E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femra të huaja për të dënuarit,akuzë ish-drejtorit të burgut

 

BURREL/ HASAN PASHA

"Futja e vajzave në takimet speciale me të dënuar pa pasur asnjë lidhje me ta dhe futja e objekteve të ndaluara në qelitë e sigurisë së lartë". Me këto dy akuza të Prokurorisë së Matit është njohur dje në sallën e gjyqit ish-drejtori i burgut të Burrelit, Shyqyri Dushku. Në seancën e djeshme i akuzuari i ka kërkuar trupit gjykues të kryesuar nga Ali Koleci "gjykim të shkurtuar", pra gjykimi të bëhet vetëm mbi vlerësimin e akteve të paraqitura nga organi i akuzës. Kërkesa e Dushkut është hedhur poshtë si nga prokurori Sabri Kastrati, ashtu dhe nga kryesuesi i seancës, me argumentin se në sallën e gjyqit do të bëhet ballafaqimi i provave, duke i dhënë kështu mundësi ish-drejtorit të sqarojë para trupit gjykues ato që ka thënë para oficerëve të policisë gjyqësore. Dosja ndaj Dushkut është hapur vetëm disa ditë pas arratisjes së dy të dënuarve të përjetshëm nga burgu i sigurisë së lartë në Burrel, të cilët prenë hekurat me një fletë diamanti. Dhjetë të ndaluarit për ngjarjen e bujshme kanë përmendur në dëshmitë e tyre dhe veprimet e mosveprimet e ish- drejtorit Shyqyri Dushku, duke e akuzuar atë se ka lejuar hyrjen në takime speciale të femrave, që nuk kanë pasur lidhje me të dënuarit. Burime të sigurta saktësojnë se mes dokumenteve të bllokuara nga hetuesit rezulton se disa vajza të ardhura kryesisht nga Lezha, Puka, Shkodra e Tropoja kanë hyrë në takime speciale, paçka se nuk kanë pasur lidhje martesore me të dënuarit. Nga verifikimet e kryera në gjendjet civile nga "vinin" këto dokumente, mësohet se ato ishin false. Fotot e vendosura në këto certifikata, që kanë shërbyer për takimet speciale, nuk përputhen me emrat e tyre, sidomos në periudhën qershor-dhjetor 2007, kur drejtor ishte Dushku. Kjo është pjesa më delikate e hetimeve të kryera nga prokurori Sabri Kastrati, ndërkohë ish-drejtori është nën akuzë dhe për futjen e sendeve të palejueshme në mjediset e brendshme të burgut. Një hetim intensiv ngre dyshime se ish-drejtori ka qenë në dijeni për futjen e një fijeje diamanti në këtë institucion, e cila shërbeu më vonë për arratisjen e Preng Lleshit e Fran Marashit, dy të dënuarve me burgim të përjetshëm. Në nëntor të vitit të kaluar prokurori i Matit, Sabri Kastrati kërkoi masën e sigurisë "burg pa afat" për Shyqyri Dushkun, me akuzën e "shpërdorimit të detyrës", por kjo kërkesë u rrëzua, duke u lënë në hetim në gjendje të lirë.
Pretendimi i ngritur nga ish-drejtori se femrat, që janë futur në takimet speciale kanë aktmarrëveshje për bashkëjetesë me të dënuar është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit. Ajo ka argumentuar se bashkëjetesa nuk ekziston në rastin kur njëri nga partnerët ka kufizim lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›