E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Amerikës festojnë Krishtlindjet

27-12-2010 / Gazeta 55

Me mesazhe urimi për paqe dhe begati


Besimtarët e krishterë në të gjithë botën festuan mbrëmë në mesnatë Krishtlindjen.  Ndërkohë, festa e Krishtlindjes, është festuar nga  mijëra besimtarë e besimtare shqiptaro-amerikanë, prej atyre që i përkasin  brezit të dytë e të tretë të emigrantëve shqiptarë të shekullit të kaluar, në Amerikë, por edhe shqiptaro - amerikanë të brezit më të ri. Mbrëmë në mesnatë të gjithë së bashku me familjet e tyre, kanë kaluar mbrëmë “Meshën e Mesnatës” - “Midnight Mass” në kishat shqiptare, si në Detroit, Boston, dhe Nju Jork, tri qytetet këto ku jeton edhe komuniteti më i madh i të krishterve shqiptaro amerikanë. Mesha e krishtere filloi në mesnatë, në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Rochester Hill - Detroit, Kisha Zonja Pajtore e Shqiptarëve në zonën Southfield dhe Kisha Katolike shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” e cila ndodhet në një mjedis të bukur natyror, provincën e Harsdale - Nju Jork, kur besimtarët katolikë i kremtuan lindjen e Krishtit.  Ndërsa, në të gdhirë të mëngjesit të djeshëm, besimtarët ortodoks kremtuan meshën dhe ndezën qirinj në Kishën shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. Kishë, kjo që një shekull më parë ka shënuar të parën apostolatë shqiptaro - ortodokse në Amerikën e Veriut. Për herë të parë, në 1908 këtu në Boston, u hap kisha e parë, shërbimet fetare u mbajtën në shqip për t’u shërbyer të krishterëve ortodoksë në gjuhën e tyre.


Mesazhet për një bashkëjetesë fetare


Dashuri dhe respekt, paqe dhe lumturi kanë shënuar edhe këtë vit ceremoninë tradicionale të meshës së Krishtlindjes, kudo në kishat shqiptare në SHBA. Ceremonia kryesore në Nju Jork, e besimtarëve katolik shqiptarë u mbajt në Kishë Katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ku famullitar i kësaj famullie është i përndershmi Dom Pjetër Popaj. Të pranishëm kanë qenë disa mijëra besimtarë, të të gjitha moshave, fëmijë me prindërit e tyre dhe të moshuar. Në mesazhin e tij, i përndershmi Dom Pjetër Popaj thotë se Krishtlindjet na e japin mundësinë të ndalohemi pak dhe të meditojmë për Dritën dhe Shpresën që hyjnë në botë nëpërmjet Lindjes së Krishtit. Jezusi vjen për të na prua shëlbimin. Ai vjen për të na çliruar prej mëkatit që të kthehemi te përqafimi i Atit. Ai vjen për të na prua dritën në terrin tonë, shpresën e jetës së re dhe premtimin e parrizit. Lindjes së Krishtit, thekson Popaj, i ka prij hylli ndriçues që ka shndritur tre mbreten që prej sa miljesh larg shkojnë pas hyllit deri që e gjejnë Krishtin Foshnje. E njajta dritë na ndriçon edhe ne sot. Në Jezusin fëmijë të fjetur në grazhd është krejt pranija e Zotit. Ai vjen që ne të kemi jetën më të begatshme. Më tej Dom Pjetri thotë “le të lutemi që të gjithë, por sidomos ata që besojnë në Krishtin, tu përngjajnë tre mbretërve prej lindjes, që e kanë parë hyllin, kanë besuar dhe janë nisur pas tij. Bëje që Krishtlindjet të na mbushin me mrekullin e misterit të Krishtit Foshnje, Birit të Zotit”. Në fund të mesazhit ai thotë përsëri “I lutemi Zotit që të ju bekojë ju dhe familjet e juaja për Krishtlindje dhe gjatë Vitit të Ri e gjithmonë”. “Bën që të ju mbushin zemrat tuaja me praninë e Tij që ta tregoni dashurinë e Tij ndër të tjerë. Gëzuar Krishtlindjet! ka përfunduar mesazhin famullitari i kishës Katolike Shqiptare ‘Zoja e Shkodrës’”, Dom Pjetër A. Popaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›