E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, darkë me ambasadorët e SHBA dhe BE në "Sky Tower"

 

Kreu socialist, Edi Rama, organizoi mbrëmë një darkë pune me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së, ambasadorin amerikan, Xhon Uidhers, ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan dhe ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Darka me ambasadorët është takimi i parë që kreu socialist dhe përfaqësuesit e lartë socialistë zhvillojnë me trupin diplomatik në Tiranë, në kuadrin e kontakteve të vazhdueshme që ata mbajnë, por dhe pozicionimit të PS-së në lidhje me situatën politike në vend. Pesë muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, kreu socialist ka bërë një pasqyrë të përgatitjes serioze që selia rozë ka nisur për të fituar zgjedhjet. Nuk do mungojë dhe njohja me risitë organizative që PS-ja do të aplikojë për herë të parë në fushata elektorale, por jo të panjohura për trupin diplomatik. Adoptimi i disa skemave të fushatës amerikane të Presidentit Obama, por dhe përgatitja e një programi elektoral dhe qeverisës ambicioz, i iniciuar nga tryezat masive gjatë "Dialogut" dhe i hartuar me ndihmën e ekspertëve të majtë gjermanë, italianë dhe spanjollë, do të jenë informacioni që ambasadorët e akredituar në Tiranë do të marrin direkt nga kryetari socialist gjatë darkës së djeshme. Por Rama mësohet të jetë ndalur në ekspozenë e tij dhe në keqqeverisjen e vendit nga maxhoranca aktuale. Vend të veçantë për kreun socialist ka zënë dhe sulmi që kryeministri Berisha ka ndërmarrë ndaj institucioneve kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme, por dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi përmes ligjit të "Pastërtisë së figurave". Në darkën e djeshme kanë marrë pjesë përveç kryetarit socialist, edhe sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, sekretarët Blendi Klosi, Kastriot Islami, Andis Harasani, Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Jashtëm dhe Integrimit, Taulant Balla. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›