe dërgimi në Shqipëri i turistëve nga Piemonte në zona turistike të Shqipërisë. Znj. Turku tha se “ky është një projekt i cili dëshmon për rëndësinë e rolit të luajtur nga diaspora shqiptare në zhvillimin e vendit. Rritja e aftësisë projektuese dhe e peshës së investimeve nga ana e bashkësisë shqiptare në diasporë do të gjejë të njëjtën përgjigje nga ana e qeverisë shqiptare. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në partneritet me këto nisma, për t’u garantuar atyre një realizim të plotë dhe të suksesshëm, si edhe ecurinë e tyre në kohë. Bashkëpunimi me qeverinë shqiptare do t'i garantojë projektit bashkërendimin me nismat e tjera të rëndësishme në fushën e turizmit në Shqipëri”.