E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Imami: Në 2009-ën e thyem njëherë PS-në, disfatën e radhës do ia faturojmë në 2013-ën

19-04-2011 / Gazeta 55

Prezantohen kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, në 6 komuna të Qarkut të Elbasanit për zgjedhjet lokale 2011

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhuron 5 milion lekë për rikonstruksionin e shkollës Pajovë

Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, i caktuar si kryesuesi i grupit të punës së Partisë Demokratike, për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet vendore të 8 Majit, ishte këtë fundjavë në disa komuna të këtij qarku, ku ka prezantuar kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”.
Ndalesa e parë e Ministri të Mbrojtjes Imami, ishte komuna Bradashesh. Pasi është takuar me banorë të kësaj zone, si dhe me dashamirës dhe simpatizantë të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, ministri Imami, prezantoi duke dhënë mbështetjen e tij maksimale për z. Sabri Sollaku, i cili rikandidon për herë të katërt në krye të kësaj komune. “Koalicioni ynë, është një ndër koalicionet më të suksesshëm e më të mirë vendor të këtyre 20 viteve, në jetën politike të Shqipërisë. Unë jam i bindur që edhe këtë herë vota juaj do të shkoj tek njeriu I duhur, pasi një kandidat që zgjidhet për herë të katërt në krye të pushtetit vendor nënkupton se ky kryetar ka punuar seriozisht, se ai është i lidhur ngushtë me hallet dhe problemet e komunitetit, se ka kontribuar dhe është përpjekur të zgjidh sa më shumë hallet dhe problemet me të cilat i është dashur të përballet komuniteti që ai drejton”- nënvizoi ministri Imami.
Nga ana tjetër, ministri Imami, shprehu gadishmërinë që ka treguar dhe do të vazhdoj të tregojë qeveria në drejtim të Bradasheshit, duke theksuar se kjo komunë do të marrë një tjetër zhvillim pas ndërtimit të rrugës Elbasan – Tiranë. “Kjo qeveri do ta bëj Bradasheshin një komunë mjaft të rëndësishme, duke qenë se ajo është qendër industriale. Të gjitha detyrimet që qeveria ka ndaj këtij komuniteti, do t’i përmbushi në këtë 4 vjeçar. Për Elbasanin, por edhe për Bradasheshin në veçanti, e ardhmja është e shkëlqyer dhe këtë duhet ta keni të qartë, jo se duam ne, por sepse me inagurimin e rugës Elbasan-Tiranë, brënda vitit 2013, të jeni të sigurt që në rradhë të parë nga i gjithë Elbasani, zona e cila do të jetë më shumë nën zhvillim do të jetë zona juaj”.
Në përfundim, ministri Imami, u zotua se nën kujdesin e qeverisë, të Ministrisë së Arsimit dhe të kujdesit të tij të veçantë, fëmijët e Bradasheshit do të kenë shkollën e tyre të mesme, e cila deri tani mungonte në këtë zonë. “Unë e di që kryetari juaj Sabriu ka bërë punën më të jashtëzakonshme në këtë drejtim, fjalën e ka dhënë kryeministri, fjalën e ka dhënë edhe Ministri i Arsimit, sigurisht që këtu angazhohem edhe unë 100%, duke ju thënë se vitin e ardhshëm do të ndërtohet shkolla e mesme në Bradashesh. Është krejt e paarsyeshme që fëmijët e këtij komuniteti të lëvizin larg kësaj zone për të kryer arsimin e mesëm, kur këtu ka një popullësi të mjaftueshme për të pasur një të tillë me kushte nga më modernet, të njëjta me ato të kryeqytetit. Le të përpiqemi së bashku ta ndërtojmë dhe sigurisht ta paisim me mjetet e nevojshme, që kualiteti i dhënies së mësimit dhe i nxënies të jetë i njëjtë me atë të shkollave të tjera në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, nënvizoi ministri Imami.

Komuna Papër, Imami prezanton kandidatin Gani Cani

Nën siglën: “Shqipëria po Ndryshon”, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, njëkohësisht i deleguari i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, ka ritheksuar edhe një herë rëndësinë e votës më 8 maj për kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Teksa ishte në komunën Papër, ku kandidon për kryetar komune z. Gani Cani, ministri Imami, tha se vota për z. Cani nuk është vetëm votë për qeverinë, as për koalicionin, por është votë për qytetarin, pasi për koalicionin e djathtë qytetari është i pari. “Jo se ne nuk e kuptojmë që është e rëndësishme politika, por ne dimë të dallojmë nivelet e ndryshme të politikës. Sot diskutimi themelor i politikës është nevoja e qytetarëve. Në qoftë se ne do të donim ta përqendronim debatin politik, mbi nevojat personale, ju nuk do të përfitonit asgjë. Ndaj unë ju them se koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, është një koalicion serioz, i përqendruar realisht në nevojat tuaja, nevojat që kanë qytetarët. Kemi bërë një ndeshje me Partinë Socialiste, e kemi fituar në vitin 2009, faza e dytë është në vitin 2013. Ky është një takim me qytetarin, për të kuptuar cilat janë problematikat kryesore, dhe për t’i dhënë qytetarëve tanë, zgjidhjen më të mirë të mundshme. Ne do të vazhdojmë këtë rrugë, jemi të vendosur për të shkuar në një politikë, e cila të jetë serioze, që të jetë Europiane në thelb e jo me fjalë. Shqipëria po ndryshon, edhe Papëri po ndryshon, por Papëri duhet të vazhdoj të ndryshoj rrënjësisht dhe ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka për këtë gjë”, nënvizoi ministri Imami. Duke kërkuar votat e simpatizantëve të koalicionit të djathtë qeverisës, ministri Imami tha: “E rëndësishme është që të kuptoni se jemi në një moment të rëndësishëm të zhvillimit të vendit, ndërsa qarku i Elbasanit ka shancet më të mëdha, investimet më të mëdha publike dhe private. Rreth 450 milion dollarë do të kushtoj rruga që do të lidh Elbasanin me Tiranën, ju jeni pjesë e kësaj rruge, ju jeni pjesë e këtij ndryshimi. Në mënyrë që të gjitha investimet që ka qeveria të përkthehen drejt për drejt në interesin tuaj në nivel vendor e lokal, duhet që të keni një kryetar komune të aftë, të zotin, të përkushtuar, që di të menaxhoj mirë të gjitha taksat tuaja, në favorin tuaj, ne ju propozojmë z. Gani Cani”, përfundoi ministri Imami përballë elektoratit të komunës Papër.
Duke marrë fjalën një prej miqve më të vjetër të z. Cani, ish deputeti demokrat, z. Danjiel Karanxha, sqaroi tri prej arsyeve kryesore përse në zgjedhjet e 8 majit qytetarët e Papërit duhet të votonin kandidatin e propozuar nga “Aleanca për Qytetarin”: -“Duhet ta votoni dhe do ta votoni Ganiun, për tri arsye kryesore: e para se është një nga ju, është si ju dhe duke e konsideruar veten si ju, ai do të ecë me parimin se ju do të jeni të parët dhe të jeni të bindur se do të plotësoj kërkesat tuaja. Së dyti e njoh Ganiun që herët për bindjen e tij demokratike dhe e di që është konseguent, është demokrat dhe të jesh demokrat do të thotë të jesh me shpirt dhe me zemër të madhe dhe Ganiu është i tillë. Së treti mos harroni që Ganiu gjatë gjithë kësaj kohe i ka bërë ballë vetë jetës, ka punuar si privat dhe nuk është kollaj që të mbijetosh si privat, një privat i suksesshëm. Ganiu është një njeri i cili është mbështetur gjithmonë në punën e tij, tek shpatullat e tij, është në gjëndje të menaxhoj edhe një komunë dhe unë jam i bindur se ju do t’ia jepni votën Ganiut”, deklaroi miku i tij, ish deputeti i PD-së, z. Karanxha.

Ministri Imami në komunën Gjocaj të bashkisë së Gramshit jep mbështetjen maksimale për kandidatin Tolaj

Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, është ndalur këtë fundjavë në komunën Gjocaj të bashkisë së Gramshit. Nga aty ministri Imami, në cilësinë e të deleguarit të Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, ka prezantuar kandidatin demokrat që kandidon në zgjedhjet lokale të 8 majit, z. Isuf Tolaj. I shoqëruar nga deputeti i kësaj zone Dashamir Sula si dhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Librazhdit Arianit Leka, ministri Imami, deklaroi se ata që e shohin ndryshimin e madh që ka pësuar Shqipëria, në këto 6 vite të qeverisjes demokratike, nuk e kanë të vështirë të vendosin, se kujt duhet t’ia japin votën e tyre në zgjedhjet lokale. “Në qoftë se e shihni këtë ndryshim të madh që ka Shqipëria në këto 6 vjet, i cili padyshim që do të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme, atëherë ju ftoj që të na besoni votën tuaj, pasi kjo votë do ti shërbej fëmijëve tuaj, do ti shërbej të ardhmes suaj, do ti shërbej komunës suaj. Alternativa jonë është alternative më e mirë që ju keni patur ndonjëherë. Jo më kot kemi zgjedhur sërish kandidatin tonë z. Tolaj. Ai rikandidon në këto zgjedhje, pasi është një kryetar i premtimeve të mbajtura. Projektet dhe investimet në komunën tuaj në këto 4 vite kur në krye ka qenë z. Tolaj, janë të dukshme dhe të prekshme kudo”- u shpreh ministri Imami.
Duke nënvizuar faktin se kjo aleanca dhe kolalicioni i djathtë qeverisës, është një koalicion i premtimeve të realizuara, ministri Imami u shpreh: “Ky është një takim elektoral, por edhe një gjysëm fitore, është një premtim i qartë për një fitore të sigurt, e mbështetur në punë, këmbëngulje dhe ndershmëri, e mbështetur në seriozitet dhe në menaxhim të mirë të fondeve që ka bërë z. Tolaj. Ne po vijmë në këto zgjedhje me një aleancë të quajtur “Aleanca për Qytetarin”, pikërisht për t’ju dhënë llogari, për punët që janë bërë dhe për të gjitha ato projekte që mund të bëjmë në katër vitet që do të vijnë. Shqipëria po ndryshon, Shqipëria po transformohet, na besoni dhe ne do ta çojmë gjithmonë e më përpara këtë vend”, nënvizoi z. Imami.
Në përfundim të këtij takimi z. Tolaj, shpalosi programin e tij electoral përballë simpatizantëve dhe mbështetësve të tij. Në këtë program, zinin vend investimet e mëdha që do të kryheshin në drejtim të infrastrukturës, restaurimit dhe rikonstruksionit të godinave të shkollave 9 vjeçare dhe ato të mesme, kanaleve kulluese, segmenteve rrugore, kanalizimeve, ujit të pijshëm, qëndrave shëndetësore, etj.

Prezantohet kandidati për komunën Pajovë. Imami dhuron 5 milion lekë për rikonstruksionin e shkollës Pajovë

“Komuna juaj ka nevojë për një rrugë e cila ka një gjatësi prej rreth 7.4 kilometra, dhe unë ju garantoj se me forcat e ushtrisë do t’ju sigurojmë asfaltimin e saj”. Kështu ka deklaruar ministri Imami në komunën Pajovë, teksa merrte pjesë në prezantimin e kandidatit të kësaj komune, z. Albert Keçi. “Është kënaqësi për mua që paraqes përballë jush sot kandidatin tonë, z. Albert Keçi, për shkak se për katër vjet ka dëshmuar seriozitet në punën e tij, duke plotësuar me rigorozitet të gjitha premtimet e tij që bëri përballë jush katër vite më parë. Duhet të keni parasysh se jo kudo mund të punohet me të njëjtën shpejtësi. Të jeni të sigurt që ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ecur përpara. Ajo që di është se Pajova ka nevojë për një rrugë e cila është pothuajse 7 kilometra e gjatë dhe për këtë ne jemi të angazhuar seriozisht. Unë do t’ju mbështes deri në fund, dhe ju garantoj se brenda këtij mandati ne do të përfundojmë ato 7.4 kilometra rrugë, të cilat lidhin zonën tuaj me qendrën e qytetit. Ne jemi të gatshëm për t’ju mbështetur në çdo nevojë, kjo është edhe arsyeja përse ne për gjithë këta vite vazhdojmë të jemi në krye të qeverisjes së vendit. Unë si Ministër i Mbrojtjes jam i gatshëm që të jap të gjithë ndihmën dhe kontributin që kam në ndihmë të qytetarëve të kësaj zone”, nënvizoi ministri Imami.
Drejtori i Uzinës së Lëndëve Plasëse, Mjekës, z. Danjiel Karanxha, i cili shoqëronte ministrin Imami në këtë takim, duke parë ndryshimin e madh që kishte pësuar kjo zonë që nga vitet 1990 e deri në ditët e sotme u shpreh: “Më vjen mirë që përparimi dhe zhvillimi këtu ka ecur. Kam parasysh këtu faktin se disa vite më parë, kur vinim ne për t’ju takuar, gjendja e fshtati ishte me të vërtet në një gjëndje të mjeruar, ndërsa sot ky nivel ka ndryshuar. Ne jemi për një koalicion qeverisës, i cili në qendër të vëmendjes ka njeriun, dhe ky koalicion ecën e përparon kur gjendet gjuha e përbashkët, përkrahja dhe dëshira e madhe për të punuar. Ministri Imami ju dha fjalën se do të ndihmoj me mjetet e rënda dhe punonjësit, që kjo ministri ka në dispozicion, në mënyrë rruga juaj të jetë lehtësisht e kalueshme, ndërsa unë ju them se në qoftë se për rikonstruksionin  e shkollës tuaj ju nevojiten 5 milion lekë (të vjetra), atëherë unë ju jap fjalën se ato do t’jua sponsorizoj unë si uzinë, në mënyrë që të rregulloni shkollën dhe të keni mundësi që fëmijët tuaj të shkollohen në ambjente shkollore të njëjta me standardet e shkollave të tjera të vendit. Natyrisht janë premtime modeste, por unë shoh se edhe kërkesat tuaja janë të tilla. Di vetëm një gjë që keni një natyrë shumë të bukur dhe nesër ne do t’ju kemi zili, pasi me rregullimin e rrugës, shumë shpejt zona juaj do të kthehet në një zonë turistike”, përfundoi z. Karanxha. Në përfundim ata kanë kërkuar mbështetjen dhe përkrahjen e banorëve të Pajovës, për kandidatët e koalicionit në zgjedhjet lokale të 8 majit, si e vetmja zgjedhje e duhur për një Shqipëri e integruar që aspiron të bëhet pjesë e vendeve europiane.

Prezantohet kandidati për komunën Polis dhe Orenj në bashkinë e Përrenjasit

Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, ishte i pranishëm këtë fundjavë në dy komuna të bashkisë së Përrenjasit, e konkretisht në komunat Polis dhe Orenjë, nga ku ka bërë prezantimin e dy kandidatëve të cilët kanë nisur garën e tyre elektorale, për zgjedhjet e 8 majit. Duke dhënë mbështetjen e tij maksimale për kandidatin Veli Tereziu, i cili kandidon në komunën Polis, ministri Imami tha se: “Këto janë zgjedhjet më demokratike, më të lira e më të ndershme që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë, pas atyre të vitit 2009. kjo për faktin se ju sot jeni të lirë të zgjidhni e të vendosni vet fatin tuaj, duke dhënë më 8 maj, votën tuaj për kandidatin që mendon e punon për ju. Sigurisht që kandidati del përpara qytetarit, merr sugjerime prej tij, kritika, vërejtje, mos pranime, por nga ana tjetër merr edhe vlerësime, dhe kjo është e shëndetshme për politikën, pasi e bën atë të denjë për qytetarin. Ndërkohë, nga ana tjetër edhe qytetari merr shërbimin më të mirë. Prandaj edhe kjo fushatë e jona i drejtohet padyshim qytetarit. Është ai që vendos se çfarë është me e mirë dhe më e keqe për të, ne jemi këtu thjesht dhe vetëm për të plotësuar kërkesat e tij, për të ndryshuar jetën e tij, për ti dhënë atij më të mirën e mundshme, dhe këtë duhet ta bëjmë sa më mirë. Bëni zgjedhjen e duhur në 8 maj, duke votuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, dhe do ta shihni se gjithçka në jetën dhe komunën tuaj do të jetë në favorin tuaj. Pas zgjedhjeve unë kam besimin që do të vij sërish këtu dhe do të flasim konkretisht për të gjitha ato probleme të cilat ju shqetësojnë dhe kun e mund të ndërhyjmë me qëllim që fëmijët tuaj të jenë më të lumtur” nënvizoi në fjalën e tij, ministri Imami.
Nga ana e tij kandidati Tereziu, tha se: “kandidimi im si kryetar i kësaj komune, mbështetet në ndryshimet që janë bërë në komunën Polis. Edhe në këtë komunë, ashtu sikurse në të gjithë Shqipërinë, janë ndjerë ndryshime të mëdha, ndryshime të një vendi që po zhvillohet dita-ditës. Premtimet e dhëna katër vitet e shkuara, do ti bashkangjiten projekteve të mëdha që unë kam për vitet në vazhdim, duke synuar që ta bëjmë zonën tonë në një zonë që ka një infrastrukturë të ngjashme me atë të qyteteve të tjera të mëdha në të gjithë vendin”, theksoi në fjalën e tij kandidati Tereziu.
I pranishëm në këtë takim elektoral, prefekti i Qarkut Elbasan, Shefqet Deliallisi, duke dhënë mbështetjen e tij për kandidatin Tereziu citoi: “Zgjedhja e kandidatit tonë, si kryetar i kësaj komune, do të jetë zgjedhja më e mirë e problemeve dhe shqetësimeve tuaja, pasi duke qenë në të njëjtën linjë me Qeverinë, ju do të keni shumë më tepër mundësi për të patur në dispozicion investime të cilat do të vihen totalisht në shërbimin tuaj nga ana e kandidatit Tereziu. Vëmendja e Qeverisë është e fokusuar në qarkun e Elbasanit, në rrethin e Librazhdit, në atë të Përrenjasit, ashtu sikurse është e fokusuar në të gjitha komunat e Shqipërisë”, përfundoi prefekti Deliallisi.

Ministri Imami në Komunën Orenj
Ndalesa e rradhës e stafit elektoral që mbështesnin kandiatin Ndriçim Lila, ishte në Komunën Orenj dhe fshatin Çermenikas, ku ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, u prit me mjaft entuziazëm nga banorët e kësaj zone. Mes duartrokitjeve dhe brohorimave të shumta të simpatizantëve që kishin mbushur sallën, ministri Imami u shpreh: “E çmoj shumë zonën tuaj, traditën dhe patriotizmin që ju karakterizon dhe që ju ka shoqëruar ndër vite. Ajo që dua të them është se jemi 20 vjet demokraci, për fat të mirë nuk ka më zona gjithmonë të kuqe, por jam i vetëdijshëm se nuk mund të ketë gjithmonë as zona blu. Unë jam i mendimit që le të qeverisin ata që punojnë më mirë. Kudo le të fitoj dhe të qeverisë ai që punon më mirë për mirëqënien e popullit, për një jetë më të mirë të komunës së tij, për një infrastrukturë model për fshatin apo qytetin e tij. Bëni një ndryshim të madh për veten tuaj, që ti tregoni administratorëve lokal që vota juaj vlen. Tregoni që vota juaj vlen dhe kur ata administratorë lokal nuk vlejnë për ju, atëherë ndëshkoini duke i dhënë votën kundër. Unë besoj se tek zoti Lila ju keni gjetur një mik të mirë, një njeri që mendon vetëm për ju, një kandidat dhe drejtues komune që punon për ju. Është e pafalshme që të përdoret një krahinë, të përdoret një popull thjesht për interesa të ngushta politike. Unë jam këtu, i gatshëm që të bashkëpunoj me ju, për t’ju mbështetur me çdo mënyrë që të jetë e mundur në mënyrë që të keni një qeverisje vendore sa më të mirë të mundshme. Qeveria ka investuar me shumë komuna dhe bashki në të gjithë vendin, të majtja dhe të djathta, që kanë dashur të punojnë, kur në qendër ka qenë interesi i qytetarëve, interesi i vendit. Unë jam i gatshëm që t’ju jap të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e duhur, në mënyrë që ju të keni një sa më shumë mirëqënie. Kjo është një krahinë e mrekullueshme, kun e do të investojmë patjetër, por na lejoni, na jepni mundësinë që ne si qeveri vendore të punojmë me një administratë locale të përgjegjshme. Le të bëjmë një përpjekje serioze dhe të punojmë të gjithë së bashku për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të punës. Kjo qeveri është shumë e përkushtuar dhe programi i saj për të investuar në pemtari, në infrastrukturë, në biznes është tepër i madh dhe serioz. Ne kemi treguar se duam të punojmë dhe dimë t’a bëjmë këtë shumë mirë në shërbim të komunitetit. Ata të majtët që pretendojnë se ne bëjmë punë vetëm për fushatë, e kanë gabim, pasi ne nuk bëjmë rrugë për fushatë, por bëjmë rrugë vetëm në interes të komunitetit ”, përfundoi ministri Imami.
Në fund ministri Imami ftoi të gjithë aleatët e koalicionit të djathtë qeverisës “Aleanca për Qytetarin”, që në zgjedhjet e 8 majit të votojnë për kandidatët e koalicionit më të madh e më të suksesshëm. Duke e cilësuar këtë koalicion mjaft serioz ministri Imami theksoi: “Ne i kemi respektuar detyrimet tona ndaj partive të koalicionit, prandaj shikojeni si një çështje të përbashkët. Vërtet pa PD nuk ka fitore, por të gjithë së bashku jemi më shumë dhe kur jemi më shumë, kemi shumë më tepër shance për të fituar. Ne do të vijmë sërish këtu, pasi ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë, i një pune këmbëngulëse, me sakrifica, për t’i shërbyer sa më mirë këtij vëndi. Të jeni të sigurt që do të keni angazhimin maksimal të qeverisë, të jeni të sigurt që ne do ta mbështesim qarkun e Elbasanit, si qark prioritar në 4 vitet në vazhdim”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›