E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria vend i përshtatshëm për investimet e huaja

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha ishte dje në Salzburg, ku mori pjesë në takimin informal të Kryeministrave të vendeve të Europës Juglindore, me temë “Siguria në Evropën Juglindore në shekullin e 21”. Në këtë takim duke përmendur sukseset e qeverisjes vitet e fundit, Berisha tha se për 3 vite me radhë, qeveria ka çuar në Parlament një buxhet suplementar, 32 për qind i të cilit ka shkuar për rimëkëmbjen e infrastrukturës së prapambetur që ka trashëguar. Sipas tij me një regjim fiskal më të ulëtin në BE, me një rritje ekonomike dyshifrore, me resurset natyrore dhe njerëzore që ka, Shqipëria është kthyer në një vend atraktiv për investitorët e huaj. Gjithashtu në këtë takim Kryeministri u shpreh se integrimi në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është një rikthim i tyre në gjirin e familjes të cilës ata i përkasin.
Takimi
Kryeministri Berisha, i cili mori fjalën në takimin e Kryeminsitrave të vendeve të Evropës Juglindore përgëzoi autoritetet austriake për organizimin e shkëlqyer të takimit dhe për përqëndrimin e tematikës së tij në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri falënderoi Kancelarin austriak për mbështetjen që Austria i ka dhënë realizimit të proceseve të integrimit dhe përmbushjes së kritereve të nevojshme, të cilat do të lehtësojnë liberalizimi e vizave me Bashkimin Europian. Ai u shpreh se integrimi në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është një rikthim i tyre në gjirin e familjes të cilës ata i përkasin. Përfshirja e këtyre vendeve, vijoi Kryeministri, që përbëjnë vetëm 1 për qind të GDP-së së BE-së dhe që kanë një popullsi më pak se gjysma e kolonisë, do t i kushtonte më pak BE-së se sa mospërfshirja e tyre në të. Berisha theksoi se Shqipëria është një vend në reformim të plotë të sistemit ekonomik e fiskal dhe ia ka dalë të vendosë disiplinën fiskale në vend. “Me një regjim fiskal më të ulëtin në BE, me një rritje ekonomike dyshifrore, me resurset natyrore dhe njerëzore që ka, Shqipëria është kthyer në një vend atraktiv për investitorët e huaj”, -, theksoi ai. Në takimin e djeshëm ishin të pranishëm Kancelari i Austrisë Alfred Gusenbauer, Kryeministri i Bosnjë – Hercegovinës Nikola Spiriç, Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Kryeministri i Rumanisë, Kalin Popesku, Kryeministrja e Moldavisë, Zinaida Greceani, etj. Para nisjes së punimeve të këtij takimi, u zhvilluan disa takime informale midis krerëve të qeverive ku u diskutua mbi marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale si dhe mbi çështje të zhvillimit dhe stabilitetit të vendeve të Europës Juglindore, forcimit të bashkëpunimit dhe nxitjes së dialogut mes këtyre vendeve. Gjatë takimit, u shtrua një drekë nga Kancelari i Austrisë Alfred Gusenbauer dhe më pas u mbajt seanca plenare, ku morën pjesë dhe referuan të gjithë krerët e qeverive të pranishëm në takim, mbi procesin e integrimit në Bashkimin Europian, tregun dhe burimet e energjisë, ndryshimet e klimës, sigurinë në rajon, etj.
Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›