E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions, Arsenali "peshkon" Sëlltik

Arsenali, gjysmëfinalist i edicionit të kaluar duhet të mposhtë Sëlltikun, nëse dëshiron të jetë pjesë e fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Shorti në Nion nuk është treguar aspak bujar me skuadrën e drejtuar nga Arsen Venger, pasi ky ishte padyshim çifti më i fortë i emrave që qëndronin në vazon e skuadrave jo kampione. Për të evituar qëndrimin jashtë Champions-it, për herë të parë që prej sezonit 1997/98, "topçinjtë" duhet të kalojnë kundërshtarët nga Skocia. Përballje mjaft e vështirë edhe për Olimpik Lionin, që do të luajnë kundër belgëve të Anderlehtit. Pasi eliminuan Shaktjor Donjeckun, rumunët e Timishoaras u shpërblyen me sfidën kundër një tjetër emri të madh të futbollit europian, Shtutgarti. Sportingu i Lisbonës, që eliminoi Tuenten për të arritur deri në këtë fazë, do të ndeshet me Fiorentinën, ndërsa edhe në çiftin e fundit, Panathinaikos-Atletiko Madrid, duket e pamundur që të parashikohet skuadra që do të kualifikohet.

Duele mjaft interesante ka rezervuar edhe shorti për skuadrat kampione. Grekët e Olimpiakos do të luajnë kundër moldavëve të Sherif, ndërsa Salcburgu përballet me izraelitët e Makabi Haifa. Ventspils, e cila kërkon të jetë skuadra e parë nga Letonia që arrin fazën e grupeve, duhet të kalojë Zyrihun. Qipriotët e APOEL, ku militon edhe shqiptari Altin Haxhi, luajnë me kampionët e Danimarkës, FC Kopenhagen dhe së fundmi bullgarët e Levskit të Sofjes përballen me hungarezët e Debrecenit. Ndeshjet do të luhen më 18/19 dhe 25/26 gusht dhe fitueset do të marrin pjesë në fazën e grupeve të Champions, ndërsa humbëset do të kalojnë në fazën e grupeve të edicionit të parë të Europa League.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›