E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertiza angleze e gjurmëve të gishtave lë në qeli Ben Qimen

Apeli i Krimeve të Rënda lë në fuqi vendimin ndaj Arben Isufajt

TIRANË – Edhe Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm për shtetasin Arben Isufaj, duke e lënë në burg. Ky vendim është dhënë pas mbërritjes nga Britania e Madhe të akt-ekspertizës për gjurmën e gishtërinjve të Isufajt, i njohur me emrin “Ben Qimja”, sipas së cilës rezultojnë shenjat e të akuzuarit në armën e vrasjes së shtetasit Piro Koçi në vitin 2002. Por, pala mbrojtëse ka hedhur poshtë një gjë të tillë, me pretendimin se nuk ka pasur kohë që përgjigja të vijë aq shpejt. Në seancën e zhvilluar dje në Apelin e Krimeve të Rënda në Tiranë, trupi gjykues mori në shqyrtim provat e paraqitura nga prokuroria. Akuza ka paraqitur ekspertizën e bërë në Britaninë e Madhe në qershorin e këtij viti, sipas së cilës janë konstatuar gjurmë të gishtave të Arben Isufajt në armën e krimit me të cilën është kryer vrasja Pirro Koçit 6 vjet më parë.
Kundërshtimi
Avokati i të pandehurit, Genc Gjokutaj deklaroi se më datë 11 qershor Prokuroria e Tiranës ka dërguar për ekspertizë në Angli shenjat e gishtërinjve të gjetura në një armë zjarri tip pistoletë, në vendin e vrasjes së Pirro Koçiut. Sipas tij, së bashku me shenjat e gishtërinjve të klientit Arben Isufaj, janë dërguar edhe dy deklarata dëshmitarësh”. “Bashkë me materialet, janë dërguar edhe dy pyetje të bëra nga ana ime për tu sqaruar së bashku me materialet e prokurorisë të cilat janë futur në një zarf dhe i janë dërguar palës angleze që do të kryente ekspertizën”, - u shpreh Gjokutaj, i cili thotë se përgjigja nga Londra ka ardhur më 12 qershor, pra një ditë më pas. Ai deklaron se kthimi i përgjigjes për 24 orë është tërësisht i pamundur për shkak të afateve, për faktin se posta diplomatike me të cilën dërgohet dokumentacioni për raste të tilla zgjat të paktën dy javë”. Avokati i Isufajt pohon se pyetjet që ka bërë për ekspertët e huaj nuk kanë marrë përgjigje. Trupi gjykues la në fuqi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, ndaj të cilit ishte dhënë masa e arrestit me 45 ditë burg pa afat. Vendimi ndaj tij ishte dhënë më 13 qershor.
Ngjarja
I ashtuquajtur Ben Qimja u arrestua më 11 qershor të këtij viti në kryeqytet. 39-vjeçari akuzohet për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu, ngjarje kjo e ndodhur më datë 12 gusht të vitit 2002, në rrugën "Him Kolli" në Tiranë. "Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 13 shkurt 2008, vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për konsumim të veprave penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim si dhe 'mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”. Por për vrasjen e Pirro Koçiut ekziston dhe një vendim tjetër i Gjykatës së Lartë, që rrëzon akuzat ndaj Arben Isufajt. Vendim i përket muajit tetor të vitit 2006. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, Arben Isufaj nuk akuzohej më për këtë vrasje, duke qenë se vendimi mori formën e prerë. Në fillimin e javës tjetër pritet të zhvillohet seanca e radhës ndaj të pandehurit Arben Isufaj.

Gjykata lë në qeli inxhinierin e urbanistikës së Velipojës

SHKODËR - Gjykata e Shkodrës dha të premten masën "arrest me burg" për inxhinierin e sektorit të urbanistikës të komunës së Velipojës, Lekë Marku. 37 vjeçari nga Velipoja u arrestua pak ditë më parë nga forcat e policisë së Shkodrës ndërsa po i merrte një shtetasi shumën prej 2 5000 lekësh si shpërblim për t’i dhënë leje që të ushtronte aktivitet sezonal në plazhin e Velipojës. Burimet policore pohuan se kishte disa kohë që inxhinieri i komunës së Velipojës po mbahen nën vëzhgim.

Vapa e verës shkakton dy viktima në Velipojë dhe Maliq

Dy të rinj kanë gjetur vdekjen gjatë ditës së djeshme, teksa po bënin plazh në Velipojë dhe Korçë, ku dyshohet se shkak për këto janë temperaturat e larta. Burimet zyrtare të policisë raportuan se shtetasi Emiliano Toçi është mbytur në ujrat e Velipojës teksa po notonte në det. Po ashtu, mëngjesin e djeshëm u mbyt në lumin Devoll, në rrethin e Korçës edhe S.B., 15 vjeç nga Maliqi, teksa po lahej me bashkëmoshatarët. Burime zyrtare pranë komisariatit të policisë së Shkodrës bënë të ditur "19 vjeçari Toçi, lindur në Burrel dhe banues në Kamëz të Tiranës, u mbyt pranë bllokut të vilave “Fishta”, në zonën e Velipojës. Nga hetimet e para, rezulton që kjo mund të ketë ardhur nga një atak në zemër që mund të ketë pësuar pushuesi teksa notonte.
Të njëjtin fat pati edhe 15-vjeçari nga Maliqi. Sipas burimeve policore, të premten në mëngjes, teksa S.B., po lahej në lumin Devoll, në Urën e Babjenit, iu ka humbur nga sytë shokëve. Ata kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje, dhe pas disa minutash është gjetur i mbytur adoleshenti. Policia ka konstatuar se mbytja ka ndodhur për shkak të rrjedhës së fortë të lumit. Trupi i djalit është dërguar në morgun e spitalit të Korçës, ku po i bëhen ekzaminimet mjeko-ligjore.
Dy viktimat e djeshme vijnë pas një rasti tjetër që ndodhi në Velipojë pak ditë më parë. Në ujrat e Adriatikut gjeti vdekjen një i moshuar nga Gjakova, i cili kishte zgjedhur Velipojën për të bërë pushimet e verës.

Shemben 7 objekte pa leje në bregdetin e Currilave

DURRËS - Inspektoriati Kombëtar Ndërtimor dhe policia e Durrësit nisën dje shembjen e shtatë kioskave, bareve dhe restoranteve në bregdet, që nga universiteti "Aleksandër Moisiu" deri në zonën turistike të plazhit të Currilave. Disa nga administratorët e lokaleve kanë filluar çmontimin e konstruksioneve të lehta, me të cilat gjatë vitit të fundit ishin ndërtuar të paktën 15 bare dhe restorante buzë detit, në të dy anët e rrugës automobilistike. Kjo zonë turistike gjatë kohëve të fundit është bërë objekt i ndërtimeve pa kriter, të cilat kanë bllokuar plazhin me gjatësi 1 km.

Policia zbulon municione ushtarake të fshehura që prej vitit 1997

GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës zbuloi të premten, në tre vende të ndryshme, municione ushtarake, të fshehura qysh prej vitit 1997. Sipas policisë, në afërsi të aerodromit të qytetit janë zbuluar 28 granata dore së bashku me ndezësat, ndërsa në afërsi të fshatit Shtëpëz, u gjetën 9500 fishekë ushtarake model 56. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në disa banesa të braktisura, pas informacioneve të marra nga komuniteti, janë gjetur 3 armë zjarri automatike, model 56 dhe 4500 fishekë model 56.

Arrestohet 27 vjeçari me 8 doza droge të llojit kokainë

ELBASAN - Një 27 vjeçar nga Peqini u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi akuzohet për veprën penale të " prodhimit dhe shitjes të narkotikëve". Sipas policisë, Adriatik Rrancit, i janë gjetur 8 doza të paketuara droge, të futura në një qese plastmasi me peshë nëntë gram, të cilat dyshohet se janë të llojit kokainë. Gjithashtu 27-vjeçarit Rranci iu sekuestrua një krehër pistolete me shtatë fishekë dhe 12 fishekë të tjerë të futur në një qese plasmasi.

Asgjësohen në Vlorë 54 rrënjë Cannabis sativa

VLORË – Edhe 54 rrënjë bimë narkotike janë zbuluar dhe asgjësuar nga policia e Vlorës, ndonëse edhe në këtë rast nuk ka asnjë të prangosur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se gjatë të enjtes, seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, gjatë një kontrolli të organizuar në fshatin Rexhepaj të komunës Vllahinë, në vendin e quajtur “Pishat”, ka asgjësuar gjithsej 54 rrënjë bimë narkotike e llojit Cannabis sativa. Sipas policisë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Tenton ti japë fund jetës me ilaçet që i dha mjeku

ELBASAN – Ka tentuar që ti japë fund jetës, duke përdorur ilaçet që i kishte dhënë mjeku, por ndërhyrja në kohë e të afërmve ka bërë që ai të shpëtojë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se një 30-vjeçar nga fshati Shalës i këtij rrethi është shtruar në gjendje të rëndë për jetën në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Sipas tyre, 30-vjeçari ka pirë një sasi medikamentesh që mjeku i kishte dhënë për kurim. I vetëhelmuari ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjik në gjendje të rëndë për jetën. Ky rast është i katërti i tentativës për vetëvrasje gjatë kësaj jave që ndodh në rrethin e Elbasanit.

Vdes në spital 25 vjeçari që u plagos dy ditë më parë

VLORË – Njëri nga protagonistët e konfliktit të ndodhur tre ditë më parë në fshatin Tragjas të Vlorës është ndarë nga jeta si pasojë e plagëve të marra. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se është ndarë nga jeta në mjediset e spitalit shtetasi Artan Gjonzeneli. 25-vjeçari ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Gjonzeneli ishte një nga dy të dëmtuarit në këtë ngjarje, së bashku me të afërmin e tij, të të njëjtës moshë, Neim Gjozeneli. Ata mbetën të plagosur me mjete të forta, pas një grindjeje me dy bashkëfshatarët e tyre, Spartak dhe Ardian Dino, të cilët u ndaluan nga policia.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›