E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkopi, banorët kundër HEC-it të Skavicës: Do na përmbysë

 

PESHKOPI - Qindra banorë të Dibrës, kryesisht nga fshatrat e komunës Fushë Çidhën u mblodhën dje në mesditë në një protestë  kundër ndërtimit të HC-së së Skavicës. Ata mbanin në duar pankarta ku shkruhej: "Dibra përmbytet", "Ndal projektit italian", "Përmbyten 6800 hektarë tokë", "Jo hidrocentralit të Skavicës", etj. Në krye të protestës qëndronin drejtuesit e shoqatës "Drini i Zi" Nazmi Driçi, Sadin Përnezha,  drejtues të komunës Fushë Çidhën, banorë të fshatrave që përmbyten, qytetarë të Peshkopisë, etj. Një natë më parë, po në qytetin e Peshkopisë është organizuar një takim ku ishin thirrur deputetët e Dibrës e Bulqizës, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i pranishëm, si për të treguar se nuk e mbështesnin protestën e kësaj shoqate dhe banorëve të Fushë Çidhnës. Ndërkohë ka bashkëbiseduar me organizatorët sekretari i prefektit të Dibrës, por nuk është prononcuar zyrtarisht në lidhje me qëndrimin e institucionit për këtë çështje. Oratorët në miting ngritën zërin kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës duke renditur dëmet ekonomike dhe historike që sjellë realizimi i këtij projekti. Më 17 nëntor 2008, qeveria njoftoi se ka shpallur tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Në garë janë vënë disa firma të huaja, ndërkohë që më e lakuara për ndërtimin e kësaj vepre është një firmë italiane. Në krah të protestuesve dibranë ndodhej dhe historiani Ali Hoxha, i cili ka deklaruar se ndërtimi i HC-së së Skavicës përmbyt një qytetërim të lashtë dhe të njohur në trevat shqiptare. "Ndërtimi i Skavicës sjellë fshehjen nën ujë të historisë së një treve nga më të lashtat dhe nga më krenaret, një treve që ka nxjerrë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin - Skënderbeun i cili, nga 26 beteja fitoresh të mëdha me zë në historinë e Shqipërisë dhe të Evropës kundër dy sulltanëve osmanlinj, 19 i ka zhvilluar me dibranët dhe në tokën dibrane", u shprehën protestuesit. Ata i bënë thirrje qeverisë, veçanërisht kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Ekonomisë Genc Ruli të anulojnë tenderin që pritet të zhvillohet në fillim të muajit janar 2009, ndryshe banorët e Fushë Çidhnës do të pengojnë nisjen e punimeve. Sipas tyre, ky hidrocentral përmbyt më shumë se 6800 hektarë tokë, pronë të cilën dibranët e kanë të pakët dhe të shenjtë. Protestuesit deklaruan se përfaqësues të shoqatës dhe intelektualë të njohur të Dibrës kanë kontaktuar me ministrin Ruli dhe i kanë bërë të ditur atij reagimin e banorëve të kësaj treve. Ndryshe nga TEC i Vlorës që ndot mjedisin, për dibranët ndërtimi i Skavicës zhyt përgjithmonë nën ujë të gjithë pellgun e Dibrës.                                            h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›