Urgjencat, pa kushte, nuk përballojnë fluksin e pacientëve
Urgjencat e QSUT-së nuk kanë kushtet dhe mjediset e domosdoshme për të përballuar fluksin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore
Shtohen dita-ditës rastet e qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore pranë urgjencave të QSUT-së. Ilirian Laçi, mjek urgjence në Urgjencën e Kardiologjisë, thekson për “Standard” se pranë kësaj urgjence jepet shërbim mjekësor deri në 100 pacientë në ditë. Ndërkohë ai shton se urgjencat nuk ka kushtet dhe ambientet për të përballuar fluksin e madh të pacientëve që kërkojnë ndihmën mjekësore.
Kushtet
Urgjenca e Kardiologjisë është mbase një ndër të vetmet që përballon gjatë 12 muajve të vitit fluksin më të madh të pacientëve dhe sërish kushtet e saj lënë mjaft për të dëshiruar. Lumturia, një nënë 65-vjeçare e sëmurë me diabet, pohoi se kishte ardhur në urgjencë dhe mjekët i kishin vënë serumin në karrige, pasi nuk kishte shtretër të lirë.
Mjekët e këtij shërbimi gjithashtu pohojnë se ka mungesë të theksuar të shtretërve dhe se fluksi i pacientëve që i drejtohen urgjencës nuk marrin të gjithë shërbim të njëjtë. Ilirian Laçi, mjek urgjence në Urgjencën e Kardiologjisë, shprehet se “fluksi i madh i pacientëve që i drejtohet kësaj urgjence vë akoma më në pah mungesën e shtretërve. Në të shumtën e rasteve detyrohemi t’i bëjmë pacientit serumin 2 në një shtrat ose edhe në karrige”.
Kjo urgjencë dhe të tjera në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përballen me mungesa të theksuara, si mjedise dhe shtretër. Numri i pacientëve që u drejtohet urgjencave është tejet i madhe. Në pjesën më të madhe të tyre urgjencat përballojnë deri në 100 apo 150 raste në ditë. Për një pjesë të pacientëve u shërbehet në shtrat një pjesë tjetre në karrige. Duke qenë një spital universitar ai pret pothuajse gjithë pacientët e sëmurë. Urgjenca e Kardiologjisë pret edhe raste jo shumë të rënda që nuk konsiderohen urgjencë. Mungesa e theksuar e kushteve pranë urgjencave bënë që një pjesë e mirë e pacientëve të mbahen vetëm disa minuta duke u larguar më pas në shtëpi. Ndërkohë që për rastet më të rënda që përveç ndihmës mjekësore të parë kanë nevojë për shtrim mbesin akoma në urgjencë pasi pavijonet lart janë të tejmbushura.
Dyndje në Infektiv dhe në ORL
Gati të gjitha urgjencat e QSUT-së kanë pasur dyndje pacientësh. Vetëm gjatë fundjavës dhe ditës së djeshme, në shërbimin infektiv të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” ka pasur fluks pacientësh, me simptoma të helmimit ushqimor.
Burime nga QSUT-ja bënë të ditur se te pacientët e paraqitur pranë këtij shërbimi, janë shfaqur shenja helmimi nga ushqimet. Sipas të dhënave, në fundjavë, fluksi ka qenë deri në 100 persona, të cilët kanë marrë ndihmën e parë me serum dhe medikamente të ndryshme dhe më pas janë larguar. Ndërkohë, mjekët bëjnë apel që të tregohet kujdes me ushqimet që konsumohen, për të cilat blerësit duhet të sigurohen që janë të kontrolluara dhe të sigurta.
Ndërkohë, gjatë fundjavës shumë qytetarë janë paraqitur dhe në shërbimin e ORL-së, për shkak të problemeve të shfaqura në veshë, hundë dhe sy, si pasojë e frekuentimit të pishinave dhe plazheve.