E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, shembull i keq për "Republikat e Bananeve"

Shqipëria po bëhet e famshme kohët e fundit në Amerikën Latine, e në veçanti në vendet e grupimeve, që ndryshe quhen dhe si "Republikat e Bananeve". Politikanët e Amerikës Qendrore po e përdorin vendin tonë gjithnjë e më shumë si shembull të keq politik. Dje e ka pasur radhën Presidenti i Kosta Rikas, Oskar Arias, i cili duke bërë thirrje për ruajtjen e regjimit aktual në Honduras, deklaroi nga shtëpia e tij në qytetin Rohrmoser se "populli i Hondurasit nuk mund të dënohet për një kohë të gjatë. Ne nuk mund të bëhemi Shqipëria e Amerikës Qendrore, e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Deklarata e Presidentit të Kosta Rikës në lidhje me Shqipërinë është bërë në mbështetje të Presidentit të zgjedhur të Hondurasit, Porfirio Lobo, me të cilin zhvilloi një takim para dy ditësh në kryeqytetin e Kosta Rikas, San Hoze.

Presidenti i Hondurasit, Lobo, tha se do të ketë amnisti për të gjithë pjesëtarët që morën pjesë në grushtin e shtetit të 28 qershorit dhe i bëri thirrje ish-presidentit Manuel Zelaya të largohet nga ambasada braziliane, ku ndodhet në ekzil.

Shtetet e Bashkuara dhe Brazili kanë dënuar rikthimin e Zelajas, por fati i tij mbetet i paqartë, pasi Kongresi(Parlamenti) i Hondurasit votoi javën e shkuar që të mos e lejojë të mbyllë mandatin e tij presidencial të ndërprerë nga ushtarakët.

Zelaja qëndron në ambasadën braziliane, duke thënë se do të rrijë gjatë, derisa ta lejojnë mirëpritësit, ndërkohë që ushtarët mbajnë të rrethuar rezidencën.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›