E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, progres në ekzekutimin e vendimeve të Strasburgut



Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës bëri publik dje një vendim për progresin e arritur nga Shqipëria në ekzekutimin e disa vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhur kryesisht me kohëzgjatjen e procedurave civile dhe mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të brendshme si çështjet Gjonboçari dhe Marini. “Qeveria shqiptare paraqiti reformat më të fundit të ndërmarra në këto fusha dhe Komiteti inkurajoi autoritetet të vazhdojnë përpjekjet e tyre. Megjithatë, Komiteti vërejti mungesën e vazhdueshme të mjeteve efektive për ata që ndihen viktima të procedurave gjyqësore tepër të gjata, por në pritje të ndryshimeve legjislative, vërejti edhe zhvillimet interesante më të fundit të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtin njoftim thuhet më tej se së fundmi, në vijim të një çështjeje ku Gjykata Kushtetuese ishte në pamundësi të jepte drejtësi, për shkak të një ndarjeje të barabartë të votave, qeveria informoi Komitetin se Gjykata Kushtetuese kishte marrë masa praktike për të evituar këto situata të veçanta. Gjithsesi, Komiteti i Ministrave inkurajoi vazhdimin e reflektimit nga ana e autoriteteve, sidomos për nevojën e ndryshimit të legjislacionit për Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›