Pacientët rrezikohen nga mostransplantimi i veshkave
Emanuela Sako
Pavijonet e QSUT-së nuk janë gati për kryerjen e transplantimit të veshkave, që ishte parashikuar të bëheshin në vjeshtën e këtij viti. Janë rreth 15 pacientë në pritje të fillimit të operacioneve, të cilët rrezikojnë jetën edhe pse kanë gjetur dhuruesit e tyre. Pamundësia financiare i ka detyruar që operacionin ta kryejnë në vend, duke pasur parasysh se mjekët janë specializuar jashtë vendit. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, që është dhe përgjegjësi kryesor për projektin Shqiptaro – Italian, sqaroi për gazetën “Albania” se ende nuk është përgatitur terreni i favorshëm për kryerjen e transplanteve në QSUT. Shkak për këtë është bërë mungesa e përgatitjes së sallave dhe ajrit special në pavijonin e Urologjisë në QSUT. Ndërsa shpjegoi se nuk është fiksuar një afat i caktuar për transplantet e para në vendin tonë, ku bie poshtë ideja për fillimin e tyre në shtator apo tetor. Për realizimin e operacioneve bëjnë pjesë tre shërbime spitalore të rëndësishme, ku dy nga të cilat janë gati. Operacionet e para që do të kryhen në QSUT do të jenë falas dhe kjo falë projektit INTERREG 3, që bën financimin.
Situata
Për kryerjen e operacioneve për transplantimin e veshkave, aktualisht janë përgatitur dy pavijone, siç është ai i Nefrologjisë dhe Laboratori Imunologjik. Pengesa e vetme që do të shtyjë dhe kryerjen e operacioneve është Pavijoni i Urologjisë. Në këtë pavijon nuk janë përgatitur ende sallat, të cilat janë dy dhoma që duhet të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Por ende nuk është bërë lidhja e tyre dhe duhet të shembet muri që i ndan më mes. Njëkohësisht nuk ka përfunduar instalimi i aparaturës së ajrimit special, si dhe pritet një aparaturë që do të vijë nga Italia. Kjo aparaturë vëzhgon deri në imtësi ndërhyrjen kirurgjikale që do të realizohet te të gjithë pacientët. Aparatura mundëson matjen e medikamenteve që merret nga pacienti dhe kryen mbikëqyrjen e gjendjes shëndetësore të pacientëve që janë operuar. Sipas Thereskës kryerja e tenderave që do të mundësojnë operacionet dhe fondet për përballimin e operacioneve kanë përfunduar.
Pacientët
Shefi i Nefrologjisë pohoi se aktualisht janë në pritje rreth 15 pacientë, për të cilët është bërë përputhshmëria e veshkës. Ndërsa, rreth 180 pacientë të tjerë e kanë të nevojshme ndërhyrjen në veshka për kryerjen e transplantimit. Në momentin që sallat e operacioneve dhe tre pavijonet do të jenë gati, do të bëhet dhe ndërhyrja kirurgjikale për të gjithë pacientët që kanë gjetur dhuruesin e veshkës. Dhuruesit janë kryesisht të afërm të familjarëve që kanë përputhshmëri fiziologjike të veshkave dhe njëkohësisht janë të gatshëm të bëjnë dhurimin. Operacionet e para që do të kryhen në QSUT do të kryhen nga mjekë italianë dhe shqiptarë. Më pas gjithçka do të jetë në dorë të mjekëve shqiptarë.
Çfarë parashikonte projekti INTERREG 3
Projekti për kryerjen e transplantit të veshkave është një angazhim i specialistëve Shqiptarë dhe Italianë, në kuadër të projektit INTERREG 3. Dy vite më parë u mundësua që një staf mjekësh shqiptarë, urologë dhe nefrologë do të specializoheshin në klinikat italiane dhe franceze. QSUT-ja nisi në Bari të Italisë një staf mjekësh, të cilët kanë asistuar në mjaft operacione. Mes tyre ka pasur dhe pacientë shqiptarë që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale. Për specializim është dërguar edhe një ekip i kirurgjisë për transplantimet, ku janë përfshirë mjekë të urologjisë dhe mjekë të kirurgjisë vaskulare, të cilët kanë asistuar gjatë kryerjeve të transplantimeve. Shërbimi i Nefrologjisë ka dërguar në Francë dy mjekë për ndjekjen e sëmundjeve. Aktualisht projekti për përgatitjen e mjekëve ka përfunduar dhe pritet vetëm fillimi i operacioneve.
Mungesat
Mungon përgatitja e dy sallave të operacioneve në pavijonin e Urologjisë
Mungon aparatura që do të kontrollojë ecurinë e operacioneve te pacientët
Mungon sistemi i ajrimit, që është specifik për kryerjen e operacioneve
18 Shtator 2008