E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumaher: Te Ferrari jo për adrenalinën,por prej besnikërisë

Mikael Shumaher do të jetë në timonin e Ferrarit F60 më 23 gusht, në Çmimin e Madh të Europës në Valencia. Gjermani u thirr për të zëvendësuar Felipe Masën, protagonist i një aksidenti të frikshëm në Hungari. Tri vjet pasi u tërhoq nga karriera si pilot në Formula 1, shtatë herë kampioni i botës shpjegoi arsyet që e bindën të kthehej. "Fakti që do të zbres sërish në pistë më entuziazmon, por në këtë periudhë fatkeqe për Masën u ktheva prej besnikërisë ndaj skuadrës", deklaroi 40-vjeçari. "Është e vërtetë që kapitullin e F.1 e quaj të mbyllur prej kohësh, por nuk pranova të drejtoj përsëri një makinë garash për të ndjerë adrenalinën. Në fakt, në të kaluarën, kur zbrisja në pistë isha mjaft i qetë dhe rrahjet e zemrës i kisha normale. Më pëlqejnë duelet me pilotët e tjerë, por emocione më të mëdha, mund të ndjesh duke u hedhur me parashutë nga një aeroplan. E kam licencën e parashutistit dhe e di se çfarë them kur bëj një krahasim mes këtyre dy përvojave. Natyrisht që fillimi i garës ose momenti kur i mbijeton një aksidenti është emocionues. Megjithatë, as në garat me motorë, nuk kam marrë pjesë për të ndjerë adrenalinën. E kam bërë vetëm për kënaqësi", tha Shumaher. "Gjëja më e rëndësishme është që lajmet rreth Felipes janë pozitive dhe i uroj shërim sa më të shpejtë. Zhvillova një takim me drejtorin sportiv, Stefano Domenikali dhe presidentin e Ferrarit, Luka di Montexemolo, e së bashku vendosëm që do të stërvitesha për të zëvendësuar Masën. Po pres me padurim të përballem me këtë sfidë. Kur nuk je në pistë dhe qëndron në bokse si spektator, ndjesia nuk është e njëjtë: nuk provon të njëjtat emocione, pasi kur nget një makinë të Formula 1 je i përfshirë në të gjitha detajet".

Gjermani nuk kishte mundësi ta njihte me detaje makinën F60, pasi skuadrat e tjera (duke u bazuar te rregullorja) u shprehën kundër testimeve gjatë kampionatit. Shumi konfirmon se është paksa i shqetësuar për këtë çështje dhe shton: "Pamundësia për t‘u testuar me makinën e këtij sezoni përbëjnë pengesë, por duhet të theksoj se problemet që kemi pasur gjatë këtij viti me makinën nuk mund të zgjidhen vetëm duke garuar në pistë. Në fillim të Botërorit 2009 ishim një sekondë më të ngadaltë se dy vendet e para. Kjo vonesë krijon shumë diferencë në pistë. Gjithsesi, këto lloj problemesh duhet të zgjidhen në fabrikë". Gjatë këtyre ditëve, piloti nga Kerpen ka garuar me makina "go-kart" në cirkuitin e Lonatos. Stërvitja është bazuar kryesisht te forcimi i muskujve të qafës, ndërsa gjermani ka punuar me fizioterapistët në palestër, për t‘u paraqitur në formën optimale në rikthimin në pistë. Ros Braun, që punoi me Shumaherin gjatë shtatë titujve të fituar prej gjermanit tha: "Ishte e kuptueshme që Mikael do të kthehej pas aksidentit të Masës. Jam shumë kureshtar ta shoh në aksion, pasi Shumi është një profesionist dhe do t‘i argëtojë të gjithë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›