Vijon normalisht lëvizja e shqiptarëve në vendet “Schengen”

Në 10 ditët e para bilancet janë korrekte
Në 10 ditët e para të lëvizjes së lirë në vendet “Schengen”, kanë kaluar kufirin në dalje 99 694 shtetas shqiptarë, nga të cilët 33 921 kanë kaluar pa viza duke aplikuar pasaportën biometrike. Sipas zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë, Pëllumb Nako, fluksi i kalimeve është thuajse normal për këtë periudhë festash, dhe nëse i referohemi diferencës prej 30 130 shtetas shqiptarë më pak që kanë hyrë në Shqipëri dhe që janë pikërisht emigrantët, rezulton se në kufi është përballuar i njëjti fluks, sikundër të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa personat që kanë dalë nga Shqipëria më shumë se vitin e kaluar, kanë shkuar për vizita te të afërmit e tyre në emigracion dhe për ketë fakt, këta të fundit i mungojnë numrit të emigrantëve që kthehen çdo vit për të kaluar festat e fund vitit në Shqipëri. Procesi i lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë vijon mjaft normalisht dhe sikurse deklaroi pak ditë më parë Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, është përgjigja më e mirë për ata që trumbetonin eksod të shqiptarëve duke krijuar probleme për vendet e BE. Sikurse çdo proces edhe lëvizja e lirë është shoqëruar me marzhin e saj problematikave, dhe nga 33 921 shtetas shqiptarë që kanë udhëtuar pa viza për në vendet e BE, 1338 prej tyre janë prapësuar në kufi. Nga këta, 544 janë identifikuar si persona me urdhra dëbimi nga të paktën një prej vendeve “Schengen”, 52 nuk kanë pasur mjete të mjaftueshme financiare për të justifikuar udhëtimin e qëndrimin, ndërsa 742 për shkaqe të tjera. Sipas zëvendësdrejtorit të përgjithshëm Nako, 443 prej të kthyerve i përkasin datave 15-17 dhjetor, në pikën e kalimit të Kakavijës, ku është konstatuar një problem që pas bisedimeve është sqaruar. Kështu që për datat e tjera në të njëjtën pikë të kalimit kufitar nga 18- 24 dhjetor, kanë kaluar 8961 shtetas shqiptarë me pasaporta biometrike dhe janë kthyer vetëm 351 persona. Për datën 24 dhjetor, një ditë para Krishtlindjeve kanë kaluar pa vizë 5529 shtetas shqiptarë dhe kthyer vetëm 64. Prej këtyre 58 kanë pasur probleme ligjore me vendet “Schengen”, 4 për mungesën mjeteve të domosdoshme financiare dhe vetëm 2 për shkaqe të tjera, të konstatuara gjatë intervistimit.
...