E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, 56.4 % në marrëdhënie pune

Më shumë se gjysma e popullsisë në vend është në marrëdhënie pune. Këtë e tregojnë të dhënat zyrtare të INSTAT-it, të nxjerra nga një anketim me parametra evropianë. Por në vendin tonë vazhdojnë të mbajnë vendin e parë për numrin e të punësuarve meshkujt, ndërsa fermat vijnë pas tyre në përqindje. Ndërtimi i të dhënave statistikore mbi tregun dhe forcat e punës në të gjithë territorin e Shqipërisë, sipas standardeve ndërkombëtare, ishte objektivi kryesor i anketës "Vrojtimi i Forcave të Punës", që realizoi për herë të parë Instituti i Statistikave (INSTAT) në qershor të vitit të kaluar, me mbështetjen e qeverisë Shqiptare. Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Ines Nurja, në prezantimin e rezultateve të këtij vrojtimi, të hënën në Tiranë, u shpreh se "kjo eksperiencë e nevojshme mbi të dhënat e punësimit dhe papunësisë në vend, sipas standardeve që kërkon Eurostat, do të zhvillohet për tre vite radhazi, me qëllim ndërtimin e një panorame sa më të qartë mbi forcat e punës dhe dinamikën e saj në Shqipëri". Sipas saj, deri tani informacioni mbi punësimin, papunësinë dhe popullsinë inaktive në Shqipëri bazohet kryesisht në deklarimet e ndërmarrjeve dhe testimeve nga burime alternative, si Zyra e Punës, Regjistrimi i Popullsisë etj., por këta tregues janë relativisht të plotë vetëm për sektorin publik, pasi nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sektorin privat, bujqësor dhe jobujqësor. "Burimet e mësipërme nuk mund të sigurojnë informacion real mbi shkallën e kërkimit aktiv të punës, mënyrat e kërkimit dhe shkallën e inaktivitetit në tregun e punës, të cilat kushtëzojnë direkt hartimin e politikave të duhura mbi punësimin dhe trajnimin e të papunëve", - theksoi Nurja. Duke u ndalur në vrojtimin statistikor pranë familjes mbi forcat e punës, drejtoresha e INSTAT-it tha se jo vetëm që është burimi që siguron eliminimin e mangësive të përmendura, por njëkohësisht ai ndihmon llogaritë kombëtare në përmirësimin e vlerave të ekonomisë informale, si pjesë e ekonomisë së pavrojtuar, e cila bazohet në vlerësimin e të dhënave të punësimit për burimet e ofertës dhe kërkesës. Nëpërmjet kësaj ankete mundësohet ndarja e popullsisë 15 vjeç e lart në tre grupe të veçanta, të punësuarit, të papunët dhe personat inaktivë në lidhje me tregun e punës. Në bazë të të dhënave të Anketës për Forcën e Punës 2007, popullsia në moshë 15-64 vjeç përbën 88% të popullsisë.

Punësimi, meshkujt zënë 64 %

Në vendin tonë gjatë muajit qershor 2007, në bazë të të dhënave të Anketës për Forcën e Punës dhe në përputhje me definicionin e BE-së për punësimin, rezultojnë rreth 1.198 mijë të punësuar në moshë 15 vjeç e lart, ose 1.188 mijë të punësuar në moshë 15-64 vjeç. Niveli i punësimit në nivel vendi për popullsinë në moshë 15-64 vjeç rezulton 56.4 %. Niveli i punësimit është më i lartë për meshkujt me 64%, krahasimisht me femrat me 49%. Ky tregues është më i lartë për meshkujt në të gjitha grupmoshat.

Në popullsinë 15-64 vjeç deri me arsim 8-vjeçar, 55% janë të punësuar; niveli i punësimit vjen me rritje për ata me arsim të mesëm dhe të lartë përkatësisht: 55.8% dhe 71%.

Struktura e punësimit, sipas sektorëve, për të punësuarit në moshë 15-64 vjeç tregon që punësimi në sektorin shtetëror përbën vetëm 15% të punësimit gjithsej. Femrat e punësuara kanë një pjesëmarrje më të madhe në sektorin privat bujqësor, ndërkohë që meshkujt janë më të angazhuar në sektorin privat jobujqësor (femrat përbëjnë vetëm afro ¼ e të punësuarve në sektorin privat jobujqësor). Struktura e punësimit sipas aktiviteteve ekonomike tregon një përqendrim më të lartë të të punësuarve në: bujqësi (47.5%), tregti (11%), industri përpunuese (8.8%), ndërtim (8.3%). Struktura e punësimit sipas grup-profesioneve, klasifikuar në bazë të nomenklaturës ISCO-88, paraqet një përqendrim të lartë të të punësuarve në grupin e madh “Punëtorë të kualifikuar të bujqësisë dhe peshkimit” me 45%, ndjekur nga grupi “Zejtarë dhe punëtorë të zanateve të ndryshme” me 13% dhe grupi “Punëtorë të shërbimeve, shitblerjeve dhe dyqaneve” me 10%.

Papunësia, meshkujt janë ata që kërkojnë më shumë punë

Gjatë muajit qershor 2007 numëroheshin rreth 185 mijë të papunë, përllogaritur në përputhje me definicionin e ILO dhe BE. Shkalla e papunësisë për këtë periudhë është 13.5%. Shkalla e papunësisë është më e lartë në grupmoshat e reja deri në rreth 30 vjeç. Ky tregues, për meshkujt e grupmoshave të reja deri në 29 vjeç është më i lartë krahasimisht me femrat; ndërsa për grupmoshat 35-49 vjeç treguesi është më i lartë për femrat; nga ana tjetër në grupmoshat pas 50 vjeç vihet re një tendencë më e lartë për të kërkuar punë tek meshkujt. Shkalla e papunësisë vjen gradualisht në ulje sa më shumë rritet niveli i arsimimit për popullsinë që jeton në zonat urbane, ndërsa nuk vihen re diferenca në zonat rurale.

Punonjësit socialë trajnohen nga BSH për sistemin bankar

Banka e Shqipërisë përfundoi seminarin për edukimin ekonomiko-financiar të punonjësve socialë të kryeqytetit. Në punën e Bankës së Shqipërisë, vitet e fundit, ka zënë gjithmonë e më shumë vend përpjekja për krijimin e një kulture të re në publikun shqiptar, atë ekonomike e financiare. Me këtë qëllim në vetvete është ideuar programi “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, që përveç masave dhe veprimeve konkrete për të arritur objektivat edukativë, ka përcaktuar edhe grupet e interesit, ku do të fokusohet puna edukuese e programit. Banka e Shqipërisë organizoi një seminar trajnues në fushën ekonomiko-financiare, që kishte për qëllim t’i ndihmonte ata të kuptonin dinamikat e funksionimit të ekonomisë së tregut dhe rolin e bankës qendrore në të. Ky aktivitet i ndjekur nga rreth 60 punonjës socialë u zhvillua për disa të hëna rresht dhe u finalizua sot, më datë 16 qershor në ambientet e hotel “Tirana International”, me ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.

Një vlerësim për pritshmëritë që ka Banka e Shqipërisë nga ky grup, erdhi edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë aktivitet u shpreh se “...ne duam që ju të jeni ambasadorë të Bankës së Shqipërisë” në vendet tuaja të punës. Sa më shumë prej njerëzve që ju kontaktoni për shkak të profesionit tuaj, gjejnë një përgjigje të thjeshtë edhe rreth misionit të Bankës Qendrore, aq më të ndihmuar jemi ne në punën tonë”. Banka e Shqipërisë falënderon edhe Drejtorinë Arsimore të Rrethit të Tiranës për mbështetjen që i kanë dhënë Bankës së Shqipërisë për realizimin e këtij programi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›