Shqipëria “skuq” Malin e Zi, heroi Salihi
Falë një eurogoli të Hamdi Salihit në minutën e 79-të, Shqipëria triumfoi 1-0 ndaj Malit të Zi në miqësoren e zhvilluar në Podgoricë, fitorja e dytë rresht pas asaj me Irlandën e Veriut në Tiranë (të vendosur me një gol të Ervin Skelës). Trajneri Kuzhe, mund të konsiderohet një “mjeshtër” i miqësoreve, pasi në pesë ndeshje të zhvilluar nën drejtimin e tij, Shqipëria ka fituar tre takime dhe ka barazuar dy. Kuqezinjtë nuk humbasin në shtatë miqësoret e fundit. Fitorja ndaj Malit të Zi ishte edhe një fitore e Kuzhesë ndaj homologut të tij kroat, trajnerit Zllatko Kranjçar, në sfidën e gjykuar po nga gjyqtarë kroatë. Kjo ishte miqësorja e 76-të e Shqipërisë, e që përkoi me fitoren e 28-të të saj, e për më tepër ndaj Malit të Zi, ndaj të cilët edhe ka fituar në ndeshjen e parë të saj, 5-0, në vitin e largët 1946. Pas ndeshjes, trajneri Kuzhe pohoi se ishte i kënaqur me mbrojtjen, por jo me sulmin, kjo dhe për shkak të zëvendësimit të shpejtë të Ervin Skelës së dëmtuar. “Jam i kënaqur me rezultatin. Ndaj Andorrës do të provojmë lojtarë të rinj”.
Pjesa e parë
Edhe pse Mali i Zi u shfaq më dominues në mesfushë, rastet më të mira i pati Shqipëria, kur Bogdani në minutën e 22-të shpërdoroi një rast të mirë për të shënuar pas një topi të harkuar nga Ervin Bulku. Sulmuesi i Kievos nuk ia doli të kontrollojë mirë topin brenda zonës malazeze. Para këtij momenti ishte Hamdi Salihi , ai që nuk kontrolloi saktë një top të dhënë pas një sllallomi të Ervin Bulkut. Malazezët luajtën fort, madje më ndërhyrjen e Miodrag Xhudoviçit, kapiteni Ervin Skela pësoi edhe një çarje në kokë aq sa fantazisti shqiptar u detyrua t’ia linte vendin Jahmir Hykës në minutën e 18-të. Shiritin e kapitenit e mori Lorik Cana, detyrë që e bën edhe te Sanderlendi në Premier Ligë. Cana mbylli shumë zona në zemër të mbrojtjes sonë, teksa nuk i lejoi kapitenit të Malit të Zi, Mirko Vuçiniç të rrezikonte, përveç gjuajtje së lirë në minutën e 42-të, por dhe ajo dukshëm jashtë kuadratit. Pjesa e parë mbyllet me një goditje të një kundërshtari malazias në fytyrën e Agollit, kur mbrojtësi i majtë shqiptar kishte rrëshqitur në pistë.
Pjesa e dytë
Një fraksion më solid i Shqipërisë, nga minuta e parë e saj e deri te fërshillima e fundit e gjyqtarit. Jahmir Hyka gjarpëroi në kufijtë e zonës së rreptësisë, duke fituar një goditje të lirë. Duro në minutën e 52-të ekzekutoi mjeshtërisht, por sfera përfundoi paksa mbi kuadrat, githsesi solli entuziazëm te tifozeria shqiptare e pranishme në Podgoricë. Shqipëria luajti fort dhe katër kartonët e verdhë të marrë deri në minutën e 55-të dëshmuan edhe grintën e skuadrës sonë. Bogdani, edhe pse u tregua shumë aktiv, u kap shpesh në pozicion jashtë loje. Gjergji Muzaka zëvendësoi Klodian Duron në minutën e 64-t, dhe po Edmond Kapllani zuri vendin e Erjon Bogdanit. Hidi bëri një ndërhyrje shembullore, duke bllokuar një silurë të malazezëve nga një goditje e lirë prej 28 metrash në minutën e 67-të. Disa këmbëngulje të Hykës, në kërkim të Salihit u neutralizuan nga malazezët. Prania e Kapllanit i dha më shumë frymëmarrje sulmit, derisa erdhi momenti i Ansi Agollit, kur këmbëmajti goditi traversën në minutën e 69-të, me një gjuajtje perfekte, si në rastin e golit të tij në miqësoren kundër Gjeorgjisë, në qershor të vitit 2009. Momenti kulmor i takimit në 70 minutat e para. Në fushë për Malin e Zi edhe sulmuesi kosovar i Buduçnostit, Fatos Beqiraj, i pozicionuar në krah të sulmuesit të Romës, Mirko Vuçiniç. Hamdi Salihi në minutën e 79-të shënoi një supergol, me një goditje perfekte nga rreth 23 metra. Gjergji Muzaka harkoi një top në zonë, Xhudoviç devijoi topin që mbërriti te shkodrani, dhe sulmuesi i Rapidit të Vjenës tregoi klasin e tij, duke realizuar golin e mrekullueshëm. Tifozët më pas nxorën në tribunë edhe një banderolë me portretin e tij me bluzën e Kombëtares. Dy minuta më pas, Salihi i la vendin Elis Bakajt, i përcjellë nën duatroktitjet frenitike të tifozëve kuqezinj. Tri minuta më pas, ishte Hyka me një veprim virtuoz në fundore, që i ofroi Kapllanit një mundësi të dytë. Në minutën e 85-të, Kuzhe hodhi në fushë Gilman Likën në vend të Ervin Bulkut, ky i fundit në një ndeshje me rendiment dhe produktivitet. Cana, një tjetër pikë e fortë dhe pagabueshme në qendër të mbrojtjes, duke u shndërruar në një “tapë” hermetike ndaj çdo tentative të malazezëve për të çarë në qendër. Pak minuta edhe për Emiljano Vilën në vend të Andi Lilës në minutën e 89-të. Katër minutat shtesë nuk dhuruan asgjë për një Mal të Zi tërësisht të nervozuar, e të shoqëruar me ndërhyrje të rrezikshme. Një fitore dinjitoze e Shqipërisë ndaj Malit të Zi të Mirko Vuçiniçit.
Miqësore
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Shënues: Salihi 79’
MIQËSORET ME KUZHENË
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Bushati: “Polonia, një test serioz”
Shqipëria U-21 do të luajë një miqësore me Poloninë (26 maj, 17:00 në “Loni Papuçiu”). Trajneri Artan Bushati e ka vlerësuar jo pak atë. “Jemi në periudhë seleksionimi, si për futbollistët që luajnë në kampionatin tonë, por dhe ata që vijnë nga shtetet fqinjë. Polonia? Është një test serioz. Ashtu sikundër edhe ne, Polonia është skualifikuar nga Europiani i fundit. Kundërshtarët, megjithatë janë të njohur, të fortë”. Bushati pranoi se një bërthamë e mirë lojtarësh është krijuar tashmë në gjirin e U-21. “Kjo dhe për faktin se kemi disa lojtarë që tashmë janë piketuar nga trajneri i përfaqësueses Kuzhe. Madje (Bekim) Balën e kemi marrë me mirëkuptim, duke mos e lejuar të shkojë në Mal të Zi”.
Shpresat fituan të hënën 2-1 testin me Vllazninë U-19. Bushati: “Forma e portierit (Stiv) Frashëri (Aris Selanik, Greqi) dhe (Guido) Tepshit (Bohemians 1905, Çeki) ishin një befasi”.
Ndeshja me Polonine shihet edhe si nje test i mire perpara perfundimit te eliminatoreve te Kampionatit Europian 2011, qe do të mbyllet me ndeshjen në transfertë ndaj Azerbajxhanit, më 4 shtator 2010. Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë, duke pasur në bilancin e saj: 1 fitore (me Azerbajxhanin), 1 barazim me Austrinë dhe 5 humbje (me Skocinë, 2, Austrinë dhe Bjellorusinë, po 2). Grupi 10 kryesohet nga Skocia dhe Bjellorusia, të dyja nga 12 pikë. Austria ndodhet në vendin e tretë me 10 pikë, Shqipëria e parafundit me 4 pikë dhe Azerbajxhani i fundit me asnjë pikë.
Murinjo: “Flas me Zotin çdo ditë”
Trajneri portugez zbulon “lidhjen” e veçantë
“Çfarë rëndësie ka Zoti në jetën tuaj? Flas me të çdo ditë”. Kështu i është përgjigjur Hoze Murinjo pyetjes së bërë nga revista portugeze “Sabado”. Trajneri (pritet të konfirmohet te Real Madrid) konfirmoi se për të feja është shumë e rëndësishme dhe se kishte frekuentuar kishëzën në qendrën sportive të Interit. Intervista u publikua edhe gazetën spanjolle “As”. Murinjo, pas “tripletës” madhështore me zikaltërit, stërviti Interin në “Apiano Gentile” për të fundit herë, ndërkohë që në mbrëmje udhëtoi drejt Madridit.
Raiola: “Ibra nuk ikën nga Barça”
Ibrahmoviç nuk është në merkato dhe nuk ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Barcelona. Është agjenti i tij, Mino Raiola, i cili hodhi poshtë për “Sky Sport” zërat që e shihnin sulmuesin suedez në fokusin e Milanit. Raiola foli edhe për Balotelin. “Për momentin jemi të kënaqur për mënyrën se si përfundoi sezoni dhe për kthimin në grupin e lojtarëve”. Përsa i përket të ardhmes, Raiola theksoi se duhet të fliste edhe me klubin e Interit. Përsa i përket të kaluarës, Raiola tha: “Nuk e di nëse problemi ishte vetëm me Murinjon”.
Snajder: “Reali? Gjithçka e mundur”
Uesli Snajder nuk e përjashton lamtumirën nga Interi për të riveshur bluzën e Realit të Madridit. I mbërritur në “San Siro”, 12 muaj më parë mesfushori holandez nuk e fsheh dëshirën për të punuar me Murinjon, trajnerin e ardhshëm të “merengues”. “Kthimi te Reali? Gjithçka është e mundur, - tha Snajder për të përditshmen holandeze “Telegraaf”. – Më duhet të flas me Murinjon. Fitova 3 trofe me Interin, dhe nuk mendoj se do të më zhgënjente”.
Bufon: “Italia mund të fitojë Botërorin”
Italia ka cilësinë për të mbrojtur titullin e kampionit të botës, por “do të jetë shumë e vështirë”. Ky është mendimi i portierit italian, Xhanluixhi Bufon, gjatë një interviste të dhënë për të përditshmen franceze “Le Parisien”. Sipas Bufonit, Italia mund të duket pak e plakur “nëse do të shiheshin kartat e idenitetit”: “Por, dëshiroj të jem optimist, duke thënë se është një skuadër që ka eksperiencë”. Sipas Bufonit, edhe “Bleus” nuk duhen nënvlerësuar: “Franca mund të fitojë Botërorin”.
Arsenali: Fabregas kushton 93 mln euro
Arsenali fiksoi çmimin e Sesk Fabregasit. Barcelona duhet të derdhë 93 milionë euro nëse dëshiron të ketë mesfushorin spanjoll. Vlerësimi u bë nga trajneri Arsen Venger, pasi më parë ishte folur për një shifër shumë të ulët, rreth 40 milionë të ofruar nga Barcelona. “Është një tratativë shumë e komplikuar, - tha një burim pranë “Topçinjve”, - dhe mund të zgjasë deri në fund të gushtit pa ndihmuar asnjërin. Rreziku është se Arsenali nuk mund t’ia dalë të gjejë një zëvendësues në lartësinë e tij”.
Murinjo: “Ronaldo, më i mirë se Mesi”
Hoze Murinjo nis sulmin mediatik në Spanjë. I pyetur nga revista portugeze “Sabado”, se kush ishte më i mirë për të, Kristiano Ronaldo apo Mesi, Mou u përgjigj: “Për mua, më të mirët janë lojtarët e mi. Me të gjithë respektin, imagjinoj se Kristiano dhe Mesi do të më kuptojnë, por për mua më të mirët janë Diego Milito, Pandev, Eto’o dhe Snajder. Ata janë më të mirët. Por për atë që është edhe thelbi i një futbollisti të sotëm në të gjitha aspektet, fiziku, teknika, taktika, aksionet me top, kundërsulmi, puna mbrojtëse më duket se Kristiano është një lojtar më mirë se Mesi përgjatë shumë viteve”.
26 Maj 2010