E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret për kredinë biznesmeni

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Vetëvaret në pyllin e Semanit biznesmeni fierak i ndër-timit, Et'hem Aliaj. Trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e djeshëm, disa ditë pasi 55-vjeçari kishte shfaqur shenja të një depresioni. Sipas policisë së qytetit, viktima ishte varur në një pishë në zonën e Semanit, ndërsa pranë trupit ndodhej makina e tij. Ka qenë ora 10:00, kur banorët e fshatit Seman kanë vënë re kufomën e një njeriu, varur në një degë peme, pranë hyrjes së pyllit. Brenda pak minutash, në sallën operative të policisë së Fierit ka mbërritur telefonata e banorëve, të cilët njoftuan për një njeri të pajetë, të paidentifikuar dot prej tyre. Vetë banorët kanë pohuar se në fillim kanë menduar se mbi pemë ndodhej një objekt i hedhur shkujdesur, por kur janë afruar u përballën me skenën e llahtarshme. "Jam shokuar dhe nuk gjej dot fjalë. Pashë nga larg diçka të zezë, u afrova dhe çfarë të shihja. Një njeri rreth të 50-tave që kishte marrë ngjyrë mavi. Njoftova menjëherë policinë dhe ata mbërritën pak minuta më vonë. Ne nuk e prekëm trupin sepse pritëm të mbërrinte policia", pohoi një banor i zonës. Ndërkohë, për të identifikuar kufomën nuk ka qenë e vështirë pasi familjarët e të ndjerit e kishin kërkuar që prej mbrëmjes së të shtunës njeriun e tyre, pasi ai ishte larguar pa lajmëruar njeri. Sipas policisë, nga referimet e para të të afërmve dyshohet se ishte ngarkesa e madhe psikologjike nga puna, ajo që mund të ketë shtyrë drejt këtij vendimi fatal për jetën, babanë e dy fëmijëve nga qyteti i Fierit. Nga hetimet e para, policia konfirmon se bëhet fjalë për vetëvrasje të 55-vjeçarit. I vëllai që bëri njoftimin në polici për zhdukjen, iu tha oficerëve se ditët e fundit, Et'hemi kishte qenë shumë i mërzitur. Pas denoncimit që bënë familjarët, policia nisi kontrollin në disa lagje të Fierit, por disa orë më vonë, banorët e Semanit njoftuan për një person të vetëvarur. Pranë kufomës ishte makina e Aliajt, fuoristradë me targë FR 9686 C, brenda së cilës u gjetën vetëm sende personale të viktimës. Nga të njohur të tij, mësohet se viktima ishte ndërtues në Fier, ndërsa kohët e fundit ai kishte marrë me koncension edhe hidrocentralin e Përrenjasit. Policia po punon për të gjetur shkaqet që e çuan atë drejt vdekjes. Por sipas të dhënave të të afërmve, mësohet se ishte shumë i stresuar për shkak të punës dhe të disa borxheve. Për të nisur shfrytëzimin me koncesion të hidrocentralit, mësohet se ai kishte kërkuar dhe marrë kredi në disa banka. Pikërisht pas kësaj kohe, sipas familjarëve dhe policisë, Aliaj ishte bërë më i stresuar. Dyshohet se këto probleme t'i kenë shkaktuar depresionin e thellë, deri në aktin e vetëvrasjes. Viktima njihej në Fier për biznesin në fushën e ndërtimit, kryesisht prej guri, me shtrime pllakash e së fundmi marrjen me koncesion të hidrocentralit të Përrenjasit.
Policia ka bllokuar në cilësinë e provës dokumentacionin e firmës së tij, me qëllim të hedhë dritë mbi problemet që mund të ketë pasur gjatë punës. Vetëm pas këtyre të dhënave pritet që të jepet një konkluzion për motivet të cilat shtynë biznesmenin e njohur fierak që t'i japë fund jetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›