E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, miting për 20-vjetorin e ambasadave



ADI SHKEMBI

Maxhoranca do të organizojë një miting më 1 korrik në kujtim të 20-vjetorit të hyrjes së njerëzve në ambasada. Lajmin e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit në 20- vjetorin e rënies së “Murit të Berlinit” në Shqipëri, siç e quajti ai, do të zhvillohen disa aktivitete. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i ekzekutivit tha se mitingu do të zhvillohet në sheshin e Qytetit Studenti. Por në të njëjtën kohë Berisha sqaroi se zhvillimi në këtë vend nuk ka të bëjë me rikonstruksionin që ka nisur bashkia në qendër të Tiranës. “Shqiptarët mendonin se nuk mund të mbeteshin ‘Kuba e Adriatikut’ dhe ata duhet të bënin detyrën e tyre. Ndonëse në një terror të pakrahasueshëm me detyrën që bënë qytetarët e Gjermanisë Lindore, detyrën që bënë hungarezët, polakët dhe bullgarët, që ishin në krye të kësaj lëvizjeje, ndaj dhe ata nisën lëvizjet e tyre të fuqishme, të cilat ne do i nderojmë bashkarish në këtë 20-vjetor. Sipari i këtyre nderimeve nis me një miting dhe një ekspozitë. Mitingu do jetë më 1 korrik pasdite në Qytetin Studenti dhe më 2 korrik do jetë ekspozita”, tha Berisha. Sipas tij, “është zgjedhur Qyteti Studenti për mitingun, jo se kryetari i bashkisë ka ngritur pllakat e sheshit qendror, por është zgjedhur me një simbolikë. 2 korriku përbën përpjekjen e madhe të rinisë shqiptare për të shembur ‘Murin e Berlinit’ në Tiranë, më 2 korrik dhe pak ditë më parë me qindra dhe mijëra të rinj shqiptarë shembën murin dhe hynë në territorin e ambasadave të vendeve të lira. Ne duhet ta nderojmë këtë datë”. Sipas tij, sistemi i skllavërisë që kanë përjetuar mbi 2/3 e shqiptarëve gjatë kohës së regjimit nuk është shkruar në asnjë letër dhe për këtë periudhë nuk është bërë asnjë film. “Për fatin më të keq është pothuajse i paimagjinueshëm nga çdo i huaj, por në shumë e shumë raste i paimagjinueshëm nga shumë shqiptarë që jetuan në qytete, që të paktën kishin disa triska dhe tollonë dhe njihnin këtë realitet, por jo realitetin tjetër, ku nuk kishte asgjë, përveç kripës dhe bukës së misrit, që provokonte pelagrën dhe maksimumi një litër vaj apo një kg sheqer”, tha më tej Berisha.
Zgjedhjet
Një vit pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kreu i maxhorancës i vlerësoi ato edhe njëherë si më të mirat e zhvilluara në vend, ku nuk pati prova për manipulimin e rezultatit. Në këtë kontekst ai i bëri sërish thirrje opozitës për të bashkuar votat për të kthyer në ligj amendamentet e saj. “Sot është një ditë, të cilën unë shfrytëzoj rastin të ftoj opozitën, në interesin e saj më të mirë dhe të vendit, të ushtrojë të gjithë funksionet dhe rolin që i përket. E garantoj atë se mbetem i vendosur që bashkërisht të shtrojmë në ligj dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Kur them bashkërisht, nuk tërhiqem nga zotimi që opozita të ketë të drejtën ekskluzive të amendamenteve dhe kjo maxhorancë t’i votojë ato natyrisht, pasi të ketë marrë një opinion nga Komisioni i Venecias ose nga OSBE/ODIHR-i”, tha më tej kreu i Qeverisë. Në fund të fjalës së tij Berisha dhe deputetët demokratë shkëmbyen batuta për ndeshjet e Botërorit, të cilat siç tha Kryeministri, kishte filluar t’i ndiqte, megjithëse fillimisht vendosi t’i shohë që nga çerekfinalet.

Batuta në mbledhjen e grupit

Berisha: Duke falënderuar miqtë e mi që me telefon më rikujtuan për ndeshjet e mëdha që po zhvilloheshin dhe unë lash atë që kisha para dhe ju drejtova TV. Mund të them se ndeshjet e djeshme ishin perla të vërteta në historinë e futbollit botëror. Po unë si jo ekspert pashë dy gjëra, do i lejoj vetes të bëj dy komente. Një Argjentinë që më kujtoi Holandën e kulmit të saj. Një Argjentinë furtunë, e shpejtësive të papara ndonjëherë në stadium dhe një Gjermani me një përgatitje fizike dhe programim të shkëlqyer, i kishte të dyja që i dhanë fitoren asaj. Kishte një programim preciz të fuqishëm të paparashikueshëm.
Dashnor Sula: Doktor, arbitri ia dha golin Gjermanisë...
Berisha: Ajo që bëri arbitri ishte një marrëzi, sepse ai ishte një gol i qartë dhe i sigurt.
Edi Paloka: Kampionatin e merr Gjermania këtë vit.
Berisha: Nuk mund të them se Gjermania nuk demonstroi një shkallë të lartë. Pra, mund t’ju them se mu prish axhenda, e kisha ndërmend të shikoja vetëm ndeshjet e fundit, tani po pres të shoh më 3 korrik, që është pothuajse finalja, Argjentina dhe Gjermania.
Berisha shikon nga Majlinda Bregu.
Bregu: Në fakt unë nuk e kam parë ndeshjen.
Berisha: Unë do t’i ndjek të gjitha, po ajo e tregoi se është faktikisht finalja, por ndoshta jo. Argjentina kishte një përgatitje atletike të paimagjinueshme Sokol.
Sokol Olldashi: Unë në fakt isha tifoz me Kamerunin, po ai iku.
Berisha: Ajo çka mund të them është se unë nuk jam fare tifoz, por keqardhje kam ndier për të dyja edhe për Italinë, edhe për Francën, por edhe për Anglinë.
Edi Paloka: Italia u eliminua se me atë ishte Rama.
Berisha: Këto mund të dilnin të paktën në gjysmëfinale, por nuk e shtynë dot, gjeopolitika është gjeopolitikë, jo më kot u çuan në Johanesburg, e kishte dhe ajo kuptimin e vet.
Luan Skuqi: Unë mendova që tani të bëhemi me atë që ka Presidencën e radhës BE, Belgjikën, por ajo nuk është sivjet.
Patozi i afrohet Kryeministrit
Berisha: Zoti Patozi po më thotë që nga ky Botëror po qajnë bastexhinjtë, por në të vërtetë dje filluan ta ndjekin kampionatin ata që do t’i quaja jo bastexhinj, dhe ftoj të gjithë politikën të bashkohemi me qytetarët dhe të ndjekim kampionatin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›