Kuqi premton gola

Shefki Kuqi e ka fascinuar ekipin e ri, Oldham, por edhe tifozët e tij, qysh në ndeshjen e parë. Sulmuesi kosovar ka debutuar me gol vetëm pas gjashtë minutash, në fanellën e ekipit të ri, i cili luajti me Huddersfield, në League One (liga e tretë angleze).
Vushtrriasi shënoi me kokë, duke i gëzuar 6 mijë shikuesit e pranishëm, ndërsa e veçanta ndodhi pas shënimit të golit, kur 34-vjeçari e festoi golin në stilin e vjetër, duke fluturuar. Ndeshja përfundoi baras, 1:1, gjë e cila nuk e gëzoi ish-futbollistin e Newcastles.
“Ishte një fillim i mirë për mua, por fatkeqësisht nuk i morëm tri pikë. Ndihem shumë mirë që shënova. Unë kam nevojë për disa ndeshje, për të arritur në nivelin e dëshiruar. Jam në formë të mirë dhe në rrugë të mirë për ta bërë këtë”, ka thënë Kuqi për uebfaqen finlandeze, hs.fi.
Edhe trajneri i Oldhamit, Paul Dickov, ndihet i kënaqur me paraqitjen e Kuqit. Ai është i bindur se sulmuesi kosovar nuk do të ndalet me kaq. “Ishte një paraqitje e mirë e tij, dy ditë pas prezantimit në ekipin tonë. Ai do të shënojë disa gola”, tha Dickov nën jë intervistë për BBC.
Kuqi po iu afrohet 100 golave në Angli. Ai deri tash ka realizuar 93, duke përfshirë këtu eksperiencën në Premierligë, Championship (liga e dytë) dhe në League One (liga e tretë).
Sezonin e fundit, ish-përfaqësuesi finlandez e kishte kaluar në Premierligë, përkatësisht te Newcastle, ku kryesisht luajti në minutat e fundit. Më parë, ai kishte veshur fanellën e shumë klubeve si: MP, HJK, FC Jokerit, Stockport County, Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, TuS Koblenz, Swansea City, Derby County dhe së fundmi Newcastle United.