I riu përdhunon komshien 14 vjeçe, në dyqanin e tij
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Përdhunoi komshijen e mitur, arrestohet 19-vjeçari. Kristian Llulaj nga fshati Tale e Lezhës ra në pranga pas denoncimit të kryer nga prindërit e një 14-vjeçareje. E mitura ishte bërë pre e marrëdhënies me dhunë dhe kërcënimeve të të riut në dyqanin e këtij të fundit. Mësohet se vajza, identiteti i së cilës për efekt të moshës nuk bëhet i ditur, përfundoi në spital pas shqetësimeve që kishte shfaqur në banesë. Prindërit e saj, të shqetësuar për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike, e dërguan në spitalin e Lezhës. Mjekët pas vizitës së kryer konstatuan se ndaj të miturës ishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Pas evidentimit të këtij fakti, prindërit e vajzës sinjalizuan menjëherë policinë. Mësohet se e mitura, nga frika e kërcënimeve të 19-vjeçarit nuk kishte treguar në familjen e saj mbi atë çfarë i kishte ndodhur. I riu i kishte bërë presion edhe në ditët në vazhdim të mos tregonte. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në fshatin Tale në dyqanin e Llulajt. Ai posedonte një lokal në të cilin shiste edhe produkte ushqimore. E mitura, nxënëse e klasës së shtatë, ishte dërguar nga prindërit e saj për të blerë ushqime. Por djali 19 vjeç, duke shfrytëzuar moshën e vajzës si dhe mungesën e njerëzve rreth e rrotull, e ka tërhequr atë forcërisht, nga ku më pas ka mbyllur derën e dyqanit. Ai e ka kërcënuar vajzën të mos bërtiste, ndërsa më pas e ka përdhunuar. Pas ngjarjes, e mitura ka shkuar në shtëpinë e saj, por për dy ditë e ka mbajtur të fshehur gjithçka i kishte ndodhur. Por gjendja e saj psikike dhe fizike është rënduar, çka detyroi prindërit e saj të nisesh bashkë me të drejt spitalit të Lezhës. Kur mjekët evidentuan atë çfarë kishte ndodhur, blutë nisën hetimet pas denoncimit të kryer. Ata shkuan dje në fshatin Tale dhe arrestuan 19-vjeçarin për veprën penale të kryerjes "së marrëdhënieve seksuale me dhunë me femra nga 14-18 vjeç". Sipas policisë, i riu e ka mohuar akuzën. Por ndërkaq, mësohet se ka prova të mjaftueshme për t'i adresuar atij autorësinë e kësaj ngjarjeje të rëndë. E mitura ka mundur të japë deponimet e saja në polici në lidhje me ngjarjen. Sipas saj, ajo kishte shkuar për të blerë ushqime në dyqanin e komshiut të tij. Por ai i kishte kërkuar të kryenin marrëdhënie. Refuzimi i saj kishte shkaktuar agresivitet tek djali, i cili e kishte tërhequr atë me forcë dhe më pas e kishte përdhunuar. Nga frika e prindërve dhe presioni i vazhdueshëm i djalit, e mitura u mundua të mos binte në sy të prindërve të saj për gjendjen në të cilën ndodhej. Sipas ekspertizës së kryer nga policia në vendin e ngjarjes, në lokalin e Llulajt janë gjetur shenja të vajzës, që vërtetojnë përdhunimin e saj. Po kështu, e mitura i është nënshtruar edhe ekspertizës mjekësore, e cila vërteton gjithashtu marrëdhënien me dhunë.
Pas prangosjes mohon akuzën
Pas arrestimit, 19-vjeçari Kristian Llulaj nuk e ka pranuar akuzën e ngritur për përdhunimin e komshies së tij të mitur. Por dëshmia e 14-vjeçares, nxënëse në klasën e shtatë, provat në dyqanin ku kishte ndodhur ngjarja si dhe ekspertiza mjekoligjore, sipas policisë janë prova të mjaftueshme për të akuzuar të riun. Mësohet se 14-vjeçarja është marrë në pyetje në praninë e prindërve të saj, ndërsa gjendja e saj psikologjike ishte e rënduar.