Shqiptarët arsimohen 6 vjet më pak se evropianët
Të rinjtë shqiptarë kryejnë 6 vjet më pak arsim krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Ndërsa rezultatet arsimore janë tepër të dobëta. Përpos kësaj situate, në uljen e cilësisë së arsimit ka ndikuar edhe rënia e shpenzimeve publike në këtë sektor. Të dhënat vijnë nga dosja kombëtare për arsimin e publikuar kohë më parë nga Ministria e Arsimit dhe UNICEF. Sipas të dhënave, rezulton se shqiptarët përfundojnë mesatarisht 8.6 vjet arsim, shifër kjo që e rendit Shqipërinë pas shumë vendeve të rajonit. Nga ana tjetër, ndërsa është rritur frekuentimi i arsimit fillor, vetëm 50% e të rinjve frekuentojnë arsimin e mesëm. Niveli i nxënësve shqiptarë mbetet pas vendeve të tjera të rajonit. Problematike është situata edhe për ndjekjen e arsimit të lartë, i cili arrin deri në masën 13% dhe nuk i përshtatet nevojave të tregut të punës. Vitet e fundit, ulja e shpenzimeve publike për arsimin ka ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë e tij. Sipas të dhënave nga dosja kombëtare e arsimit, shpenzimet e pakta për këtë sektor të rëndësishëm çuan në ndarjen e kostove të shkollimit me familjet. Sakaq shkollat në zonat urbane janë të mbipopulluara, përkundër atyre në zonat rurale, të cilat si rezultat i rënies së numrit të popullsisë kanë raporte shumë të vogla mësues-nxënës. Edhe pagat e mësimdhënësve mbeten të ulëta më gjithë përpjekjet që janë bërë për të ndryshuar situatën. Ndërsa Shqipëria aspiron për t'u anëtarësuar në BE, përmirësimi i këtyre problemeve dhe përafrimi me standardet mbetet sfida kryesore për sa i përket sektorit të arsimit. Gjithashtu është e nevojshme të investohet në kapitale njerëzore, pasi burimet në këtë drejtim janë të pakta.