E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, i ftohti mbush pediatrinë

 

BERAT - Temperaturat e ulëta, të shënuara ditët e fundit në rajonin e Beratit, kanë rritur numrin e fëmijëve të sëmurë, të cilët kanë tejmbushur pavijonin e pediatrisë në Spitalin Rajonal. Situata e rënduar që është krijuar ditët e fundit ka ardhur si rezultat i mosvlerësimit të situatës së temperaturave të ulëta dhe moskujdesit të treguar nga prindërit në vlerësimin e tyre. Shefi i Repartit të Pediatrisë, në spitalin rajonal të qytetit të Beratit, mjeku Vladimir Kumaraku, pohon për gazetën se këto ditë janë karakterizuar me një rritje të sëmundshmërisë të rrugëve të sipërme respiratore, të cilat janë pasojë e një viroze që po qarkullon si pasojë e ndryshimeve klimaterike, ku faktorët kryesorë janë ndryshimi i temperaturave dhe nga ndryshimi i lagështisë së ambientit. Mjeku pediatër, Kumaraku pohon se viroza që po qarkullon këto ditët e fundit manifestohet me temperaturë të lartë që shkojnë deri në 40 gradë, e cila përballohet vetëm me antipiretikë dhe kompresa me ujë të ftohtë. Megjithatë sipas mjekut, deri tani nuk ka pasur asnjë rast komplikacioni. Mjeku Kumaraku pohon se rastet janë të shumta dhe frekuenca është mjaft e lartë, gjë që ka bërë që ky repart ta kalojë kapacitetin e tij duke bërë edhe dublime të fëmijëve në një shtrat. Sipas tij, fëmijët e sëmurë po trajtohen me serume e antibiotikë të ndryshëm, ndërkohë që nënat janë këshilluar të kenë kujdes për mënyrën e ngrohjes së dhomës, duke mos i lënë fëmijët të djersiten.                                        d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›