Pango: Iki nga ministria, nëse nuk shtoj turistët
Nëse numri i turistëve nuk shkon në shifra më të larta se vitet e tjera, ministri i Kulturës do të japë dorëheqjen. Është hera e parë që në krye të turizmit, një ministër deklaron largimin nga posti nëse nuk realizon qëllimin. Fushata promocionale që ka ndërmarrë Pango këtë vit mund të quhet “e egër”, krahasuar me ministrat e viteve të tjera. Prej gjashtë muajsh, duke iu referuar promocionit në CNN, projektit turistik “Shqipëria, destinacioni i ri në Mesdhe”, si dhe mjaft artikujve të shkruar në gazetat me reputacion ndërkombëtar, Shqipëria ka qenë një vëmendje e re për operatorët turistikë. Ndonëse kanë kaluar vetëm pesë muaj dhe jemi afro në mesin e muajit të gjashtë të vitit 2008, ministri Pango nuk ka nguruar të reklamojë shifrat e turizmit.
Në një dalje publike para gazetarëve, ministri Pango, ndonëse në fillim të sezonit turistik, bën me dije se numri i turistëve për vitin 2008 është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. "Kemi një rritje prej 21% të numrit të turistëve, krahasuar me vitin e kaluar", - ka theksuar ministri Pango dje për gazetarët. Sipas tij, numri i përgjithshëm i vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri, për muajt janar-maj 2008 është 581.723 persona. Prej tyre vizitorë me nënshtetësi shqiptare janë 230.000, ndërsa pjesa tjetër janë vizitorë të huaj.
Këto shifra, - tha Pango, - janë publikuar nga misioni CITAP, i cili merret edhe me të dhënat statistikore për lëvizjen e njerëzve brenda dhe jashtë vendit.
Ministri nënvizoi faktin se qeveria po bën punë të jashtëzakonshme, si dhe investime të dukshme për të përmirësuar në radhë të parë rrugët dhe gjithçka lidhet me infrastrukturën e pushimeve në zonat bregdetare.
Për sa i përket publicitetit, ministri Pango theksoi se këtë vit është bërë një punë shumë e madhe dhe efektet e tij do të jenë të kënaqshme. Ai nënvizoi faktin se përveç spotit në CNN dhe spotit të Gjirokastrës, këtë vit janë promovuar gjithashtu 11 itineraret turistike, si dhe “Albanian Guide”, ku përcaktohen vendet më të spikatura për t’u vizituar në Shqipëri, të cilat u janë shpërndarë të gjitha ambasadave dhe operatorëve turistikë.
Gjithashtu, nga ministri është konsideruar një tjetër arritje në fushën e promocionit turistik dhe hartimi i 10 tureve, si dhe faqja e re e internetit me rreth 500 faqe www.albaniantourism.com. Së shpejti bëhet e ditur nga ministria se do të mbarojnë procedurat për spotin në “Euro News”. Sipas tij, është trefishuar edhe fondi për restaurimin e monumenteve kulturore, me qëllim tërheqjen e sa më shumë turistëve në disa prej qyteteve muzeale, si Berati, Gjirokastra, Kruja etj.
Tab
Turistët
Numri i përgjithshëm i vizitorëve janar-maj 2008
581.723 persona
Vizitorë me nënshtetësi shqiptare, rezidentë në vende të ndryshme
230.000 persona
48% me vitin 2006 dhe 93% me vitin 2005
Hyrja në Shqipëri me rrugë tokësore, 70%
Numrin më të madh e përbëjnë evropianët, 90%.
Berisha: Në pesë muaj ka më shumë biznese të regjistruara se në 2007-n
Lehtësitë fiskale që janë krijuar për biznesin kanë rritur ndjeshëm numrin e tyre të regjistruar në vitin 2008. Kryeministri Berisha ka thënë dje se klima ndaj biznesit është ndër më të shkëlqyerat që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, ndaj numri i bizneseve të regjistruara është rritur. Duke evidentuar përpjekjet shumë serioze të bëra në drejtim të përmirësimit të klimës ndaj biznesit, në mbledhjen e zhvilluar dje të Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO, Kryeministri u shpreh se të dhënat paraprake të këtij viti janë ndër më të shkëlqyerat që ka pasur ndonjëherë biznesi. “Pesëmujori i këtij viti ka biznese të reja, të regjistruara më shumë se gjithë viti 2007. Eksportet “Made in Albania” janë rritur me 32 %. Sot “one stop shop” për regjistrimin e biznesit me një euro është bërë një realitet dhe të dhënat paraprake të këtij viti janë të dhënat më të shkëlqyera, që ka pasur ndonjëherë biznesi. Elementë të qartë të një bumi të biznesit janë të sigurta nga regjistri i bizneseve. Janë në diskutim kontrata të mëdha me sipërmarrës të huaj. Klima e biznesit është krejtësisht tjetër”, - u shpreh Kryeministri. Kryeministri u shpreh se Task-Forca për rregullimin e tregut, e kryesuar nga Kryeministri, ka ndërmarrë hapat më të mëdha në drejtim të liberalizmit të lejeve dhe licencave. “Në një seri takimesh dhe pas një pune shumë të madhe është arritur që nga rreth 150 licenca dhe leje, të hiqen shumica dërrmuese, mbi 60 % e tyre dhe të mbeten deri tani 62 gjithsej dhe këto të grupohen në “one stop shop” për licencat dhe lejet, pra do të funksionojë “one stop shop” për licencat dhe lejet sikundër përgjigjja e problemit madhor të lejeve të ndërtimit do t’i jepet me rregullin, heshtja është miratim. Ligji i ri për urbanistikën do të diktojë këtë rregull”. Ndonëse mbeten ende shumë probleme për t’u zgjidhur, Kryeministri theksoi se me këto masa, si dhe paketën fiskale të instaluar tërësisht, Shqipëria po krijon një nga klimat më të shkëlqyera nga pikëpamja e infrastrukturës ligjore për biznesin.