E Diel, 1 Nëntor 2026

Jonathan Stonstreet: Rezultati për Tiranën ishte shumë i ngushtë, një numër i madh votash ishin hedhur në kutinë e gabuar

01-06-2011 / Leonard Quku

UPDATE- Bugajski dhe Benjamin: Një pjesë e politikës është klienteliste, largimin nga pushteti s’e lë presioni financiar

Komisioni Amerikan i Helsinkit ka zhvilluar sot pasdite një seancë të posaçme mbi zgjedhjet në Shqipëri, ku është informuar nga shefi i misionit të vëzhguesve të huaj, Jonathan Stonstreet. Stonstreet ka folur përmes një video-konference nga Parisi, duke u shprehur se zgjedhjet e 8 majit u zhvilluan të qeta dhe se nuk ka patur incidente të rënda të cilat mund të cenonin integritetin e procesit.


Kreu i misionit të vëzhguesve ka deklaruar se rezultati zgjedhor për Tiranën ishte shumë i ngushtë dhe kjo situatë bëhej jashtëzakonisht e vështirë jo vetëm për administratën zgjedhore në Tiranë, por në çdo vend të botës.


Sipas tij, rezultati prej 10 votash diferencë erdhi në një kohë kur në KQZ ndodheshin një numër i madh ankesash për rinumërim si dhe numërimin e votave të kontestuara. Sipas tij, një numër i madh votash për kryetarin e bashkisë, u gjetën në kutitë e gabuara.


“Një rezultat kaq i ngushtë, me 10 vota diferencë, do të vinte në vështirësi çdo administratë zgjedhore, në çdo vend të botës. Shumë vota u gjendën në kutitë e gabuara dhe kjo u konsiderua si gabim njerëzor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori një vendim për të numëruar fletët e kontestuara dhe menjëherë më pas e sqaroi atë. Ky vendim tashmë është bërë publik, por nuk dua ta komentoj atë pasi është Kolegji Zgjedhor që pritet të shprehet për këtë çështje”- u shpreh kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonstreet.


Duke folur për situatën zgjedhore, ai kujtoi se situata u karakterizua nga një polarizim i skajshëm, por në këto zgjedhje qytetarët shqiptarë u treguan të maturuar duke respektuar procesin deri në fund. Ai kujtoi se gjatë ditës së zgjedhjeve, në 8 maj, nuk ka patur incidente, ndërsa gjatë fushatës elektorale janë vërejtur konflikte banale mes militantëve.  


Të pranishmit në seancë, mes të cilëve Rob Benjamin, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Kombëtar Demokratik për Çështje Ndërkombëtare si dhe analisti Janus Bugajski, kanë vlerësuar se procesi i 8 majit ishte i lirë dhe i ndershëm. Ata shtruan si domosdoshmëri rinisjen e dialogut politik mes faktorëve, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara aspiratën e integrimit Evropian.


Sipas tyre, zgjedhjet vendore treguan te demokracia në Shqipëri funksionon dhe si e tillë politika duhet të qëndrojë larg akuzave tendencioze ndaj institucioneve ligjore. Në këtë pikë, Stonstreet ka shtuar se para dhe pas procesit të 8 majit, Partia Socialiste, si forcë kryesore e opozitës, ka sulmuar sistematikisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke e konsideruar atë si organ të varur politikisht.


“Që në fillim të fushatës nga partitë politike në Shqipëri pati përplasje mes tyre, ndërsa u ngritën akuza ndaj anëtarëve të KQZ-së duke krijuar mosbesim tek ky institucion që në fillim të procesit. Opozita e konsideroi institucionin e zgjedhjeve si organ politik, duke çuar kështu në mos besimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vlerësimin përfundimtar për zgjedhjet e 8 majit ne nuk mund t’i japim ende”- tha Stonstreet.


Por, Benjamin dhe Bugajski, kanë deklaruar se edhe pse procesi është vlerësuar si i rregullt, përsëri një pjesë e politikës e ka të vështirë humbjen e pushtetit, për shkak të presionit financiar që vjen nga rrethi klientelist.


“Komisioni i Helsinkit bën thirrje që të luftohet klientelizmi politik në vend. Zgjedhjet janë për fitimin e besimit të publikut, ndaj duhet luftuar klientelizmi politik...humbësi të pranojë humbjen. Duhet të ndryshojë mentaliteti i mos njohjes së rezultatit, por siç thamë më parë duhet luftuar klientelizmi politik. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste të bëjnë një hap pas”- ka deklaruar analisti Janus Bugajski.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›