E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kartat e identitetit gati për zgjedhjet e ardhshme”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Partia Socialiste duhet t u shpjegojë shqiptarëve përse nuk i prodhoi kartat e identitetit gjatë tetë viteve të qeverisjes së saj dhe më pas, duhet më së paku të shprehë vlerësimin për këtë Qeveri që po i prodhon brenda mandatit të saj të parë”

Ministria e Brendshme hedh poshtë pretendimet e opozitës se Qeveria po vonon në mënyrë të pajustifikueshme prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja pohoi dje se në zgjedhjet e 2009-ës votuesit do të jenë të pajisur me kartat e reja. Koja ka rrëzuar akuzat e Partisë Socialiste duke i konsideruar ato si krejt të paarsyeshme dhe spekulative. Koja tha se PS para se të akuzojë Qeverinë për vonesa duhet tu shpjegojë shqiptarëve pse nuk i prodhoi ato gjatë tetë viteve të qeverisjes së saj. Ai shpjegoi më tej se pas firmosjes së kontratës, brenda afro pesë muajsh, i tërë sistemi i aplikimit dhe prodhimit është i gatshëm të fillojë nga puna. Ministria e Brendshme bën të ditur se kontrata e implementimit për kartat është dërguar në Parlament dhe të gjithë deputetët e kanë në dispozicion për ta vlerësuar.
Reagimi
“Ministria e Brendshme i konsideron akuzat dhe pretendimet e Partisë Socialiste në lidhje me procesin e prodhimit të kartave të identitetit si krejt të paarsyeshme dhe spekulative. Së pari, Partia Socialiste duhet t u shpjegojë shqiptarëve përse nuk i prodhoi ato gjatë tetë viteve të qeverisjes së saj dhe më pas, duhet më së paku të shprehë vlerësimin për këtë qeveri që po i prodhon brenda mandatit të saj të parë. Së dyti, duhet t u shpjegojë shqiptarëve përse e akuzoi këtë Qeveri për një kohë të gjatë se do të dështonte në prodhimin e kartave të identitetit”, - pohoi dje Koja. Ai u shpreh se PS duhet të tërheqë akuzat e rënda që i adresoi kompanisë koncesionare në mënyrë krejt të pabazë. Konja sqaroi më tej se Ministria e Brendshme në mënyrë të përsëritur dhe të qartë, i ka vënë në dispozicion opozitës dhe veçanërisht Partisë Socialiste të gjithë informacionin e kërkuar. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha se pas firmosjes së kontratës, brenda afro pesë muajsh, i tërë sistemi i aplikimit dhe prodhimit është i gatshëm të fillojë nga puna. Konkretisht do të jenë instaluar të gjitha stacionet e aplikimit, do të jetë instaluar dhe testuar qendra e personalizimit që do të prodhojë karta, e ndërkohë do të jenë trajnuar të gjithë personat përgjegjës për aplikimin. “Duke qenë i gatshëm në fillimin e vitit 2009, me një kapacitet prodhimi prej 15 mijë karta në ditë apo 450 mijë karta në muaj, ky sistem do të jetë i aftë t i përgjigjet dinamikës së aplikimeve të qytetarëve të cilët do të kenë në dispozicion 350 zyra të përhershme dhe 100 zyra të lëvizshme. Të gjitha parashikimet janë bërë në marrëveshje të përbashkët me koncesionarin , - sqaroi ai. Konja shtoi se duke patur parasysh numrin e votuesve në Shqipëri, do të jetë plotësisht e mundshme pajisja e tyre me karta identiteti deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai theksoi më tej se siç edhe janë informuar në mënyrë të përsëritur përfaqësuesit e opozitës, Ministria e Brendshme po përgatit një sërë aktesh nënligjore për miratim në Këshillin e Ministrave që do të nxisin procesin e paisjes së qytetarëve me karta. Tashmë kontrata e implementimit është dërguar në Parlament dhe të gjithë deputetët e kanë në dispozicion për ta vlerësuar. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha se shpreson që edhe opozita ta mbështesë këtë projekt në Parlament, duke demonstruar kështu se e ka seriozisht shqetësim paisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›