E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluksi emigrantëve, ndryshon formati i dhënies së certifikatave

Tani certifikatat do të printohen. Hiqet plotësimi me shkrim

kon të marrë një certifikatë në zyrat e gjendjes civile pranë Njësive bashkiake, do t’i kushtojë më pak kohë se më parë. Kjo, falë projektit të ri të shpërndarjes së certifikatave me anë të printimit. Në këtë mënyrë, punonjësit e gjendjes civile nuk do të plotësojnë ato me shkrim. Shtimi i fluksit të emigrantëve gjatë sezonit të verës, kërkon shtimin e ritmit të punës në gjendjen civile. Duke marrë parasysh përvojën e viteve të kaluara, Drejtoria e Gjendjes civile ka vendosur të fusë metodën e printimit për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që nuk iu premton koha për të pritur në radhët e gjata. Burime pranë Njësisë bashkiake Nr. 9, sqaruan për gazetën “Albania” se për këtë vit nuk do të ketë shtim të sporteleve, por metodë më të përshpejtuar. Tashmë pritet vënia në punë e pajisjeve për kryerjen e procesit të printimit dhe gjithçka pritet të fillojë së shpejti.
Printimi
Informatizimi i gjendjes civile, ka lehtësuar punën në shërbimin e dhënies së certifikatave. Të gjitha të dhënat e qytetarëve janë të regjistruara dhe të ruajtura në kompjuter. Kjo mënyrë lehtëson procedurat e shpërndarjes së certifikatave dhe shmang dyndjen e qytetarëve në sportelet e shpërndarjes, në zyrat e gjendjes civile. Kostoja për marrjen e certifikatave nuk do të ndryshojë me ndryshimin e procesit të shpërndarjes. Tarifa e tyre do të jetë 50 lekë, sipas tarifës së fundit që është vendosur nga qeveria. Formati i certifikatës është i pajisur me elementët e sigurisë, në pjesën e sipërme të fletës, e cila vërteton origjinalitetin e saj. Në rast se vihet re mungesa e pullës së sigurisë, atëherë dokumenti është i falsifikuar. Përveç kodeve numerike, në dokument janë edhe emrat e njësive që i korrespondojnë atyre.
Fluksi
Gjatë stinës së verës rritet numri i emigrantëve që kthehen pranë familjeve të tyre. Për një pjesë të madhe, lind nevoja e përsëritjes së dokumenteve apo nxjerrjes së pasaportave, që kërkon edhe marrjen e certifikatave pranë Njësive Bashkiake, ku ata figurojnë të regjistruar. Nga përvoja e viteve të kaluara, zyrat e gjendjes civile pranë çdo minibashkie kanë qenë të temjbushura me njerëz që presin në radhë. Për të shmangur radhët e gjata, këtë vit Drejtoria e Gjendjes Civile ka ndërmarrë një metodë të re, më funksionale dhe më të shpejtë. Printimi i dokumentit kërkon më pak kohë sesa plotësimi me shkrim që bëhet nga punonjësit e gjendjes civile.

Arsimi parauniversitar, nis shpërndarja e dëftesave

Nis shpërndarja e dëftesave për arsimin parauniversitar. Lajmi bëhet i ditur nga Minstria e Arsimit, e cila sqaron se ditën e martë, më 1 korrik 2008, janë shpërndarë në të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale, ashtu si çdo vit, dëftesat për arsimin parauniversitar. Sipas MASH-it, procesi i shpërndarjes së deftesave është kryer në kohë dhe këto ditë të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre që synojnë transferime në shkolla të tjera apo studime jashtë vendit, dhe kanë nevojë të shpejtë për dëftesat, do të mund të tërheqin këto dokumente në shkolla, me prioritet. Ndërsa nxënësit e tjerë mund të tërheqin dëftesat deri në fillim të shtatorit. Pas daljes së rezultateve të provimit të dytë të detyruar, të Matematikës edhe maturantët mund të tërheqin dëftesat e tyre të pjekurisë, pas unifikimit që u është bërë provimeve të Maturës të të gjitha shkollave të mesme. Sipas MASH-it, semestri i dytë i vitit shkollor përfundoi më 13 qershor 2008, ndërkohë që procedurat zyrtare për mbylljen e vitit, ku bën pjesë edhe nxjerrja e dëftesës, kërkojnë kohën e duhur.

Reforma në Universitetin e Elbansanit, ja pedagogët që do të largohen nga puna

Pedagogët me mesatare dhe nivel të ulët në mësimdhënie do të largohen nga auditorët e Universitetit të Elbasanit. Ky universitet, ka nisur reformën për vitin e ri akademik 2008–2009, e cila do të sjellë ndryshime përsa i përket kritereve të pedagogëve që japin mësim në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Lajmi për nisjen e kësaj reforme, bëhet i ditur rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, i cili ka theksuar se: “Do t’i përmbahemi të gjitha standardeve që kërkon arsimi i lartë”. Varoshi sqaron se për vitin e ri akademik është planifikuar që të gjithë pedagogët, si ata që janë aktualisht, por edhe ata që do të vijnë të rinj, do të kenë kontratë me këtë universitet, ku prioritet për të qëndruar në auditore do të kenë ata që kanë mbrojtur doktoratën. Gjithashtu, kreu i këtij universiteti, që konsiderohet si i dyti për nga rëndësia në vend, u shpreh se reforma do të jetë prioritare në punën akademike dhe do të largohen nga puna të gjithë ata pedagogë që janë të përfolur për marrje ryshfetesh dhe nivel të ulët mësimdhënieje. Po ashtu, për vitin e ri akademik në universitetin “Aleksandër xhuvani”, do të ndryshojë edhe procedura e vlerësimit të studentëve. Për këtë, baza e vlerësimit të tyre nuk do të jetë më vetëm nota e provimit, por do të shihen edhe kritere të tjera si, pjesëmarrja e studentit në auditore, aktivizimi i tij gjatë orës së leksionit, bashkëpunimi në projekte të pedagogëve me studentë etj. J.Tashi

MASH: “Së shpejti një Strategji për Kërkimin Shkencor”

Strategjia për Kërkimin Shkencor, një dokument politik i domosdoshëm për të gjithë aktorët e Kërkim-Zhvillimit në vend, do të jetë së shpjeti pjesë e Strategjisë Kombëtare për Integrim. Ministria e Arsimit, pohon se për përgatitjen e kësaj strategjie është kërkuar ndihma e UNESCO-s dhe ekspertëve të saj. Kjo organizatë ndërkombëtare, nëpërmjet Zyrës së saj Rajonale në Venecie, që prej vitesh ka krijuar një eksperiencë të veçantë në këtë fushë duke ndihmuar vendet e rajonit në hartimin e politikave dhe dokumenteve strategjike. Sipas MASH-it, paralelisht me përgatitjen e strategjisë do të punohet edhe për matjen e indikatorëve dhe statistikave të Kërkim-Zhvillimit, pa të cilët nuk mund të ketë një politikë të qartë dhe efikase në dobi të zhvillimit ekonomik. Hartimi i strategjisë për kërkim dhe zhvillim shkencor zhvillohet njëkohësisht edhe me implementimin e SKALA, Startegjisë së Arsimit të Lartë, ku ndërthurrja e të dy proceseve do ketë efekte tepër pozitive për zhvillimin e universiteteve tona, pranë të cilave tashmë janë përfshirë ish-institutet e kërkimit shkencor.

Shërbimet sociale, gati trajnimet për kapacitetet profesionale

Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), në mbështetje të objektivave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjes së perfomancës së strukturave të angazhuara në menaxhimin, administrimin dhe inspektimin e shërbimeve sociale, ka hartuar një programi të ri trajnimi për vitin 2008. Sipas burimeve të këtij Shërbimi, ky program është fokusuar në përmirësimin e aftësive profesionale rreth çeshtjeve të tilla thelbësore sikurse janë zbatimi i standardeve të shërbimeve sociale, aplikimi metodologjisë së re të inspektimit të shërbimeve sociale, decentralizimi dhe kompetencat e strukturave të pushtetit vendor në ofrimin dhe administrimin e shërbimeve sociale, deinstitucionalizimi dhe përmirësimi punës sociale në institucionet e përkujdesit shoqëror etj. Zyra e shtypit në SHSSH bëri të ditur, se në gjashtë mujorin e parë janë vendosur kontakte bashkëpunuese me institucione dhe donatorë të ndryshëm, me synimin e mbështetjes teknike dhe financiare të Programit të Trajnimit të miratuar nga Këshilli Administrativ.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›