E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, vendi me çmimin e karburanteve më të shtrenjtë në Europë



Ervin Koçi

Çmimi i hidrokarbureve ka kohë që po shënon vetëm rekorde zbritëse në bursat ndërkombëtare, ku që nga kulmi i rritjes më të fundit ai tashmë ka rënë me 40 dollarë për fuçi. Por kjo jo nuk u intereson aspak grosistëve dhe tregtarëve të pakicës të hidrokarbureve në vend, e aq më pak konsumatorit, i cili vijon të blerë karburant me çmim të shtrenjtë. Edhe pse u fol para dy muajsh për ulje të çmimeve, aktualisht ata vijojnë të qëndrojnë përsëri në majë të klasifikimit të çmimeve me pakicë të karburanteve në rajon. Pra, e thënë ndryshe, Shqipëria është aktualisht vendi që ka çmimin më të lartë për një litër naftë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën. Ndryshe mund të themi se, konsumatori shqiptar (ai që ka një automjet), e blen këtë lëndë me çmimin më të shtrenjtë për litër në Europë. Por jo vetëm ata që kanë automjetet e tyre personale rëndohen nga kjo gjendje, pasi nga çmimi i shtrenjtë i hidrokarbureve preket ekonomia e gjithë vendit dhe xhepi i çdo shqiptari, i pasur apo i varfër qoftë. Absurdi tjetër është ai se aty ku ka më shumë konsum, janë edhe çmimet më të shtrenjta të karburanteve për litër. Pra karburantet shiten më shtrenjtë në Tiranë, ku dhe numri i mjeteve dhe konsumi i tyre është më i madh, në një kohë që sapo del nga kryeqyteti tabelat e po të njëjtave kompani tregtimi të hidrokarbureve lexojnë një çmim më të ulët, ndërsa në rrethe ai zbret edhe më tej.

Çmimet në rrethe

Largimi i emigrantëve në vendet e tyre të punës ka sjellë edhe uljen e çmimit të naftës në pikat e shitjes me pakicë në akset rrugore që lidhin Tiranën me rrethet e tjera drejt Jugut të vendit. Ndryshime të lehta vihen re vetëm në disa pika në zonat periferike të Tiranës, edhe pse u përkasin të njëjtave kompani grosiste. Në pikat e tregtimit me pakicë, në dalje të kryeqytetit, vihet re një ndryshim i çmimit të shitjes së karburanteve. Në aksin rrugor Tiranë-Durrës apo Fier-Vlorë e më tej drejt Jugut, çmimi i naftës “D2” është mesatarisht 149 lekë/litër, ndërsa nafta e cilësisë së parë, “Eurodiezel”, shitet me çmimi mesatar 156 lekë/litër. Benzina vijon të tregtohet me një çmim të fiksuar në 150 lekë/litër. Një vit më parë çmimet më të larta të karburanteve ishin në aksin rrugor të vijës bregdetare joniane, por këtë vit ndodhi e kundërta. Ato janë më të larta në pikat e karburanteve në Tiranë.

Eurodiezeli

Kompanitë grosiste me shtrirje më të gjerë në të gjithë vendin e tregtojnë një litër naftë të cilësisë së parë, e njohur si “Eurodiezel” me një çmim që varion nga 158-160 lekë/litër. Tregtarët justifikohen shpeshherë për këtë mall, duke qenë se vjen nga importi dhe është gjithnjë më i lartë se të produktet e tjera, pasi sipas tyre “është tregu ai që dikton çmimet”. Duke parë vijueshmërinë e çmimit të naftës në të gjitha pikat e shitjes me pakicë në Tiranë, duket e pashmangshme se çmimi i këtij malli nuk do të jetë më i ulët se 155 lekë/litër. Nafta eurodiezel shitej me 170 lekë për litër në muajin korrik dhe gusht, duke shënuar nivelin më të lartë të shitjes, kur edhe në bursat e huaja nafta kapi rekordin prej 147 dollarë për fuçi.

Çmimi i benzinës

Një prej karburanteve me të cilin tregtarët mund të abuzojnë më pak mbetet benzina, për shkak edhe të përbërjes së saj. Në vendin tonë çmimi i benzinës ndryshon me 5 lekë nga kryeqyteti në rrethet e tjera të vendit, ndërsa është ulur rreth 15 lekë nga momenti i pikut, kur kapi çmimin 170 lekë/litër. Kështu, mesatarisht, në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve në Tiranë çmimi është nga 153-155 lekë/litër, ndërsa në aksin rrugor Tiranë-Durrës ky çmim është 150 lekë/litër, edhe pse në të njëjtat kompani grosiste.

Nafta e vendit

Çmimi i naftës së vendit, e njohur si nafta “D2”, edhe pse ka të njëjtin furnitor, shitet me çmime të ndryshme. Kështu, nga një vëzhgim i bërë në pika të ndryshme të tregtimit të naftës në kryeqytet, por edhe në zonat periferike të tij, apo edhe në autostradë, tarifa varion nga 150 lekë/litër në 153 lekë/litër. Kjo shpreh qartë diferencën mes tregtarëve të ndryshëm sipas zonave dhe sipas dendësisë së popullsisë.

BOX////////////////////////////
Tatimi për karburantet, importuesit janë kundër skemës së re të qeverisë

Importuesit kanë kundërshtuar skemën e re të vendosur nga Ministria e Financave, edhe pse zyrtarë të këtij dikasteri pohojnë për mediet se “vetë importuesit kanë qenë dakord me të”. Zyrtarë të administratës tatimore janë shprehur se skema do të sillte një ulje deri në 30 për qind të çmimit të naftës. Skema e re e Ministrisë së Financave për taksimin e naftës dhe benzinës sipas çmimit për njësi pritet të stabilizojë tregun e karburanteve. Por importuesit kanë deklaruar se kjo skemë do të eliminojë vetëm luhatjet ditore të çmimeve. Sipas tyre, “mënyra e re e taksimit do të bëjë që çmimi i naftës dhe benzinës të jetë i njëjtë në të gjitha qytetet e vendit, në të njëjtat kompani furnizuese të pikave të tregtimit me pakicë”. Sipas skemës së re, grosistët do të paguajnë akcizë dhe TVSH për naftën dhe benzinën në bazë të çmimit me të cilin ata do t’ua shesin karburantet tregtarëve të vegjël. Kjo skemë synon eliminimin e abuzimeve në tregun e karburanteve, gjë që nuk është në favor të importuesve.

Zhdoganimi i hidrokarbureve, rriten të ardhurat gjatë muajit gusht

Sipas drejtuesve të Doganës, të ardhurat doganore për 1000 lekë karburante në muajin gusht janë rritur në krahasim me korrikun. Për korrikun e këtij viti të ardhurat doganore për 1000 lekë karburante të importuara kanë qenë 728 lekë, ndërkohë që për gushtin e këtij viti kjo shifër është 785 lekë për 1000 lekë import. Diferenca është 57 lekë më shumë për 1000 importe, ndërsa çmimi i naftës nga korriku në gusht në bursa ka qenë në rënie. Sipas të dhënave të DPD-së, “rritja ka qenë më e ndjeshme gjatë muajit gusht, për shkak të ardhjes së shumë emigrantëve dhe turistëve gjatë sezonit turistik për pushime”. Nga të dhënat zyrtare, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është shënuar një rritje prej 2 mijë tonë karburante më shumë, ndërsa janë importuar 50 mijë tonë karburante. Sipas administratës së doganave, zhdoganimi i karburanteve ndikon në totalin e të ardhurave doganore me 7.8 për qind.

Çmimi i naftës gjatë vitit 2008

Muaji Bursa ndërkombëtare Tregu vendas

Janar 100 dollarë/fuçi D2-130 lekë/litër
Eurodiezel-140 lekë/litër

Shkurt 105 dollarë/fuçi D2-135 lekë/litër
Eurodiezel -142 lekë/litër

Mars 110 dollarë/fuçi D2-138 lekë/litër
Eurodiezel-150 lekë/litër

Prill 118 dollarë/fuçi D2-140 lekë/litër
Eurodiezel-155 lekë/litër

Maj 120.9 dollarë/fuçi D2-144 lekë/litër
Eurodiezel-148 lekë/litër

Qershor 130 dollarë/fuçi D2-155 lekë/litër
Eurodiezel - 165 lekë/litër

Korrik 147 dollarë/fuçi D2-160 lekë/litër
Eurodiezel-170 lekë/litër

Gusht 120 dollarë/fuçi D2-165 lekë/litër
Eurodiezel-170 lekë/litër

Shtator 104 dollarë/fuçi D2-153 lekë/litër
Eurodiezel-160 lekë/litër

Rekordet e naftës në vite:
Viti 1980
Çmimi i naftës kapi shifrën mbi 30 dollarë për fuçi, shkak u bë lufta mes Iranit dhe Irakut

Viti 1990
Në më pak se një dekadë çmimi i naftës shkoi në mbi 40 dollarë për fuçi, për shkak të luftës në Gjirin Persik

Viti 2004
Çmimi i naftës ishte 50 dollarë për fuçi dhe në fund të vitit arriti një tjetër rekord, ku ari i zi u shit me 55 dollarë për fuçi

Viti 2005
Çmimi i naftës arriti në 60 deri në 70 dollarë për fuçi, për shkak të uraganit “Katrina”

Viti 2006
Në mes të sezonit turistik çmimi i naftës u kuotua me 75 dollarë për fuçi

Viti 2007
Çmimi i naftës arriti në 90 dollarë për fuçi, ndërsa në nëntor kapi kuotën 99.2 dollarë për fuçi

Viti 2008
Çmimi i naftës ishte më pak se 100 dollarë për një fuçi, ndërsa në mes të vitit arriti në 147 dollarë për fuçi, një nga rekordet më të larta.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›