Kodi, përsëri në dorë të Bamir Topit
BLEDAR HOTI
Demokratët dhe socialistët do t'i kërkojnë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të dekretojë në mënyrë urgjente Kodin e ri Zgjedhor, i cili miratohet sot nga Parlamenti. Drejtuesit e dy grupeve parlamentare, Valentina Leskaj e PS-së dhe Astrit Patozi i PD-së pritet t'i drejtohen publikisht kreut të shtetit për të firmosur me procedurë të përshpejtuar ligjin e ri zgjedhor. Kjo me qëllim që të mos humbet sërish kohë për përgatitjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu edhe për të shmangur vonesat në nxjerrjen e vendimeve nga qeveria, që kanë të bëjnë me ngritjen e infrastrukturës zgjedhore. Në bazë të Rregullores, Kodit Zgjedhor i kthyer për rishikim duhet të depozitohet sërish në Presidencë. Topi duhet të firmosë sërish ligjin zgjedhor, duke nxjerrë një dekret të dytë për këtë ligj kaq shumë të rëndësishëm. Nëse ndiqet procedura normale, i bie që Presidenti ka 20 ditë afat për të firmosur projektligjin e ri. Ky afat nis në kohën kur ligji i miratuar nga Kuvendi depozitohet në zyrën e Presidentit. Në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, kreu i shtetit ka 20 ditë afat për të firmosur Kodin e ri Zgjedhor. Kësaj here Presidenti Topi nuk ka alternativë tjetër që ta pranojnë vendimin e Parlamentit. Sipas burimeve mësohet se një zgjidhje e shpejtë mund të ishte që kreu i shtetit t'i drejtohet Kuvendit me anë të një konfirmimi që është dakord që ligji i miratuar nga Kuvendit të hyjë menjëherë në fuqi. Ndërsa PD-PS ka vendosur në mënyrë përfundimtare që të mos merren në konsideratë kërkesat e LSI-së dhe të PDK-së për përfaqësim me anëtarë në KQZ, KZAZ.
Seanca konsensuale
Fundi i këtij viti do të mbyllet me një "happy end" mes demokratëve dhe socialistëve. Ndryshe nga vitet e tjera maxhoranca dhe opozita do të bashkojnë votat e tyre për të kaluar ligje të rëndësishme, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë" pritet të votohet në seancën parlamentare të së hënës. Pas miratimit të kryer nga Komisioni parlamentar i Ligjeve, socialistët dhe demokratët do ta miratojnë atë me konsensus. Po në të njëjtën ditë pritet të votohet edhe dekreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për ligjin e "Kodit Zgjedhor". Shkëmbimi i votave ndërmjet socialistëve dhe demokratëve për ligjin e Prokurorisë dhe dekretin e Presidentit për Kodin Zgjedhor, duket se ka bindur lidershipin e PS-së për të qenë prezent në seancën e së hënës. Prej më se një jave opozita shpalli bojkotin në mbledhjen e komisioneve parlamentare dhe në seancë, duke vënë si kusht praninë e tyre, vetëm kur të votohej dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor. Pas mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe miratimit të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, socialistët thyen bojkotin duke marrë pjesë në komisionet e tjera parlamentare. PS e lidh votën pro të projektligjit të Prokurorisë me faktin se qeveria ka reflektuar në variantin përfundimtar, ku janë pranuar sugjerimet e organizmave ndërkombëtare si OPDAT dhe Euralius. Ndërsa në rendin e ditës janë parashikuar edhe votimet e ligjeve të tjera, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Edhe për këto dy ndryshime ligjore socialistët do të votojnë pro. Në rendin e ditës janë për t'u votuar "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë", si dhe "Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë". Projektligji tjetër që është i rëndësishëm për votim është edhe ai për "Për azilin në Republikën e Shqipërisë". Komisioni Evropian i ka vendosur si kushte qeverisë shqiptare për të miratuar një projektligj të tillë. Kjo për shkak se është pjesë e angazhimeve që ka Shqipëria për zbatimin e marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit.