E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braho: Ina Rama dhe Prokuroria nuk janë të vetme

 

Anëtari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe deputet i LSI-së, Spartak Braho tha dje se edhe pse PD e PS braktisën Prokurorinë, Ina Rama nuk është e vetme në betejën e saj për të mbrojtur ligjin. "Parë në pikëpamjen numerike, Ina Rama ishte e braktisur nga dy partitë në Komisionin e Ligjeve për ligjin e prokurorisë. Por e parë edhe në përmbajtje, marrëveshja e radhës PD - PS apo tradhtia ndaj institucioneve të drejtësisë është përsëri e vërtetë", tha Braho. Deputeti i LSI-së akuzoi Partinë Socialiste se ka shitur pavarësinë e institucioneve tek pushteti i PD-së. "PS dhe përfaqësuesi i saj në Komisionin e Ligjeve, z.Xhafa nuk kanë më skrupuj parimor, për t'u shitur e blerë me PD për interesat e tyre, tashmë, ata bëjnë çdo gjë. Shitën Kushtetutën, shitën ligjin për Organizimin e Drejtësisë, shitën Kodin Zgjedhor, shitën Gërdecin. Kanë shitur interesat e elektoratit të majtë, do të shesin zgjedhjet dhe pushtetin e socialistëve te Berisha", tha Braho. Sipas tij, PD e PS janë të vetëm në këtë rrugë shit-blerjesh. "Por janë ata që në këtë rrugë shitjesh e blerjesh kanë mbetur të vetëm. Në këtë kuptim, opinioni i gjerë intelektual, juristë, gjyqtarë e prokurorë, institucionet e tyre përkatëse, forcat e vërteta politike opozitare, ku përfshihet e drejton LSI-ja janë shumë më shumë, janë edhe më të fortë për shkak të kauzës së drejtë që mbrojnë, ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura të shtetit, ruajtjes së themeleve të shtetit që po rrezikohen seriozisht. Pavarësisht nga devijimi koniuktural i ndonjë ish-prokurori të përgjithshëm", tha Braho. Sipas tij, këtë e ka kuptuar edhe Ina Rama kur kundërshton aferën e re të PD-së dhe të PS-së, për ndryshimet që i bënë ligjit të prokurorisë. Braho shprehet se LSI mbështet angazhimin serioz që prokuroria po tregon në hetimin profesional të aferave korruptive të Fazlliçit, Bashës, tragjedisë së Gërdecit etj, në këtë luftë me të keqen e PS-PD apo të dyshes Rama-Berisha".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›