Aksidentet, përgjaken sërish rrugët e Juglindjes
Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e dy aksidenteve rrugore të ndodhura në Juglindje të vendit. Një 58-vjeçar nga fshati Vreshtas ka ndërruar jetë kur ndërsa ka qenë duke udhëtuar me një zetor pas punës në arë, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur duke marrë dëmtime të rënda në trup dhe në kokë. Plagët kanë qenë fatale për 58-vjeçarin Behar Callaku, i cili edhe pse është transportuar drejt spitalit civil të Korçës nuk ka mundur të mbijetojë. 58-vjeçari sapo kishte përfunduar punën në arë kur rreth orës 20:30 të së mërkurës, ka dalë nga rruga e fshatit Sheqeras që të çon drejt fshatit tjetër ku banonte viktima. Sipas policisë, 58-vjeçari ka qenë duke drejtuar një mjet tip “Jenmen” pa targa kur ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një fushë përtej kanalit anësor. Pas përmbysjes së mjetit, Behar Callaku ka pësuar dëmtime të shumta në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Një tjetër aksident rrugor në aksin nacional Korçë-Pogradec ka shkaktuar plagosjen e rëndë të një 40-vjeçari. Aksidenti ka ndodhur në orët e mëngjesit në fshatin Sovjan kur i plagosuri ka qenë duke udhëtuar me një biçikletë në rrugë nacionale. Ka qenë një mjet me targa greke që ka përplasur ekonomistin e Komunës Libonik, i cili po shkonte si çdo ditë për në punë. Andon Gaqellari ka rënë në rrugë dhe nga përplasja e kokës në asfalt ka pësuar një plagë të rëndë. Ai është transportuar fillimisht drejt spitalit të Korçës ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërkohë që për shkak të gjendjes kritike për jetën është dërguar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak për ndërhyrje të specializuar. Policia ka ndaluar autorin e aksidentit, Ylli Zeqo, i cili sipas policisë ka qenë me shpejtësi.
#