E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria s’ka kaluar në recesion, rritja ekonomike 4%

21-10-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të IPU-së, në Bernë –  takon kryetarë të parlamenteve të shumë vendeve


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë në Asamblenë e 125-të të  Përgjithshme Parlamentare të IPU-së, e cila zhvilloi punimet në Bernë të Zvicrës, me pjesëmarrjen e krerëve të parlamenteve nga mbarë Bota. Asambleja e Përgjithshme Parlamentare e IPU-së, e vetmja organizatë globale e parlamentarizmit dhe e parlamentarëve në të gjitha parlamentet e botës kishte në fokus të takimit krizën ekonomike globale dhe zgjedhjet e reja të IPU-së. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë forum si një shtyllë kryesore të parlamentarizmit në shkallë globale, me parimin “sa më të fortë parlamentet aq më e fortë demokracia”. Kryetarja Jozefina Topalli tha se “kjo asamble është përqendruar kryesisht në krizën globale ekonomike si në pjesën e eurozonës ashtu dhe në krizën globale edhe në kontinente të tjera”. “Është një sfidë e vështirë me të cilën po përballet bota sot. Është një sfidë me të cilën kërkohet një vendimmarrje e guximshme, është ndoshta një shans që të tilla sfida dhe kriza të shihen si oportunitete për të gjetur zgjidhje mbi mos-zgjidhjet e dekadave të tëra që kanë çuar në një moment të tillë. Ky është një shqetësim, me të cilin nuk mund të përballen vetëm qeveritë, por për të cilin duhet të flitet, të debatohet, të diskutohet edhe në parlamentet e çdo vendi dhe natyrisht edhe në këtë forum të madh global të parlamentarizmit. Në të gjithë këtë debat mbi borxhin sovran të të gjithë vendeve të Europës dhe të botës besoj se si shqiptare natyrisht që ndihem mirë që Shqipëria nuk ka kaluar në recesion. Ndihem mirë që Shqipëria është me 4 % rritje. Natyrisht mendoj se duhet të jemi shumë vigjilentë, shumë të angazhuar dhe të mobilizuar, sepse Shqipëria është e rrethuar nga vende që po kalojnë krizë. Kriza në shkallë globale është serioze”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja e shfrytëzoi forumin e Asamblesë së Përgjithshme të IPU-së për t’u takuar me kryetarë parlamentesh nga Europa e bota, me të cilët ka vendosur tashmë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi dhe shumë miqësore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›