E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët bojkotojnë inaugurimin e Ivanov

Shkup -Presidenti i ri i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov gjatë ditës së nesërme do të marrë zyrtarisht postin e kreut të vendit. Sipas paralajmërimeve, presidenti i deritanishëm, Branko Cërvenkovski i shoqëruar nga garda shtetërore do ta pres Ivanovin para Parlamentit të Maqedonisë dhe më pas do të hyjnë në sallën plenare.

Në ceremoninë e inaugurimit do të marrë pjesë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, kabineti qeveritar, përfaqësues të institucioneve tjera, korri diplomatik, përfaqësues të gjyqësisë dhe të bashkësive fetare, etj. Por, disa prej partive shqiptare kanë paralajmëruar bojkotin. Kreu i Partisë Shqiptare Demokratike, Menduh Thaçi ka deklaruar se do ta bojkotojë këtë ceremoni, për shkak se nuk është ftuar presidenti i shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ai gjithashtu ka theksuar se presidenti i sapozgjedhur nuk e gëzon legjitimitetin e shqiptarëve, sepse nuk ka marrë votën e tyre. Ceremonia e inaugurimit do të bojkotohet edhe nga partitë tjera shqiptare më vogla të cilat janë shprehur të revoltuara me anashkalimin e presidentit kosovar. Pjesëmarrjen në këtë ceremoni e ka konfirmuar vetëm lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeveritar.

Pas seancës solemne do të ketë koktej në sallën e kristaltë, pastaj do të pasoj “kafja e presidentëve”, e presidentit të ri Ivanov dhe Cërvenkovskit.Ceremoninë zyrtare do ta përcjellin edhe disa burrështetas të jashtëm, në mesin e të cilëve presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, i Shqipërisë, Bamir Topi, i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe ai serb, Boris Tadiç.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar të dielën se ende nuk ka marrë ftesë zyrtare nga Shkupi për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Maqedonisë Gjorgje Ivanov të martën në Shkup.

"Jo unë nuk kam marr ftesë. Është çështje e vlerësimeve se si e vlerësojnë ata se kur do të duhej ta dërgojnë ftesën. Nuk kam çfarë të shtojë më shumë për këtë çështje ”, deklaroi presidenti Sejdiu me të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, pas përfundimit të vizitës së tij në Turqi. (ina/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›